Postuar më: 08 Nëntor 2017

"Buxheti 2018 garanton zhvillimin e infrastrukturës"

Fjala e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknurit në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin​, për buxhetin e MIE:

Unë si ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë do të fokusohem te disa pika kryesore që kanë të bëjnë me buxhetin e sektorëve të cilët mbuloj. Unë do bëj një përmbledhje shumë të shkurtër dhe një analizë të atyre se si janë në funksion të objektivave të cilat i ka vënë vetes qeveria. Mendoj që për sa i përket mbështetjes në infrastrukturën rrugore dhe ujësjellësa kemi një rritje të dukshme të investimeve në këtë buxhet, dhe po të shikojmë stokun total të investimeve qoftë ato të huaja apo të vendit, për vitin 2018 shkojnë te një vlerë rreth 420 mln $ ose 43 miliardë lekë, është vlera më e madhe e investimeve e mbledhur së bashku krahasuar me vitet e kaluara. Kjo vjen si rezultat i dy gjërave, për mendimin tim, së pari për një stabilitet më të mirë ekonomik, dhe një mundësi më të mirë të të hyrave të shtetit që bën të mundur menaxhimin e një buxheti më të qëndrueshëm dhe së dyti prioritetin që i ka vënë qeveria shqiptare infrastrukturës rrugore dhe infrastrukturës në përgjithësi, qoftë edhe ujësjellësat apo edhe pjesa tjetër që janë infrastrukturë energjitike, gjë që janë vazhdim i programeve të nisura të qeverisë gjatë kohës që drejtoja Ministrinë e Energjitikës. Me këtë buxhet bëhet e mundur hapja e disa projekteve të reja, mbyllja e projekteve të nisur, dhe këtë dua ta theksoj sepse në Shqipëri kemi pasur një qasje disi të fragmentuar, pse jo edhe shpesh herë thuajse elektorale të shpërndarjes së investimeve, ku investimet nuk shkonin te rrjetet kryesore rrugore por shpërndaheshin nganjëherë edhe në rrugë të cilat nuk kanë impaktin e menjëhershëm ekonomik apo nuk japin rezultatin e menjëhershëm në buxhetin e shtetit. Për të mos thënë që ndonjëherë bëhej e pamundur të financoheshin këto rrugë dhe fatkeqësisht Shqipëria ka qenë dëshmitare e stokut të madh të borxhit që krijohej në rrugë të papërfunduara dhe projekte të cilat vazhduan me vite. Kuptohet një pjesë e defekteve kanë ardhur edhe si shkak i keqplanifikimit të projekteve jo shumë të mira jo shumë të plota që shpesh herë sjellin problem edhe gjatë zbatimit dhe kostove të larta të paparashkuara të shpronësimeve. Mendojmë që me buxhetin aktual, ne do bëjmë të mundur mbylljen e gati te gjithë kantierëve të hapur gjatë viteve të mëparshme dhe të fatkeqësisht nuk kishin përfunduar, dhe këtu mund të them janë disa akse kryesore, do bëjmë të mundur mbylljen e pjesës së mbetur nga Kukësi deri në kufi, pra pjesë e autostradës e cila ka mbetur e papërfunduar, pjesa tjetër do të përfundohet në bazë të kontratës koncensionare dhe shume shpejt do të fillojë edhe aktivizimi i atyre pagesave që janë pjesë e kësaj kontrate, ndërkohë që investimet kanë filluar dhe do të kryhen në kohë. Buxheti do të bëjë të mundur hapjen e disa kantiereve të reja shumë të rëndësishme për lidhjet, nyjet kryesore të transportit rrugor, siç është edhe mundësia për vazhdimin e një pjese të unazës, sidomos nyja që lidh nga ish-fabrika e birrës, pra nyja që lidhet me pjesën e unazës së sapopërfunduar me sheshin Shqiponja, që edhe ajo fatkeqësisht është kthyer në një hink, pasi pjesa tjetër e unazës ka përfunduar që vjen nga rruga e Elbasanit. Dhe shumë shpejt, vitin tjetër, qytetarët që do të udhëtojnë nuk do të kenë më atë problemin në vitet e ardhshme pasi të përfundojë kjo vepër, që krijohet një trafik i rënduar në atë pjesë, pra pas daljes nga unaza te mbikalimi para se të shkoni te Qyteti i Nxënësve. Nga ana tjetër do bëjmë të mundur të hapim kantiere të reja, siç është by pass i Tepelenës duke përfunduar gjithë segmentin nga Levani deri në Kakavijë, dhe ky është një segment shumë i rëndësishëm. Do të bëjmë të mundur vazhdimin e lotit të dytë Korçë – Ersekë, duke e lidhur përfundimisht Ersekën me një rrugë me