Postuar më: 25 Mars 2017

Rilindja e infrastrukturës energjetike në Golem

Golemi, zona më e populluar gjatë sezonit turistik, nuk do të vuajë më ndërprerjen e energjisë elektrike. Ka përfunduar rikonstruksioni i nënstacionit të Golemit 110/20kV, që jep siguri të plotë në furnizim me energji për të gjithë zonën nga Plepat deri në Shkëmbin e Kavajës në Golem. Jo vetëm ndërprerjet e energjisë, por edhe luhatjet e tensionit u kishin shkaktuar shpesh dëme në pajisje 9 mijë abonentëve. Vendosja e transformatorit të ri, me tre nivele  tensioni, zgjidh edhe këtë problem, duke rritur cilësinë e parametrave të furnizimit me energji elektrike, me standarte të reja teknike. Furnizimi bëhet me fidera të rinj dalës 20kV dhe lidhja në unazë me fiderat nga Kavaja dhe Shkozeti, për t’i lehtësuar nga ngarkesat e tyre. Ndërkohë ka nisur faza e dytë, ku investimi po shtrihet në gjithë zonën bregdetare nga Shkëmbi i Kavajës deri në Qerret. Ky investim që shkon në total 900 milionë lekë zhvillon një infrastrukture elektrike të përshtatshme për gjithë zonën bregdetare, që jo vetëm  garanton një shërbim cilësor duke filluar nga ky sezon turistik, por parashikon zhvillimin afatgjatë të Golemit si zonë turistike.

“Dy fiderat e parë mbarojnë në korrik dhe brenda vitit mbarojnë edhe 4 të tjerët, që përfshijnë nga Rreth Plepat deri në plazhin e Qerretit. Hyjnë në punë këto fidera dhe kalojnë për muze të vjetrit. Janë automatike, sistem skada, manovrohen dhe komandohen online, komandohen edhe nga Qendra në Tiranë. I gjithë investimi në total shkon 900 milionë lekë të reja. Ky investim përfshin 60 kabina, 36 km kabull dhe përfitojnë mbi 9000 abonentë. Përveç kësaj, në zonën e Kavajës dhe në fshatrat përreth kemi investuar dhe 2.6 milionë euro të tjerë. Banorët e zonës turistike dhe banorët e zonës së Golemit deri në plazhin e Qerretit nuk do të kenë më probleme me energjinë elektrike,” – shpjegoi investimin drejtori i OSHEE, Ardian Çela.

Në zonën e plazhit, investimet janë shtrirë krahas rrjetit të shpërndarjes së energjisë, edhe në rrjetin e ujësjellës-kanalizimeve dhe transformimit të hapësirave urbane. Një projekt kompleks që, siç e vlerësoi Kryeministri, transformon të gjithë infrastrukturën turistike të zonës.  

“Është një projekt kompleks, që ka gjithë ripërtëritjen e rrjetit të furnizimit me energji të zonës, por ka dhe gjithë ripërtëritjen e rrjetit të ujësjellës- kanalizimeve në gjithë zonën e plazhit. Kemi disa projekte të tjera që fillojnë tani, për të rehabilituar gjithë rrugët midis godinave në plazh, nga Durrësi deri në Golem, në mënyrë që t’i japim atë energjinë e Rilindjes Urbane dhe të kemi një transformim rrënjësor nga pikëpamja e cilësisë së ambientit. 20 e kusur vite duke bërë turizëm me gropa septike dhe duke hedhur të gjithë ujërat e zeza në det, ka qenë një katastrofë. Këtu deri në 2015-n nuk ndizeshin dritat,” – u shpreh Kryeministri. 

Impakti i këtij investimi, sipas administratorit të komunës Golem, është shumë i madh dhe sëbashku me impiantin e ujërave të zeza në përfundim zgjidhen dy nga problemet e mëdha të zonës. “Tensioni ka qenë i dobët në të gjithë zonën. Investimi ka një impakt të madh. Zgjidh një nga 3 hallet e mëdha që ka zona, zgjidh përfundimisht transmetimin  e energjisë elektrike. Edhe impianti i ujërave të zeza është duke përfunduar, vetëm loti i fundit  është, nga fundi i plazhit deri tek Përroi  i Agait”.

Kryeministri nënvizoi se edhe për këtë zonë po ndërmerren investime që nuk janë bërë në 40 vjet, ndërkohë që ka qenë e nevojshme rishikimi nga e para i projekteve për shkak të mungesës së cilësisë.

“Rilindje në kuptimin e vërtetë të fjalës, nga pikëpamja e infrastrukturës së energjisë dhe infrastrukturës së ujësjellës-kanalizimeve. Këtu as drita, as uji dhe ujërat e zeza derdheshin në det dhe në gropa septike. Sigurisht që ka kërkuar kohën e vet. Ka dhe pak kohë që duhet të bëjnë durim njerëzit, sepse nuk mund të bëhen dot brenda ditës. Janë projekte që kanë pasur nevojë që të rishikohen nga e para. Janë investime që nuk janë bërë 40 vjet.”