Postuar më: 02 Mars 2017

“Po shërojmë plagët e të shkuarës në sektorin e naftës”

Fjala e Ministrit të Energjisë dhe Industrisë z.Damian Gjiknuri gjatë seancës së sotme parlamentare:

Sapo dëgjuam poezinë e radhës për Zharrëzën, nga njeriu që Zharrëzën nuk e kishte dëgjuar ndonjëherë edhe vite më parë kur problemi ka qenë prezent. Fatkeqësisht, kur erdhe këtu me poezinë tënde mund të kishe gjetur një rresht diku që të paktën të thoje një fjalë të mirë për këtë qeveri. Ti na dole një delirant, delirant i fjalës së lirë apo i interesave popullore të Zharrëzës, duke bërë lidhje fallco dhe duke e nxjerrë në pah që ajo protestë u instrumentalizua politikisht dhe synonte të linte në hije atë që në fakt po bënte qeveria shqiptare prej dy muajsh. Disa të vërteta duhen thënë. Fatkeqësisht, edhe media shpesh dominohet nga tendenca populiste kundër çdo gjëje të mirë që mund të bëhet në këtë vend. Problemi i Zharrëzës është shumë më i thellë, problemi ka filluar 10 vite më parë kur njerëzit protestonin dhe ziheshin me dru nga policia. Asnjë masë qeveria e asaj kohe nuk kishte marrë. Përkundrazi, as në media nuk dilte problemi. Madje, deputetë tanë janë tërhequr zvarrë kur kanë qenë bashkë me banorët për të protestuar apo për të ngritur shqetësimin dhe asnjë njeri nuk e ngriti zërin.

Kjo qeveri që në vitin 2013 e mori seriozisht këtë problem dhe gjëja e parë që bëmë vumë sizmografët. Instituti i Gjeoshkencave është një institut shkencor dhe i vetmi përgjegjës që mund të nxjerrë ndonjë lidhje shkak-pasojë pasi ky është problem shkencor, nuk është çështje poezie. Këto janë fenomene shkencore që duan kohë të hetohen, nuk janë nga ato zgjidhje që jepen kështu duke pirë kafe në tavolinë. Këtij instituti i mungonin sizmografët për të monitoruar zonën e Zharrëzës. Pikërisht për shkak të presionit tone, edhe duke detyruar Bankersin meqë ti e ke merak, bëmë që të bliheshin sizmografët dhe që të monitorohej në mënyrë më të imtë zona.

U mor masa e dytë, kompania italiane SNAPE e cila injektonte fluide me presion në puse. Nafta jonë është një naftë e rëndë, e cila nxirret bashkë me një pjesë të ujit dhe uji teknologjik duhet futur diku, është një pus i thellë që shpohet dhe futet me presion aty. Mendohet që ky fenomen mund të ketë lidhje shkak-pasojë me lëkundjet. Edhe instituti ynë, pas matjeve të shumta dhe kur tërmetet u rikthyen me intensitet në periudhën e Dhjetorit të vitit 2016 veproi menjëherë.

Qeveria pezulloi injektimin e ujit teknologjik i cili ka edhe një faturë ekonomike, që ta dinë shqiptarët se janë 20 milion dollarë në vit që i mungojnë ekonomisë kombëtare. Gjithësesi detyra e parë e qeverisë është të prandalojë çdo lloj pasoje të rëndë për banorët dhe ne ndaj e ndaluam injektimin. Qeveria duhet të dalë në konkluzione shkencore se nuk janë çështje që zgjidhen me poezi këto.  Fjalë të bukura mund të thotë gjithësecili, dikush lexon më shumë, ty mbase ta ka dhënë natyra talent të shkruash por problemi është që do të marrësh vendime, do qeverisësh. Do marrësh edhe interesin ekonomik por do e fusësh në llogari edhe interesin publik të njerëzve. Ekonominë duhet ta zhvillosh por njëkohësisht duhet të ruash edhe shëndetin e njerëzve dhe të gjithë komunitetit aty. Kështuqë nuk janë vendime të thjeshta. E megjithatë, për të parandaluar çdo lloj pasoje ne morëm një vendim që pezulluam injektimin e ujit.

