Postuar më: 29 Tetor 2017

Shpallja e rezultatit të procedurës konkurruese për ndërtimin e HEC-it “Kalivaç”

Komisioni i dhënies me koncesion për ndërtimin, shfrytëzimin dhe transferimin tek Autoriteti Kontraktor të hidrocentralit “Kalivaç” ka përmbyllur procedurën e garës duke shpallur fitues bashkimin e përkohshëm të shoqërive “Ayen Enerji” A.Ş. dhe “Fusha” sh.p.k.  

Gara u zhvillua përmes një tenderi të hapur ndërkombëtar dhe të njoftuar në një gazetë ndërkombëtare për një periudhë 7 ditësh.

Në procedurën konkurruese, ministria vendosi kritere specifike të vlerësimit të ofertave më qëllim minimizimin e impaktit mjedisor për përmirësimin e projektit të mëparshëm, duke marrë në konsideratë vërejtjet dhe sugjerimet e bëra nga grupe të ndryshme interesi. Ju kushtua rëndësi e veçantë aspekteve të impaktit në mjedis të projektit, si në drejtim të sipërfaqes që do të preket duke synuar zvogëlimin e saj, ashtu dhe në planifikimin e masave për uljen e impaktit në rrjedhën ujore, duke planifikuar ndërtimin e rrugëkalimit për peshqit me anë të një Bypass-i të posaçëm. 

Në zbatim të Ligjit nr. 125/2013 “Për koncesionet dhe partneritetin publik-privat”, i ndryshuar; VKM nr.575, datë 10.7.2013 “Për miratimin e rregullave të vlerësimit dhe të dhënies së koncesioneve/partneritetit publik-privat” dhe të Dokumentave Standarde të koncesionit, Komisioni ka administruar tre oferta për këtë procedurë konkuruese.

Në përfundim të afatit të vendosur, paraqitën ofertat:

·         Shoqëria “Doko” sh.p.k.

·         Bashkimi i Përkohshëm i Shoqërive “Favina” sh.p.k. dhe “Gener2” sh.p.k.

·         Bashkimi i Përkohshëm i Shoqërive “Ayen Enerji” A.Ş. dhe “Fusha” sh.p.k.

 

Në përfundim të vlerësimit të ofertave, Komisioni klasifikoi në vend të parë duke e shpallur fitues të kësaj procedure Bashkimin e Përkohshëm të Shoqërive “Ayen Enerji” A.Ş. dhe “Fusha” sh.p.k.

Hidrocentrali ka një vlerë investimi të  parashikuar 125,3 milion euro (pa TVSH), prodhimi vjetor i  energjisë parashikohet të arrijë në 366,622,856 kWh; fuqia e instaluar 111,000 kW ndërsa koha e zbatimit të punimeve 30 muaj pas marrjes së lejes së ndërtimit.

 

Karakteristikat e hidrocentralit:  

Prodhimi vjetor i energjisë elektrike                                       366,622,856 kWh

Fuqia e instaluar e përcaktuar me prurjen llogaritëse             111,000 kW

Vlera e investimit të parashikuar                                            125,3 milion Euro

Koha e zbatimit të punimeve                                                  30 muaj