transport modern duke e lidhur me pjesën tjetër të rrjetit kombëtar të rrugëve. Do të përfundojmë kantierët e nisura siç është Lin – Pogradec, përfshi edhe tunelin që do të bëhet në hyrje të Pogradecit, si edhe të gjitha veprat e nisura dhe që fatkeqësisht kanë mbetur prapa për shkak ndonjëherë të mungesës së likuiditetit por shpesh herë edhe projekteve jo të bëra mirë. Nga ana tjetër ky buxhet mundëson edhe lidhjen e kontratave për by passin e Vlorës dhe by passin e Fierit, këto nyje kaq të rëndësishme që janë kthyer në gangrenë te madhe për transportin rrugor. Dhe besoj nëse ne do bëjmë të mundur të lidhim një kontratë deri në fillim të vitit tjetër do të ushtrojmë të gjithë trysninë e nevojshme që të paktën njëri nga segmentet të jetë funksional për periudhën verore, dhe për këtë do bëjmë çmos, dhe shpresoj që edhe kontraktori që do të fitojë ti ketë kapacitetet e duhura dhe mos përfundojë siç përfundoi ajo vepër që fatkeqësisht edhe ajo mbeti rrugëve. Nga ana tjetër do të vazhdojmë edhe mbështetjen financiare për PPP-të e mundshme që do të lidhim në të ardhmen, dhe këtu besoj publiku e ka marrë vesh që ne kemi shpallur fitues për rrugën e Arbrit një nga kompanitë e cila ka marrë pjesë në garë dhe ka bërë ofertë, jemi duke negociuar fazën finale të kontratës, dhe besoj vitin tjetër edhe kjo rrugë do të fillojë, do të investohet dhe do të bëhet realitet në krye të disa vjetëve. Gjithashtu rruga duhet të deklarohet për qytetarët shqiptarë me gjithë një shtesë fondi që kërkohet prapë, dhe dua ta  theksoj këtë, ne po bëjmë edhe një audit final për mënyrën se si është administruar projekti i rrugës Tiranë-Elbasan sepse ka patur problem si projekt, por nëse do të ketë nevojë për një financim shtesë. Janë gjëra që duhet të ishin bërë kohë më parë dhe fatkeqësisht administrata nuk i bëri kur duhet, por personat përgjegjës kanë përgjegjësitë e tyre, ne po punojmë në këtë drejtim, për qytetarët shqiptarë ajo c’ka është me interes por edhe për ju mbi të gjitha si deputetë, është që edhe kjo rrugë duhet të përfundojë brenda vitit tjetër.  Pra, do të sigurohet kredia shtesë dhe rruga do të përfundojë brenda 6 mujorit të parë të vitit tjetër dhe rruga Tiranë – Elbasan dhe po fillojmë projektin bashkë me drejtorinë e rrugëve për krijimin e një nyje moderne tek kryqëzimi i TEG-ut shumë shpejt do të bëhet lidhja edhe me pjesën tjetër të unazës nga TEG-u në drejtim të Farkës, që është edhe ky një segment i përfunduar, sepse edhe ajo nyje kërkon një zgjidhje moderne përsa i përket trafikut, sepse ai rreth rrotullim ka krijuar probleme në trafikun rrugor dhe meriton edhe ajo një ndërhyrje infrastrukturore. Nga ana tjetër pra e thënë në përgjithësi, qasja e qeverisë shqiptare, nga pikëpamja strategjike, dhe në fund të fundit ju si deputetë do të bëni pyetjen si përputhet kjo me objektivat e qeverisë sa i nevojshëm është ky buxhet sa  e bën të mundur arritjen e këtyre objektivave. Për ta pasur të qartë buxheti është i shtuar për investimet, bën të mundur realizimin dhe mbylljen e veprave të nisura të akseve kryesore kombëtare. Fokusi i investimeve do të jetë në akset kryesore kombëtare, do të thotë që nuk do të fillojmë më me rrugë periferike, e gjithë pjesa e Shqipërisë ka rëndësi, dua që mos keqkuptohem në këtë drejtim, por është krejt normale në zhvillimin e infrastrukturës do ta fillosh nga arteriet kryesore të vendit, më pas do shtrihesh në pjesët që janë më periferike, ndryshe do të fragmentoheshin në mënyrë të tillë projektet publike që nuk do të sillnin asnjë rezultat përkundrazi do të mbeteshin në vend dhe asnjëherë Shqipëria nuk do të kishte një rrjet modern rrugor. Rrjeti modern rrugor nuk do parë vetëm në planin e kalimit të rrugëve thjesht në lehtësimin e trafikut mes qytetarëve por duhet ta lidhim edhe me ekonomitë detare. Po kanë shans portet tona është se ato do të jenë të lidhura me rrugët ndërlidhëse të Ballkanit, të rajonit më shumë deri në Europë. Prandaj investimet në