Ndërkohë, me urdhër të Kryeministrit, po atë ditë u ngrit një grup pune me specialistë nga Instituti i Gjeoshkencës, specialistë të naftës edhe specialistë të tjerë në fusha të tjera të emergjencës civile për të investiguar paraprakisht dhe për të nxjerrë konkluzione se çfarë lidhje ka ky fenomen, pra fenomenet e industrisë hidrokarbure me tërmetet. Arritëm në konkluzione paraprake që mund të ketë lidhje por nuk është konkluzion përfundimtar. Është fenomen shkencor i cili do vite monitorime, do edhe sizmografë shtesë të cilët ne do ti marrim dhe do ta monitorojmë më në thellësi zonën për të nxjerrë konkluzionet e sakta nëse do të dalë lidhja shkak-pasojë ndërmjet industrisë hidrokarbure dhe fenomenit të tërmeteve sepse tërmete aty edhe sot që flasim ka vazhdimisht. Për ta ditur, ajo është zonë e njohur sizmike ku pllakat tektonike kanë bashkimin me njëra-tjetrën dhe vazhdimisht ka tërmet. Na duhet një shpjegim shterues dhe për të kuptuar se çdo të bëjmë përfundimisht me atë komunitet. Edhe çfarë ngarkese do të ketë kompania edhe çfarë do të bëhet me industrinë e naftës. Ashtu siç kanë bërë vende të tjera të përgjegjshme, ky fenomen duhet studiuar për të dalë në konkluzionet nëse ka lidhje aktiviteti hidrokarbur me fenomenet e tërmeteve. Konkluzioni thashë është paraprak.

Asnjë shtet nuk mund të veprojë në mënyrë arbitrare dhe idioteske dhe të marrim masa të menjëhershme. Përkundrazi! Meqenëse e përmende vendimin dhe që duhet ta kishe përshëndetur, po të lexosh në vendim, pjesa e dëmshpërblimeve, e atyre 70 shtëpive që janë dëmtuar rëndë, gjysma përballohet nga qeveria dhe gjysma nga Bankers. Faji akoma nuk është përcaktuar përfundimisht dhe do ekspertizën ndërkombëtare që ne e kemi marrë. Sa për ta ditur shqiptarët, që në momentin që doli fenomeni dhe kur filluam pezullimin e operacioneve hidrokarbure në atë zone, përzgjodhëm 5 institute ndërkombëtare për të përzgjedhur një prej tyre. Zgjodhem Institutin Italian të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë që të sjellë ekspertët e tij për të investiguar fenomenin e operacioneve hidrokarbure, pra të kësaj teknologjie me lëkundjet e tokës, për të dalë me një konkluzion përfundimtar.

Nëse del në mënyrë shteruese, megjithëse ne besojmë se mund të ketë lidhje, pra nëse del që kjo ka lidhje patjetër që ne duhet të marrim masa konkrete. Masa të cilat mund të jenë ose reduktim të aktivitetit hidrokarbur në atë zonë ose ndryshim të çdo lloj aspekti teknologjik që mund të ketë lidhje me lëkundjet e tokës ose mbase edhe zhvendosje të banorëve kundrejt një kompensimi të drejtë që patjetër të gjitha këto shpenzime do ti paguajë kompania. Kjo është e shkruar qartë në marrëveshjen hidrokarbure dhe patjetër shteti do ta zbatojë këtë. Por, nuk mund të flitet këtu në mënyrë populiste dhe të dalësh e të hedhësh akuza të tilla pa parë se çfarë punë e mirë është bërë për të realizuar edhe këtë që kemi realizuar. Mbi të gjitha, qeveria tregoi përgjegjshmëri për të ndërprerë çdo lloj aktiviteti edhe me kosto ekonomike, në mënyrë që të parandalohej çdo lloj pasoje.

