Postuar më: 06 Nëntor 2017

Shqipëri-Slloveni, bashkëpunim në fushën e infrastrukturës

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë z. Damian Gjiknuri priti në takim një delegacion nga Sllovenia të kryesuar nga Ministri për Zhvillimin Ekonomik dhe Teknologjinë z. Zdravko Pocivalsek.

Gjatë takimit të dy delegacioneve diskutimet u përqëndruan tek niveli aktual i bashkëpunimit mes dy vendeve dhe gjetja e rrugëve për të shtuar flukset ekonomike.

“Me Ministrin e Ekonomisë së Sllovenisë patëm një takim shumë të frytshëm ku diskutuam për disa çështje, të ngritura në nivelin e dialogut qeveritar për qeverinë sllovene. Siç është së pari njohja e patentave shqiptare në Slloveni. Gjithashtu, kërkesa që ka Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për krijimin e një linje të lidhjes së tragetit mes Koperit dhe Durrësit. Diskutuam edhe për projekte konkrete që lidhen me eficencën e energjisë apo trajtimin e mbetjeve ku pala sllovene ka ofruar gatishmërinë për të dhënë ekspertizë e pse jo edhe financime të mundshme për këto projekte”, u shpreh Gjiknuri.

Më tej, ai shtoi se me Slloveninë ekzistojnë shumë mundësi bashkëpunimi që duhen eksploruar edhe në kuadër të investimeve strategjike bizneset sllovene mund të kenë rëndësi.

Ministri slloven shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me palën shqiptare për njohjen e patentave shqiptare ashtu sikurse edhe për menaxhimin e mbetjeve.

“Diskutuam shumë çështje të rëndësishme për politikat investuese në të dyja krahët. Ka edhe disa çështje problematikë për dy palët. Së pari duhet të njohim patentat shqiptare pasi ju e njihni patentën sllovene ndaj duhet ta zgjidhim sa më shpejt. Çështja e dytë është menaxhimi i mbetjeve dhe ne mund të shohim mundësi bashkëpunimi në këtë nivel. Kemi njohuritë e nevojshme dhe eksperiencën për ta ndarë me palën shqiptare”, theksoi ministri slloven.

Më tej, ai shprehu dëshirën për të thelluar mundësitë e bashkëpunimit edhe përmes pjesëmarrjes në investime në fushën e hidroenergjetikës.