Postuar më: 05 Nëntor 2017

ARRSH-IKMT pastrojnë akset Lezhë-Shkodër-Hani i Hotit dhe Levan-Kakavijë

Në javën e pestë të ndërhyrjes në terren, Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit vazhduan pastrimin e nyjeve dhe akseve rrugore kombëtare nga tabelat dhe objektet e vendosura në kundërshtim me Kodin Rrugor.

Në aksin Lezhë-Shkodër-Hani i Hotit u hoqën nga rruga 127 tabela, 3 pika ambulante të shitjes së fruta-perimeve, 8 vendgrumbullime gomash, 5 konstruksione metalike, material ndërtimi vazo lulesh dhe flamuj.

Ndërkaq, po gjatë kësaj jave u ndërtu edhe në aksin rrugor kombëtar Levan-Kakavijë. Aty u hoqën 167 tabela reklamuese të përmasave të ndryshme mes të cilave 34 tabela të posaçme me përmasa nga 80 m2 deri 200 m2. Në këtë aks u larguan 22 pika tregtimi ambulante anësh rrugës, u prishën 5 lavazhe, 4 kioska dhe u zhvendosën 4 kontenier. Në këtë ndërhyrje u pastruan edhe 3 vendgrumbullime gomash e makineri të vendosura në krah të karrexhatës.

Autoriteti Rrugor Shqiptar u kujton të gjitha subjekteve që operojnë në krah të rrugëve nacionale se rivendosja e tabelave e materialeve të hequra gjatë kësaj ndërhyrjeje çon në marrjen e masave që nisin me gjoba dhe deri në procedim penal.