Postuar më: 10 Mars 2017

Albpetrol nis procedurat për marrjen në dorëzim të vendburimit të Amonicës

Me miratimin e Ministrit të Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri, shoqëria shtetërore e naftës Albpetrol sh.a. ka njoftuar mbylljen e Marrëveshjes Hidrokarbure “Për Zhvillimin dhe prodhimin e

 

hidrokarbureve në Vendburimin e Amonicës”. Gjithashtu është urdhëruar fillimi i procedurës për marrjen në dorëzim nga Albpetrol të vendburimit të naftës nga kompania “Phoenix Petroleum sh.a.”.

Ky vendim vjen si rezultat i mos përmbushjes së detyrimeve kontraktuale nga kompania “Phoenix Petroleum sh.a” dhe ndalimin e punës në vendburimin e Amonicёs qё prej muajit Nëntor 2016. Ky ndalim, përveç dëmtimeve që i shkakton vendburimit të naftës, përbën edhe një rrezik për shëndetin e banorëve qё jetojё pranë si dhe dëmtimin e mjedisit. Në urdhrin e ministrit Gjiknuri kërkohet marrja e masave për të garantuar shëndetin e banorëve që jetojnë përreth vendburimeve si dhe rivënia në punë brenda një kohe sa më të shkurtër e puseve të fondit të ndalur.

Procedura për prishjen e Marrёveshjes Hidrokarbure ka nisur njё vit mё parё, pas evidentimit të mos përmbushjes së kushteve nga kompania përkatëse. Kontraktori u njoftua se kishte njё afat 6 mujor për korrigjimin e shkeljeve kontraktuale, por pas përfundimit tё njoftimit dhe mos marrjes sё masave nga ky Kontraktor, u njoftua prishja e Marrёveshjes. Pavarësisht se kompania “Phoenix Petroleum sh.a” ka shprehur angazhimin për përmbushjen e kushteve të marrëveshjes dhe shlyerjen e borxheve kundrejt Albpetrol, ajo nuk ka marrë asnjë veprim konkret për të plotësuar këtë zotim. Për më tepër, Kontraktori ndërpreu aktivitetin e prodhimit në vendburimin e Amonicës.

Procesi i marrjes në dorëzim të vendburimit parashikohet të zgjasë disa ditë dhe në përfundim të tij do të rivendosen menjëherë në punë puset e ndalura dhe do të fillojë prodhimi i naftës.

Vendburimi i Amonicës është një prej nëntë zonave hidrokarbure (3 naftëmbajtëse dhe 6 gazmbajtëse) që u dhanë me koncesion tek firma “Phoenix Petroleum sh.a” në ditët e fundit të qeverisë Berisha, më 16 Gusht 2013, dy muaj pas zgjedhjeve parlamentare. Zonat e tjera të dhëna në të njëjtën kohë me koncesion përveç Amonicës, në vendburime nafte janë Drashovica dhe Pekisht-Murriz. Në vendburime gazi natyror janë Panaja, Frakull, Povelçë, Divjakë, Ballaj-Kryevidh, Finiq-Krane.

Përveç kontratës për zonën e Amonicës, shoqëria Albpetrol sh.a po verifikon edhe situatën në gjashtë vendburimet e gazit natyror, pasi edhe në këto raste kompania “Phoenix Petroleum sh.a” është në kushtet e mospërmbushjes së kërkesave të kontratës.

Rimarrja në kontroll nga shteti i vendburimit të Amonicës nuk është i vetmi pasi gjatë muajit Janar, Ministri i Energjisë urdhëroi Albpetrolin për marrjen në kontroll edhe të vendburimeve Gorisht-Kocul dhe Cakran-Mollaj që ishin dhënë me koncesion për kompaninë koncesionare “TransAtlantik Albania”. Edhe në këtë rast, shkak i rikthimit në kontroll të shtetit të vendburimeve ishte mos përmbushja e detyrimeve kontraktuale nga koncesionari.