Postuar më: 31 Tetor 2017

Akset kombëtare, ARRSH-IKMT pastrojnë Fier-Vlorë dhe Lezhë-Shkodër

Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit publikojnë rezultatet e javës së katërt të ndërhyrjes në terren në kuadër të lirimit të nyjeve dhe hapësirave në akset kryesore kombëtare nga tabelat dhe aktivitetet civile/ekonomike të vendosura në kundërshtim me Kodin Rrugor.

Në bashkëpunim me komisariatet respektive të policisë është bërë e mundur ndërhyrja në aksin Lezhë-Shkodër. Janë hequr 88 tabela ashtu sikurse është bërë spostimi i gomave që ishin të vendosura anë anën e karrexhatës në dy subjekte tregtare. Gjatë ndërhyrjes në më shumë se 7 raste është bashkëpunuar me biznese të caktuara për të bërë zhvendosjen e materialeve të tyre brenda kufirit rrethues të biznesit për të liruar rrugën. Në bashkëpunim me IKMT-në është bërë e mundur heqja e 14 tezgave të tregtimit ambulant përgjatë aksit, prishja e tre kioskave dhe dy konstruksione metalike lavazhe.

Gjatë ndërhyrjes në aksin rrugor Fier-Vlorë në të dy drejtimet janë hequr 91 tabela informuese të bizneseve të ndryshme ashtu sikurse është kryer spostimi i strukturave për tregtimin e gomave të tre subjekteve. Në bashkëpunim me IKMT u zhvendosën biznese lulesh, u hoq një kioskë dhe tre konstruksione të vendosura në kundërshtim me Kodin Rrugor.