Enis Aliko

Zëvendësministër

Enis Aliko

Z. Enis Aliko lindi më 28 Maj 1962 në qytetin e Tiranës, ku edhe banon. Ai filloi studimet në Universitetin e Tiranës në vitin 1981 në degën Inxhinieri Mekanike. Pas mbarimit të vitit të dytë me rezultate të shkëlqyera, përfitoi një bursë studimi për inxhinieri nafte në Algjeri. Ai u diplomua në vitin 1988 në Institutin Algjerian të Naftës dhe zotëron gradën Master në Inxhinieri Shpim-Kërkimi Nafte. Pas kthimit në Shqipëri filloi punën si Asistent Pedagog në Universitetin e Tiranës, në katedrën e Shpimit të Puseve. Në vitin 1993 ai kaloi në Agjensinë Kombëtare të Hidrokarbureve (sot AKBN) si Specialist Shpimi dhe anëtar i Bordit.

Më pas, në vitin 1995, Z. Aliko filloi punë, si inxhinier distrikti, në një kompani shumëkombëshe nafte. Deri i në vitin 2015 ai mbajti pozicione të ndryshme në këtë kompani, nga manaxher i inxhinierisë deri në drejtor gjeomarketi, duke qenë përgjegjës për Evropën, Afrikën dhe vendet e detit Kaspik.

Nga viti 2015, ai është angazhuar në Shqipëri si Manaxher i Projektit të Master Planit të Gazit Natyror, i cili hedh bazat për transmetimin dhe shpërndarjen e gazit natyror në Shqipëri. Gjatë aktivitetit të tij profesional ai ka kryer një sërë kursesh të ndryshme profesionale në SHBA dhe BE, nga kurse specializimi në fushën e naftës, në kurse negocimi, kontratash, finance, legale, manaxhimi, etj. Z. Aliko ka kontribuar në zhvillimin e industrisë së naftës me mbi 15 artikuj shkencorë, të cilët i ka prezantuar në konferenca ndërkombëtare ose të botuar në revista profesionale, si dhe me pjesëmarrjen e tij në zhvillimin e një sërë teknologjish të reja në fushën e shpim-kërkimit. Përveç kësaj, ai është edhe autor i disa patentave ndërkombëtare në fushën e naftës.

Z. Aliko është anëtar i vjetër i Shoqatës Ndërkombëtare të Inxhinierëve të Naftës (SPE) dhe prej vitit 2015, është edhe anëtar i komisionit të çmimeve të nderit të kësaj Shoqate.