korridorin Jonian-Adriatik marrin një përparësi shumë të madhe, për këtë ka shprehje interesi për të përfunduar segmentet e këtij korridori, të paktën në pjesën shqiptare nga kompani të interesuara private shqiptare apo edhe të huaja të cilat përmes skemës së PPP do të bëjnë të mundur të mundur përfundimin e segmentit nga Miloti deri në Kashar. Kashar-Rrogozhinë e cila edhe këtu ka interes për t’u bërë një projekt koncensionar privat, madje edhe me riskun e investitorit privat nëpërmjet pagesës së rrugës, vazhdimi i rrugës nga Miloti në Balldren, pra pjesa tjetër e segmentit, me qëllim që ne si shqiptar, në vitet e ardhshme të kemi mundësi të krijojmë një rrjet modern  rrugor. Kjo do ti japë një mundësi të mëdha porteve tona. Pra lidhja me Kosovën, nesër më vonë me Serbinë por edhe me Malin e Zi do t’i japë mundësi jo vetëm turizmit por mbi të gjitha edhe ekonomisë detare, që për mendimin tim Shqipëria e ka të nënshfrytëzuar. Gjithashtu po punohet për studime fizibiliteti në drejtimin e hekurudhave, edhe kjo është një fushë që ka mbetur shumë mbrapa në Shqipëri, një nga projektet prioritare është projekti me BERZH-in për ndërtimin e rrjetit modern hekurudhor  Tiranë  - Rinas – Durrës, por jemi duke diskutuar  edhe me Bashkinë e Tiranës për të bërë edhe një lidhje të brendshme të rrjetit hekurudhor duke u kthyer edhe si një rrjet i brendshëm transporti për një pjesë të qytetit të Tiranës, dhe kjo do të jetë investimi i parë serioz në fushën e hekurudhave  dhe ka projekt fizibiliteti që do të kryhen për ndërlidhjen e Shqipërisë me Maqedoninë dhe me Greqinë. Transporti hekurudhor është transporti më i lirë nëse në do të kemi mundësi të paktën të përmirësojmë rrjetin tonë dhe ta lidhim atë me rrjetin europian duke thithur edhe investime të huaja ka mundësi që ekonomia detare e jonë të marrë më shumë vlerë, sepse në fund të fundit rritja ekonomike e Shqipërisë do të vijë vetëm nga integrimi i ekonomisë shqiptare dhe kthimi i Shqipërisë në një treg jo vetëm shqiptar por rajonal, sepse vetëm si Shqipëri do të ishte e pamundur të realizonim një rritje të shpejtë ekonomike pa u integruar edhe me  ekonominë rajonale dhe europiane, ku Shqipëria të luante rolin e saj. Nga ana tjetër do të vazhdojmë investimet e nisura në ujësjellës kanalizime, ka projekte të mira, por ka projekte të dështuara edhe aty, duhet ta them, edhe në drejtorinë e ujësjellës kanalizime po kryej një audit të plotë për projekte të cilat fatkeqësisht nuk kanë dhënë rezultatet e duhura megjithëse janë përdorur shumë para të publikut shqiptar aty nëpërmjet kredive, kjo është një çështje që unë s’dua ta paragjykoj por dua ta lë procesin deri në fund, por ne do të mundësojmë edhe investimin  e një pjese të ujësjellësve qoftë edhe duke hapur disa projekte të reja. Kuptohet skema e financimit do të jetë një skeme financimi 2-3 vjeçare edhe tek rrugët edhe tek ujësjellësat, duke bërë të mundur hapjen e disa projekteve të reja për ujësjellësa  në vende të ndryshme nisur edhe sepse ujin e kemi vënë theks si qeveri, reforma e ujit është shumë e rëndësishme dhe disiplinimi i përdorimit të ujit, faturimi i ujit, mbledhja arkëtimi dhe fuqizimi  ekonomik i ujësjellësave do të bëjë të mundur që Shqipëria të ketë një rrjet modern të ujësjellës kanalizimeve, është një nga sfidat e mëdha që ka ky vend.  Ky vend ka ujë po njëkohësisht ka edhe një rrjet të degraduar ka edhe një sjellje jashtëzakonisht të patolerueshme, fatkeqësisht të gjithë jemi shkaktarë të saj, që uji konsiderohet një mall pa vlerë nuk paguhet, asnjë nuk e vret mendjen për ujin. Që të kemi një rrjet modern uji duhen milion e miliona  euro investime, këto do të paguhen vetëm nga një mirëadministrim i ujit në Shqipëri. Nga ana tjetër me  këtë buxhet mundësohet edhe financimi i objektivave që ka qeveria përsa i përket mbetjeve urbane. Ju e dini që tashmë janë ngritur disa impiante dhe janë në proces të ndërtimit e sipër apo në fazën studimore disa projekte për landfille