E dyta, të merremi pak me grevën, aspekte të grevës, se ju vetëm doni të mohoni se çfarë është bërë në këto 3 vite për një fenomen që thashë ka vite që ekziston dhe asnjë nuk ka guxuar të flasë madje njerëzit zhdëpeshin në dru dhe nuk i jepej një përgjigje. Ajo grevë, me një pjesë të tyre u manipulua. U financua nga një organizatë që drejtuesit e asaj organizate kanë qenë edhe drejtues të institucioneve që mbikëqyrnin naftën dikur. Njerëz që në atë kohë kur ishin tërmetet nuk e ngritën njëherë zërin. Përkundrazi, morën 7 veta peng sepse 400 banorë të tjerë nuk ju bashkuan atyre por plotësuan formularët e po bashkëpunonin me grupet e monitorimit për dëmshpërblimet. Pse nuk ia shtruat vetes pyetjen, ku ishin 400 banorë të tjerë? Përse 400 banorë të tjerë tek zyra e kryebashkiakes së Patozit po plotësonin formularët dhe po bashkëpunonin me grupet të cilët po monitoronin dëmtimet për të marrë shpërblimin?! Kush është e vërteta? 7 njerëz të manipuluar, të mbështetur edhe nga njerëz që duan të gjejnë kauzë politike, se ti nuk ke kauzë, ti je tipik njeriu që Zharrëzën nuk e dije megjithëse këto fenomene kanë qenë që më pare. Nuk të kam dëgjuar njëherë të flasësh atëherë në opozitë, meqenëse flet si opozitë tani por asnjëherë nuk e ngrite zërin. Përkundrazi, të doli një temë për të kapitalizuar dhe njerëzit që janë tipik populistë e nuk kanë dijeni nga shteti, marrin tema të ndryshme, bëjnë atë rokokonë e tyre për të qenë interesant tek njerëzit. Çdo njeri e bën atë.

Përkundrazi banorët e tjerë nuk u ngritën për këtë proces por besuan tek masat e qeverisë, bashkëpunuan me qeverinë dhe po prisnin daljen e vendimeve. Vendimet e qeverisë dalin pas konkluzioneve paraprake, nuk janë vendimet e qeverisë si ato ëndrrat që të vijnë në kokë, as si ide. Vendimi i qeverisë do një strukturë, do të dhëna paraprake, do konkluzione, do edhe faturë. Pikërisht këtë bëmë ne por 7 njerëz të manipuluar politikisht dhe të mbështetur edhe nga organizata jo qeveritare me financim për ti bërë presion qeverisë pasi ky është një plan më i thellë. Plani ishte të bllokoheshin institucionet shqiptare por qeveria patjetër reagoi në kohë sepse ishte në proces të punës së saj. Plani ishte për të mbledhur çdo plagë sociale që janë normale për një vend, në çdo vend demokratik ka plagë sociale. Synohej për të mbledhur grupe, për të bërë presion ndaj çdo ministrie të qeverisë shqiptare në mënyrë që të bllokohej puna. Dhe ky është plani i vërtetë. Këtë duan njerëz si ty apo opozitë si ata që janë në çadër, që çdo lloj pakënaqësie sado e vogël të jetë të mbledhë një grup dhe në formë presioni të gjunjëzojë qeverinë. Nuk qeveriset shteti kështu, as me njerëz si ty që thjesht bëjnë poezi këtu. Prandaj, minimalisht kur dole këtu duhet të kishe thënë se qeveria reagoi në kohë për herë të parë për një fenomen që ka 10 vjet.

