Postuar më: 10 Prill 2017

Prezantohet në Kuvend projektligji për ratifikimin e marrëveshjes me TAP

Zëvendës Ministri i Energjisë dhe Industrisë z.Ilir Bejtja ishte sot i pranishëm në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e  Njeriut, ku prezantoi para deputetëve të pranishëm projektligjin  “Për ratifikimin e marrëveshjes së ndryshimit midis Republikës së Shqipërisë, duke vepruar nëpërmjet Këshillit të Ministrave dhe Trans Adriatic Pipeline ag lidhur me marrëveshjen me qeverinë e vendit pritës”.

 Z.Bejtja shpjegoi para të pranishmëve qëllimin e këtij projektligji, si dhe objektivat që synohen  të arrihen. Ai u shpreh se ky projektligj propozohet me qëllim ratifikimin e marrëveshjes nga ana e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

“Kjo marrëveshje është miratuar në parim nga Këshilli i Ministrave me Vendimin nr. 86, datë 8.2.2017 dhe është nënshkruar nga palët më datë 1.3.2017. Kuvendi me anë të ligjit nr. 116/2013, ka ratifikuar Marrëveshjen me qeverinë e vendit pritës ndërmjet Republikës së Shqipërisë, duke vepruar nëpërmjet Këshillit të Ministrave, dhe Trans Adriatik Pipeline Ag, lidhur me projektin e gazsjellësit Trans Adriatik (projekti TAP), si dhe Marrëveshjen ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave, dhe Trans Adriatik Pipeline AG, në lidhje me projektin e gazsjellësit Trans Adriatik . Projekti TAP është parashikuar të kalojë në territorin e tre shteteve dhe në këtë kuptim, marrëveshja me qeverinë e vendit pritës parashikohej të miratohej me secilën nga shtetet pritëse (Shqipëri, Greqi dhe Itali nëse do të ketë)”, u shpreh Zëvendës Ministri.

 Duke sqaruar përparësitë, problematikat, si dhe efektet e pritshme të këtij projektvendimi Z.Bejtja nënvizoi se komponent i përfitimeve nga implementimi i këtij projekti të rëndësishëm janë edhe përfitimet lokale, që përfaqësohen nga investimet që do të bëjë në interes të komunitetit lokal shoqëria TAP dhe përfitimet për zhvillimin e tregut të gazit në Shqipëri.

“Duke marrë në konsideratë se marrëveshja me qeverinë e vendit pritës ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe TAP ag, përfaqësonte marrëveshjen e parë të TAP me një shtet të vendit pritës, me qëllim që kushtet e kësaj marrëveshje të mos ishin më pak të favorshme se kushtet e marrëveshjeve që do të nënshkruheshin e miratoheshin nga Greqia, në një kohë më të vonë, palët, pra Republika e Shqipërisë e përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave dhe Shoqëria TAP a.g nënshkruan Marrëveshjen Krahasuese (Referuese) ose Benchmarking Agreement, e ratifikuar me ligjin 116/2013, ku në pikën 2 të saj u përcaktua që nëse marrëveshja me shtetin grek do të kishte parashikime që i siguronin Greqisë tarifa apo nivele tatimesh më të larta (me kusht që të mos jenë parashikuar si të tilla në legjislacionin e tyre të brendshëm), MQP të mund të ndryshohet nga palët, me qëllim përafrimin e saj me MQP-në e Greqisë për sa u përket çështjeve specifike financiare dhe tatimore në përputhje me parashikimet e Marrëveshjes Referuese”, sqaroi më tutje ai.

 Z.Bejtja tha se parashikohet që menjëherë pas datës së nënshkrimit të Marrëveshjes Krahasuese, palët do të angazhohen në mirëbesim dhe në mënyrë bashkëpunuese për hartimin e plotë të Marrëveshjes së Angazhimit për Zhvillimin e Tregjeve të Gazit dhe Marrëveshjes për përfitimet vendase.