të reja, siç është landfilli i Vlorës, apo landfille të tjera të cilat janë kontraktuar nga qeveria shqiptare, përfshirë edhe ngritjen e impianteve të përpunim të plehrave. Me këtë buxhet do të bëhet e mundur vazhdimi i këtyre investimeve, qoftë si fonde të kundërpartit lokal nga ana e qeverisë shqiptare, qoftë edhe si mbështetje për partneritetin publik privat për ato pagesa që i ka marrë përsipër qeveria shqiptare. Pra edhe objektivat e mbetjes urbane kanë një realizim të kënaqshëm, megjithëse jemi në fazat e para dhe është një nga sfidat shumë të mëdha që ka Shqipëria përsa i përket trajtimit të mbetjeve urbane, dhe do të jetë një sfidë e vazhdueshme e shoqërisë shqiptare edhe në të ardhmen sepse ka kostot e saj. Nga ana tjetër mbështetja për energjinë do të vazhdojë, ky vit ka qenë një vit jo I mirë nga pikëpamja hidrike dhe patjetër ka krijuar një krizë të prodhimit të energjisë elektrike, gjë që i ka kushtuar financave të shoqërive energjitike goxha, mund të them një vlerë jo më pak se sa mbi planet e shpenzimeve të tyre, një vlerë jo më pak se 70-80 mln euro, të cilat një pjesë e vogël mund të jenë përballuar edhe me mbështetje nëpërmjet kredive nga buxheti i shtetit, por pjesa tjetër është përballuar nga vetë shoqëritë energjitike shqiptare, dhe ky është një test i reformës, sepse në kushte të tilla këto para do të merreshin tërësisht nga buxheti i shtetit dhe kompanitë do të ishin në një mungesë totale të operacionalitetit nga pikëpamja ekonomike pasi të gjitha burimet e nevojshme financiare do të shkonin vetëm për importin e energjisë. Kjo është një sfidë afatgjatë e qeverisë shqiptare për të adresuar problemet e klimës. Ju e dini që ne kemi lançuar programe të ndryshme të diversifikimit përfshirë edhe burime të tjera alternative të energjisë pse jo shumë shpejt,  fillimin e vitit tjetër, do të hapim edhe tenderin për koncensionin për vënien në punë të TEC-it të Vlorës, dhe kjo do të shtojë portofolin e prodhimit të energjisë në Republikën e Shqipërisë duke krijuar më shumë garanci për furnizimin. Pra, të gjitha këto objektiva që kemi, unë nuk po i listoj pasi ministria që mbuloj ka gati 17 fusha përgjegjësie, por po fokusohem te fushat kryesore të cilat kanë një impakt, direkt të dukshëm te qytetarët dhe investimet në fushën energjitike sidomos në infrastrukturën energjitike, interkonektiviteti me Maqedoninë bëhet e mundur dhe vitin tjetër ne do të fillojmë ndërtimin e veprës ndërlidhëse mes Shqipërisë dhe Maqedonisë për krijimin e një rrjeti modern për shkëmbimin e energjisë elektrike, gjë që bën përfundimisht lidhjen e Shqipërisë me të gjitha vendet e rajonit përsa i përket pikëpamjes energjitike dhe i jep mundësi prodhimit të energjisë shqiptare për të eksportuar në vende të tjera apo krijimit të bursës për të cilën ne po punojmë, krijimin e bursës së energjisë elektrike këtu në Shqipëri. Me pak fjalë këto janë disa objektivat kryesore që kemi në të gjitha fushat që unë preka, por dua ta ritheksoj atë që thashë pak më parë, buxheti mbështet objektivat kryesorë të qeverisë, qasjen tonë të përfundojmë rrugët e nisura të hapim investime në rrugë të reja, të cilat janë pjesë e netëorkut kryesor shqiptar dhe që e ndihmojnë atë të lidhet me rrugët e tjera rajonale europiane të Shqipërisë, kjo do të jetë moto jonë e investimeve: Kapital privat aty ku është e mundur me Partneritet Publik Privat, kapital shtetëror në ato projekte që do të financohen direkt nga buxheti i shtetit dhe që kërkojnë një përfundim të shpejtë të këtyre projekteve. Mendoj që asnjë ministër i infrastrukturës apo i energjisë s’ është ndonjëherë më i kënaquri me buxhetin që ka se do të done të kishte para pafund që të përfundonte çdo lloj projekti që do i pëlqente apo do ishte pjesë e projekteve kombëtare, por mendoj që me këtë mbështetje që kemi marrë do kemi mundësi të realizojmë ato objektiva të qenësishëm të prekshëm, që nuk janë modest, por janë ambiciozë në kushtet ku ndodhet vendi jonë.