Postuar më: 03 Maj 2017

MEI-BERZH bashkëpunim për zhvillimin e energjisë diellore

Ministri i Energjisë dhe Industrisë z.Damian Gjiknuri dhe Drejtori i BERZH në Shqipëri z.Matteo Colangeli nënshkruan sot në Tiranë një Memorandum Mirëkuptimi për nxitjen e investimeve të qëndrueshme për gjenerimin e energjisë diellore. Memorandumi parashikon zhvillimin e projekteve në Shqipëri përmes një sistemi me ankand, në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare. Implementimi i planit të përcaktuar në Memorandum do të rrisë ndjeshëm interesin ndaj investimeve për gjenerimin e energjisë diellore në vend dhe si rrjedhojë do të reduktojë varësinë e Shqiperisë nga importi i energjisë dhe energjia hidrike.

“Konkretisht bëhet fjalë për asistencën që do ti jepet Ministrisë së Energjisë për të organizuar ankandet për impiantet e prodhimit fotovoltaik si dhe mundësinë e mbështetjes financiare nga ana e BERZH-it të ndonjë investimi të përzgjedhur nga një proces transparent e konkurues. Qëllimi është që ne, përmes BERZH-it, nëpërmjet një procesi transparent e të bazuar në legjislacionin e ri për energjitë e rinovueshme të kemi mundësi që edhe në Shqipëri të sigurojmë financime në lidhje me prodhimin e energjisë elektrike nga dielli, siç kemi plane edhe për prodhimin e energjisë nga era”, nënvizoi z.Gjiknuri.

Drejtori i BERZH në Shqipëri, Matteo Colangeli tha: “Nënshkrimi i këtij Memorandumi është një hap shumë i rëndësishëm për projektet për gjenerimin e energjisë diellore në Shqipëri. Qeveria dhe BERZH kanë vendosur të bashkëpunojnë për zhvillimin dhe implementimin e një platforme për alokimin tek investitorët privatë përmes një proçesi kompetitiv tenderimi mundësinë për ndërtimin, zotërimin dhe operimin e projekteve të energjisë diellore në Shqipëri duke krijuar një kapacitet të kombinuar prej 50-100 MW. Ne jemi të lumtur që po bashkëpunojmë me Qeverinë për ta kthyer këtë qëllim në një realitet”.

BERZH ka investuar 1 miliardë euro në Shqipëri në 77 projekte ku infrastruktura dhe energjia përbëjnë sektorët më të mëdhenj të investimeve të BERZH duke reflektuar njëkohësisht nevojat imediate të vendit dhe potencialin e tij më të fortë.