Postuar më: 21 Nëntor 2017

Takimet në Podgoricë, Gjiknuri: Nis puna për fizibilitetin e autostradës Adriatiko-Joniane

Gjatë vizitës zyrtare në Podgoricë, Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri zhvilloi bisedime bilaterale me Ministrin e Transportit dhe Marinës Osman Nurkovic dhe Ministren e Ekonomisë Dragica Sekulic. 

Ministrat nënvizuan faktin se tashmë ka filluar puna për kryerjen e një Studimi të Fizibilitetit për autostradën Adriatiko-Joniane. Nga ky studim pritet kryerja e një analize të detajuar mbi investimin e mundshëm, prioritetet e ndërhyrjes, me qëllim bërjen e një projekti financiarisht të mundshëm për t’u mbështetur.  

“Diskutuam në lidhje me projektet e infrastrukturës rrugore ku të dyja vendet kanë si projekt prioritar autostradën Adriatiko-Joniane. Kemi marrë financimet e nevojshme për të bërë studimin përfundimtar të fizibilitetit. U njoha edhe me projektet e zhvillimeve infrastrukturore në Malin e Zi që ndikojnë drejtpërdrejtë edhe në lidhjen me Shqipërinë. Ngrita problemet që kërkojnë vëmendjen e palës malazeze për kompletimin e rrugëve të tjera dytësore që lidhin pika të tjera kufitare me Shqipërinë”, theksoi ministri Gjiknuri. 

Më tej, ai u ndal tek përpjekjet për krijimin e pikës së përbashkët kufitare edhe në Han të Hotit, njësoj siç tashmë funksionon në Muriqan. 

“Ka hapa konkret dhe besoj se shumë shpejt edhe kjo gjë, me angazhimin e qeverive dhe institucioneve përkatëse do të bëhet realitet. Gjithashtu, na u prezantua nga ana e palës malazeze edhe me njëprojekt zhvillimor për gjithë pjesën e liqenit të Shkodrës, një projekt të integruar ku përfshihen edhe elementët e turizmit, bujqësisë, navigimit. Mendoj se ky është një projekt që duhet ta shtyjmë përpara”, nënvizoi Gjiknuri.

Në takimin me Ministren e Ekonomisë që mbulon dhe pjesën e energjetikës,  Gjiknuri u ndal tek angazhimi për projektin e përbashkët të gazsjellësit Jonian Adriatik Pipeline (IAP).

“Kemi vendosur që nga faza e krijimit të një njësie të përbashkët të kalojmë në fazën për krijimin e një kompanie të përbashkët për projektin IAP. Në këtë mënyrë mund ta promovojmë tek investitorët e mundshëm dhe besoj se shumë shpejt kjo gjë do të konkludohet përpara mbledhjes së qeverive të dy vendeve që është parashikuar për në pranverën e ardhshme”, theksoi Gjiknuri.