Postuar më: 01 Maj 2017

Rama falënderon punonjësit e OSHEE për 1 majin: OSHEE është shndërrua në një kompani moderne

1 Maji, edhe pse ditë pushimi dedikuar Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, nuk është e tillë për ekipin teknik të OSHEE-së në Tiranë. 30 punonjësit e Brigadës së Tensionit të Lartë vazhdojnë edhe sot, remontin e linjës Lanabregas–nënstacioni i Pallatit të Kongreseve, e ndërtuar në vitin ’84. Kjo linjë prej 8.5 kilometra, ku 90% është ajrore, është një prej nyjeve të rëndësishme në sistemin e shpërndarjes së energjisë elektrike për Tiranën. Amortizimi e bën mirëmbajtjen të nevojshme për parandalimin e defekteve të mundshme.  Kryeministri Edi Rama ishte mes tyre, për t’i falënderuar për punën e përkushtuar në shërbim të qytetit, i shoqëruar nga ministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Olta Xhaçka dhe Administratori i Përgjithshëm i OSHEE, Ardian Çela. 

Nga mungesa ndër vite e investimeve, rrjeti elektrik i vendit në pjesën më të madhe të tij është pothuaj i njëjti që prej ndërtimit në vitin 1974. OSHEE, falë performancës pozitive të sektorit në dy vitet e fundit, ka rritur investimet në rrjet, por edhe për mirëmbajtjen e rrjetit ekzistues për të shmangur defektet dhe ndërprerjen e energjisë. Aktualisht, 830 punonjës janë duke operuar në të gjithë territorin e vendit për kryerjen e remonteve. Investimet në remont kanë përfshirë gjithë zonën bregdetare, nga Velipoja në Sarandë.

“Kjo është një nga linjat kryesore për qytetin e Tiranës. Është linja e vitit ‘84. Po e bëjmë me fuqinë punëtore të OSHEE. Bën pjesë në programin e remonteve, që kap vlerën e 2 miliardë lekë, të ardhura të kompanisë, për të gjithë vendin. Në gjithë territorin e Shqipërisë janë 830 punonjës që po bëjnë remonte. Aktualisht jemi duke bërë remontet e zonës bregdetare, në mënyrë që me fillimin e sezonit turistik të jemi të gatshëm. Për pjesën tjetër të vendit brenda tetorit t’i kemi përfunduar këto remonte. Në sajë të këtyre remonteve, ne kemi ulur me 50% numrin e defekteve dhe me 80% është ulur numri i ndërprerjeve,” – informoi mbi rezultatet e deritanishme, administratori Çela.

OSHEE, theksoi Çela, ka ndjekur po ashtu një strategji të re për rekrutimin, trajtimin financiar dhe kujdesin ndaj punonjësve. Në viti 2017, për të dytin vit aplikohet sigurimi në punë i punonjësve, falë kontratave të lidhura me kompani sigurimi.

“Është vitit i dytë që të gjithë punonjësit e terrenit, mbi 3500 punonjës sigurohen ndaj aksidenteve që ndodhin në punë. Kompania i mbulon të gjitha shërbimet mjekësore, brenda dhe jashtë vendit, për rastet kur punonjësit janë aksidentuar në punë. Bëmë sistemimin dhe rritjen e pagave të të gjithë punonjësve në terren, ku paga minimale nga 250 mijë lekë [të vjetra] për punonjësit e pakualifikuar kaloi në 350 mijë lekë dhe për gjithë stafin teknik të mesëm shkoi në 550 mijë lekë. Kemi trajnuar mbi 5500 punonjës. Kemi rekrutuar vetëm gjatë vitit 2016, mbi 82 inxhinierë elektrikë.”

Ndryshimi i modelit të administrimit, investimet në rrjet, qasja e re në trajtimin e burimeve njerëzore, sipas Kryeministrit Rama, po e shndërrojnë OSHEE në një kompani moderne. Po ashtu, Kryeministri garantoi vazhdimin e masave të qeverisë në mbështetje të kategorive të ndryshme sociale.  

“Për familjet që janë në ndihmë ekonomike, ne bëjmë një kompensim të plotë të të gjithë diferencës pas heqjes së fashës mbrojtëse. Është 19 milionë dollarë në vit nga buxheti i shtetit që shkon për këto familje dhe për gjithë kategoritë e tjera, të cilat prezumohet të mbroheshin nga fasha 300 k/Ë. Sot, askush nga ata nuk ndjen rritje të çmimit të energjisë, ndërkohë për fasha të tjera, çmimi i energjisë është ulur. Janë bërë zerime kamat vonesash masivisht, duke kontribuar të gjithë sëbashku që të bëhen të gjithë investime të mëdha dhe të fillojë ripërtëritja e një rrjeti shumë të vjetër. Për ne është shumë e rëndësishme që kompania të vazhdojë të përmirësojë standardet dhe të gjitha nivelet e trajtimit të punonjësve në funksion të përmirësimit të cilësisë dhe të vazhdojë të transformohet nga një ushtri militantësh që thjesht ushqeheshin, duke mos ofruar dot kompania asnjë lloj shërbimi, në një kompani moderne që duhet të jetë akoma më shumë, një nga krenaritë e vendit tonë.”

Ministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Olta Xhaçka falenderoi punonjësit e OSHEE, por edhe të gjithë ata që sot janë në krye të detyrës, duke siguruar se akoma më shumë do të bëhen në mbështetje e mbrojtje të punës së tyre, si dhe të kategorive të tjera vulnerabël.

“Dua të falënderoj të gjithë këta punonjës që bëjnë një punë të jashtëzakonshme, edhe sot që është ditë pushimi për gjithë të tjerët. Edhe ne në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë kemi bërë shumë. Kemi ofruar kompensimin e energjisë elektrike për 90 mijë pensionistë. Ka shumë punë për të bërë edhe për kategori të tjera në nevojë. Edhe me Inspektoratin e Punës kemi arritur që aksidentet në punë të ulen në masën 50%. Ne jemi shumë të angazhuar që në mandatin tjetër të arrijmë t’i shtrijmë këto arritje edhe shumë më tepër, edhe në kategori të tjera.”