Postuar më: 20 Nëntor 2017

Inaugurohet në Tuz stacioni i përbashkët hekurudhor Shqipëri-Mali i Zi

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të stacionit të përbashkët hekurudhor mes Shqipërisë dhe Malit të Zi.

I shoqëruar dhe nga deputeti Paulin Sterkaj, Gjiknuri vizitoi pikat e kontrollit kufitar në Tuz ku tashmë janë vendosur përfaqësues të doganës, policisë dhe hekurudhës së dy vendeve. Hapja e stacionit të përbashkët është vlerësuar si një sukses i përbashkët i palës shqiptare dhe malazeze, si modeli i vetëm në rajon, i cili duhet të ndiqet si shembull nga të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Në vlerësimin e ministrit Gjiknuri kjo nisma i shërben edhe axhendës së interkonektivitetit mes vendeve fqinje dhe më gjërë. Ai vuri theksin tek nevoja për thellimin e bashkëpunimit mes operatorit malazez Montecargo dhe atij shqiptar Hekurudha Shqiptare. Ministri Gjiknuri tha fluksi i shkëmbimit të mallrave mes dy vendeve po vjen duke u rritur dhe ky stacion i përbashkët e ndihmon thellimin e bashkëpunimit e zhvillimin ekonomik të dy vendeve.