Ti flet për sistemin hidrokarbur por nëse ne do të ishim të blerë nga Bankersi meqë thua kështu, a nuk ishim ne që në vitin 2014 ngritëm disa taksa të holluesit dhe të gjithë proceseve të tjera teknologjike që përdoren nga Bankersi dhe që praktikisht i sollën Buxhetit të Shtetit 40 milion dollarë më shumë çdo vit?! Po të ishim ne të blerë nga Bankersi, pse do të bënim audit ne dhe do të shkonim në arbitrazh ndërkombëtar duke e ngarkuar Bankersin me qindra milionë dollarë, duke pretenduar shpenzime të fryra në mënyrë që të evadoheshin taksat, tatim fitimi mbi shtetin shqiptar?! Sot që flasim, vetëm për vitin 2011, Bankers ka paguar 37 milion dollarë më shumë të cilat kanë vajtur në Buxhetin e Shtetit. Kjo qeveri ka treguar përgjegjshmëri. Qeveria nuk mund të bjerë pre e frymës populiste të njerëzve që janë të papërgjegjshëm, që meqenëse ka një tendencë anti-kapitaliste apo njerëz që vjen dikush dhe thotë ta sulmojmë industrinë sepse i tillë je dhe ti. O burra ti turremi kompanive ne me gjoba ti mbyllim, apo siç thoshte diku ta mbyllim fare naftën. Me llafe, se ke ti në dorë ta mbyllësh, as ne me dëshirat tona. Ajo do një qasje shumë të strukturuar që do të vijë, e thashë mbas konkluzioneve që do të dalin nga puna shkencore, jo nga vargje poetike që thuhen këtu në parlament. Puna shkencore është punë shkencore. Do djersë puna, do ulesh aty do bisedosh edhe me shkencëtar, do shohësh edhe anën ekonomike të çështjes, do shohësh edhe anën mjedisore dhe do të dalësh në konkluzion. Kështu bëhet shteti. Po është kollaj kështu të vish tek mikrofoni, shkruan aty, pi një gotë verë në darkë, madje edhe me njerëz që mund të jenë edhe ata kapitalistë se me ata rri dhe ti. Rri me elitën e Tiranës, merr ndonjë ide aty dhe vjen do ti bie unë atyre. Jo Blush, po ta them miqësisht se unë nuk dua të hy në replika personale. Që të kesh mbështetje të vërtet dhe nëse mendon se ndonjëherë do të bëhesh shtetar duhet të flasësh objektivisht. Të pranosh edhe atë që është bërë mirë, por patjetër edhe të na kritikosh për ato që nuk janë bërë mirë. Ky vendim ka pjesën e pranimit të asaj të mire që ti duhet ta bëje, jo ta bëje si poezi se ajo nuk të del nga shpirti, por pesë fjalë të mira mund ti kishe thënë për një gjë që nuk është bërë.

Së fundi, për sektorin hidrokarbur dhe për t’ia thënë qytetarëve në çdo vend të botës, edhe në Shqipëri, mendohet që kompanitë e naftës janë kompani që evadojnë, kanë shpenzime të fryra. Që kanë dobësi institucionet tona këtë nuk e mohojmë. Por, të paktën përpjekjet tona gjatë gjithë këtyre viteve janë shumë serioze. Mbi të gjitha, një shembull tjetër i qartë është modeli i ri i kontratave që po promovojmë. SHELL është kompania e dytë më e madhe në botë dhe e detyruam që me kontratën që po nënshkruan me qeverinë shqiptare, shteti që në fuqinë e parë përveç rentës do marrë edhe fitim. Pra, do ti njihen kostot hidrokarbure vetëm deri në 90% dhe në pjesën e mbetur, që në fuçinë e parë 5% shkojnë për shtetin e 5% për kompaninë. Kjo është një arritje e madhe e që normalisht meriton vlerësim. Këtë e bën vetëm një qeveri që nuk mund të jetë e kapur nga industria naftës, përkundrazi është një qeveri që e sheh industrinë e naftës si partner. E sheh si partner por edhe me syhapur për të qenë vigjilent që ato shpenzime të fryra, për shkak të modelit të keq të trashëguar që ne kemi, të mos i lejojmë të evadojnë por njëkohësisht të shkojnë më shumë para për Buxhetin e Shtetit.

Duhet pohuar që ne kemi hequr edhe koncesione abuzive. Kontrata e 2007 e 2008, ku e ke Stream Oil?! Qeveria e mori mbrapsht atë fushë. Pse?  Dështoi koncesionari. Bankers ka 100 mëkate dhe nuk diskutohet që ai është një proces, por duhet thënë që ka performuar nga ana industriale. Pra, e ka rritur prodhimin dhe e ka respektuar të gjithë pjesën e investimeve. Ku janë kompanitë e tjera?! Grupe njerëzisht që e zhvatën naftën!! Qeveria shqiptare i ktheu ato fusha në dobi të shtetit dhe do të shikojmë mënyrën më të mirë sesi do të operojmë, qoftë duke mbajtur Albpetrolin, por qoftë dhe në perspektivë për ti dhënë kompanive të cilat do performojnë. Këto janë aktet e vërteta të qeverisë. Qeveritë maten me vepra, jo me fjalë si puna jote. Ti thjesht bën romane, ti shkruan libër KM, ëndërron të jesh kryeministër e bën libra për të. E kupton?! Ti e sheh shtetin si poezi, qeverisja është prozë. Thonë se opozita është poezi, qeverisja është prozë. Tek ty është e kundërta. Tek pjesa e qeverisë s’ke lidhje fare me prozën, ti do të mbetesh gjithmonë poezi e bukur. Kaq!

Faleminderit!