Postuar më: 08 Nëntor 2017

Gjiknuri në takimin me FIAA: Bashkëpunim me biznesin për të garantuar zbatimin e kontratave

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Damian Gjiknuri mori pjesë sot në mëngjesin e punës organizuar nga Shoqata e Investitorëve të huaj në huaj në Shqipëri ( FIAA). Në fjalën e tij, ministri vuri theksin në investimet e huaja në Shqipëri, por theksoi ai thithja e investimeve të reja fillon së pari nga trajtimi i investitorëve që kemi aktualisht në vendin tonë. Ndërsa solli në vëmendje investime të mëdha në vend si SHELL apo Statkraft, Z.Gjiknuri theksoi se sa komplekse dhe e vështirë është absorbimi i këtyre investimeve.

“Sepse e kam thënë është shumë e lehtë të nënshkruash një kontratë, por është shumë e vështirë implementimi i saj, sidomos implementimi i kontratave komplekse që përfshijnë punë civile, marrëdhënie me njerëz, impakte sociale, leje e shumë elementë të tjera, janë shumë të vështira dhe kërkojnë vërtetë vëmendjen e qeverisë.”

Në vijim ministri Gjiknuri theksoi edhe një herë se një investim që të jetë i qëndrueshëm e para duhet të ketë patjetër një treg të qëndrueshëm, por edhe rolin e institucioneve, ndërsa garantoi mbështetje për investitorët.

“Qeveria duhet të bëjë rolin e saj me mbështetje institucionale duke ofruar lehtësira sa herë që mund të ketë konflikte, sa herë që janë gjëra që varen nga qeveria dhe që duhet patjetër të zgjidhen në kohë për të bërë të mundur investimin e huaj të ecë ashtu siç duhet. Kështu që unë po ju flas si Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, do të keni të gjithë mbështetjen time dhe çdo kapacitet që ka ministria që unë drejtoj apo institucionet e varësisë do të vihen në dispozicion që ato kontrata të lidhura kuptohet gjithmonë në bazë të një procesi kompetitiv apo kur ka investime të tilla strategjike, do të keni mbështetjen e institucioneve për të bërë të mundur implementimin e kësaj kontrate,” nënvizoi Gjiknuri.