Postuar më: 07 Nëntor 2017

Fieri me rrjet të ri ujësjellësi, furnizim i pandërprerë me ujë të pijshëm

Fieri do furnizohet 24 orë/ditë me ujë të pijshëm. Një rrjet i rehabilituar, në shumë pjesë të tij i ndërtuar rishtas, siguron furnizimin pandërprerë me ujë të pijshëm dhe përmirëson ndjeshëm cilësinë e shërbimit. Kjo falë investimit mbi 11 milionë euro, që ka mundësuar zëvendësimin e rrjetit të vjetër të ujësjellësit. Rrjeti është shtrirë në disa lagje ku ai mungonte dhe deri dje vuanin më së tepërmi mungesën e ujit, është bërë zëvendësimi i tij në disa zona dhe ndërtimi nga e para në disa pjesë të tjera të qytetit. Investimi në ujësjellësin e Fierit u mundësua nga Programi Infrastruktura Bashkiake, financuar nga qeveria gjermane, qeveria zvicerane, Bashkimi Europian dhe qeveria shqiptare.

Kryeministri Edi Rama, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri dhe ambasadorja gjermane Susanne Schuetz ishin të pranishëm në inaugurimin e ujësjellësit të ri.

Nga ky Program janë rehabilituar sistemet e ujësjellës-kanalizimeve për qytetet Lezhë, Fier, Sarandë, Gjirokastër, Berat, Kuçovë, Lushnjë dhe Kamëz. Në përfundim të investimeve në këto qytete është përfituar rreth 635 kilometra rrjet i ri ujësjellësi, rreth 23 mijë lidhje të reja dhe rehabilitim të lidhjeve ekzistuese, rreth 30 000 matës të rinj të instaluar, duke i shërbyer me rrjet të ri ujësjellësi rreth 300 mijë banorëve, si dhe duke përmirësuar shërbimin për rreth 200 000 të tjerë në këto qytete.