Postuar më: 05 Prill 2017

Gjiknuri-Schutz në Orikum, nis ndërtimi i nënstacionit të ri elektrik

 

Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri shoqëruar nga ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë Susanne Schütz dhe ajo e Kroacisë Sanja Bujas Juraga morën pjesë në ceremoninë e nisjes së ndërtimit të nënstacionit të ri elektrik 110/35/20 kV në Orikum.

Projekti bëhet i mundur përmes bashkëfinancimit të Republikës Federale Gjermane përmes KfW. Vlera e investimit është 6,253,424 Euro ndërsa punimet do të përfundojnë brenda 14 muajsh.

Pas prezantimit teknik të investimit nga administratori i Operatorit të Sistemit të Transmetimit Engjëll Zeqo, ishte ministri Gjiknuri ai që u ndal tek rëndësia e projektit për zonën e bregdetit.

Sipas tij, ky është një nga investimet e rëndësishme në Qarkun e Vlorës përsa i përket energjisë. “Është pjesë e projektit për ndërtimin e dy nënstacioneve, një në Orikum dhe tjetri në Himarë. Këto investime do të mundësojnë lidhjen e Unazës së re të Jugut 110 kV me gjithë pjesën e bregdetit e më tej me rrjetin 20 Kv. Sapo kemi përfunduar tenderimet edhe me Operatorin e Shpërndarjes dhe bëhet fjalë për investime rreth 8 milion euro të tjera. Do të mund të rinovohet paralelisht me këto dy nënstacione t ëreja edhe rrjeti elektrik nga Vlora në Borsh duke i bërë 20 kV. Këto janë investime jashtëzakonisht të rëndësishme dhe unë e kam thënë se Qarku i Vlorës do të ketë furnizimin ndër më të mirët me energji në të gjithë vendin”, nënvizoi Gjiknuri.

Ambasadorja gjermane tha se investimet do të ndikojnë në përmirësimin e ndjeshëm të cilësisë së furnizimit me energji të gjithë rajonit të Vlorës. “Ky furnizim do të jetë më i qëndrueshëm, ndërprerjet e energjisë elektrike do të jenë më të pakta dhe do të reduktohen në mënyrë të ndjeshme. Në këtë formë, ky projekt do të çojë në përmirësimin e kushteve të jetesës për të gjithë banorët por edhe për aktivitetin e gjithë sipërmarrjeve të ndryshme dhe turistëve. Me lejoni të ju rikujtoj se bashkëpunimi në këtë sektor me Shqipërinë është mjaft i rëndësishëm. Gjermania është donatori më i rëndësishëm bilateral i Shqipërisë në këtë drejtim. Prej vitit 1988, qeveria federale ka lëvruar 360 milion euro në këtë kontekst përmes ndërtimit të linjave të interkonjeksionit me Maqedoninë, Malit të Zi dhe Kosovës”, theksoi Schutz.