Dorina Cinari

Zëvendësministër

Dorina Cinari

Znj. Dorina Çinari, ka lindur në Durrës, më 25 shkurt 1970. Është e martuar dhe ka dy fëmijë: Ermbarin  dhe Amblën. Në vitet 1988-1992 ka përfunduar studimet universitare në Universitetin Politeknik të Tiranës, Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe është diplomuar në Inxhinieri Elektronike. Zotëron gradën Master në Administrim Biznesi lëshuar nga UNY Tiranë dhe IUKB Zvicër. Znj. Çinari ka kryer trajnime prestigjioze në fushën e Mirëqeverisjes të Burimeve Natyrore, Energjisë Globale dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm nga Columbia University në NY dhe Houston University - Texas, si dhe Programin Ndërkombëtar të Lidershipit nga Departamenti i Shtetit SHBA.

Znj. Çinari është një menaxhere me përvojë të gjatë kryesisht në energji dhe telekomunikacion dhe përgjatë jetës së saj profesionale i ka prekur të tre sektorët: Sektorin Privat, Sektorin Shtetëror si dhe atë të Programeve Zhvillimore me Institucione Ndërkombëtare.

Ajo e filloi karrierën e  saj në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike në vitin 1993, si drejtuese e Laboratorit të parë të Teknologjisë. Më pas në periudhën 1996-2001 punoi pranë AEDP - SOROS si Menaxhere Programi për zhvillimin e infrastrukturës shkollore. Në vitet 2001 -2005 punon pranë Albanian Mobile Communications si Drejtore e Njësisë së Koordinimit të Projekteve në Infrastrukturën e Rrjeteve GSM. Znj. Çinari është angazhuar më pas me Volving - Volvo Construction Equipment si Drejtore Operacionale dhe që nga 2011 në Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë - CEZ Shpërndarje, si Drejtore e Kujdesit ndaj Klientit nën drejtimin e së cilës u ndërtua rrjeti i parë i 46 qendrave të Kujdesit ndaj Klientit me konceptin one-stop-shop në të gjithë Shqipërinë. 

Nga viti 2014, zonja Çinari ka drejtuar Sekretariatin Kombëtar Nisma për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse, si pjesë e angazhimit të Shqipërisë në organizatën ndërkombëtare EITI International, me kontribut të veçantë në promovimin e Shqipërisë ne axhendën ndërkombëtare EITI, nëpërmjet rolit të saj si Kryetare e Grupit Ndërkombëtar të Punës per Vendet Anëtare Implementuese EITI.

Është zotëruese e gjuhëve angleze dhe italiane.