Postuar më: 28 Tetor 2016

Gjiknuri: Disiplina në sektorin energjitik solli rritjen e rrogave dhe pensioneve

Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri, Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, administratori i OSHEE-së Adrian Çela, Prefektja Etjona Hoxha dhe zyrtarë të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile prezantuan sot nga qyteti i Vlorës nisjen e procesit të identifikimit dhe popullimit të adresës për çdo shtetas derë më derë në të gjithë territorin.

Gjatë këtij projekti do të mund të realizohet edhe evidentimi dhe saktësimi i të dhënave të abonentëve të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, adresa e saktë, mënyra se si janë lidhur klientët në rrjet nisur nga niveli i tensionit si dhe të dhënat për matësit.

Për llogari të Gjendjes Civile do të bëhet edhe përdorimi i bazës së deritanishme të të dhënave të Regjistrit Kombëtar të Adresave për aksesimin në terren të të dhënave të tipit gjurmë rrugësh me emërtimet përkatëse, gjurmën e ndërtesës dhe numërtimin përkatës të saj, për të bërë verifikimin dhe regjistrimin në terren të të gjithë bazës së të dhënave për sa i përket realizimit ose heqjes së gjurmës së ndërtesave si dhe shtimin e informacionit karakteristik të hyrjeve të ndërtesave, numërtimin e kateve për hyrjet përkatëse, numërtimin e apartamenteve.


Fjala e Ministrit të Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri në ceremoninë e mbajtur në Vlorë ku u lançua nisja e procesit të “Popullimit”.

Përshëndetje,

Ky proces padyshim ka qenë shumë i rëndësishëm për ne. Sektori energjitik, përmes kompanisë së shpërndarjes financon gjysmën e projektit dhe përmes tij do të bëhet edhe evidentimi i saktë i të dhënave të të gjithë konsumatorëve të energjisë elektrike. Në fakt, konsumatorët e energjisë elektrike janë të gjithë qytetarët shqiptarë, të gjitha familjet dhe bizneset. Ky proces u nis në fillim nga kompania e shpërndarjes por nuk eci pasi kishte vështirësitë e veta. Ndaj, menduam se përmes një kompanie të specializuar, me financimin tonë të mund të bëjmë të mundur që ky proces të plotësohet në kohë dhe të kemi të dhëna të plota e të sakta për të gjithë konsumatorët. Kjo do të ndihmojë në rradhë të parë konsumatorin, sepse ka patur shumë probleme edhe me natyrën e faturimit, ngatërresa në adresa, shpesh herë ndodh që faturat nuk vijnë në kohë. Në fund të fundit, kjo është një padrejtësi për qytetarët të cilët duan të jenë korrekt me pagesat e tyre dhe duan të dinë saktë e të marrin njoftimin në kohë në lidhje me faturat.

Së dyti, do ti vlejë shumë kompanisë dhe kur them këtë nuk e kam parasysh thjesht pikëpamjen ekonomike por do të ndihmojë të gjithë shtetin shqiptar. Evidentimi i plotë i të dhënave do të bëjë të evidentohet saktë se kush është klient familjar, kush është biznes apo kush është klient që nuk ekziston. Duhet ta pranojmë, ne kemi shumë të dhëna në sistem që janë fiktive dhe shpesh herë ka edhe specialist të OSHEE që sillen në mënyrë abuzive duke faturuar edhe persona që nuk ekzistojnë. Me këtë proces evidentimi do të kemi mundësinë që të luftojmë edhe këto lloj fenomenesh negative të cilat sa vijnë e bëhen edhe më të pakta.

Arritjet në sektor, nuk dua ti përsërish por janë jashtëzakonisht të mëdha. Nuk është thjesht një arritje për sektorin por një arritje për shtetin shqiptar, një element shumë i rëndësishëm shtetformues. Mjafton tu them se disiplinimi i pagesave dhe shtimi i likujditetit në sektorin energjitik bëri të mundur rritjen e rrogave dhe pensioneve. Pse ndodhi kjo? U mbyll një gropë e madhe në Buxhetin e Shtetit dhe bëri të mundur që ato para që dikur përdoreshin për të mbuluar gropat në energji, të shkojnë tanimë për rritje rrogash dhe pensionesh, ndërtim rrugësh e shkollash. Shërbime këto shumë të nevojshme për që fatkeqësisht, qytetarët e ndershëm nuk i merrnin pasi paguanin për hajdutët e energjisë.

Ndaj, sistemi i të dhënave nuk është thjesht një ushtrim  për të saktësuar një inventar të Operatorit të Shpërndarjes por është një element shumë i rëndësishëm shtetformues. Do kemi adresat të sakta, do të dimë qartë në çdo cep të Shqipërisë se kush jeton atje, cilët janë banorët dhe cili është konsumi i energjisë elektrike. Pra të bëjmë të mundur që përfundimisht të fshijmë të gjitha të dhënat parazitare nga sistemi elektroenergjitik dhe të gjitha këto përfitime do të shkojnë në funksion të qytetarëve. Pse? Sepse kompania do të jetë më e shëndoshë, shteti do të ketë më pak nevojë për të ndërhyrë në sistemin energjitik dhe pse jo në fund të fundit, atë që kanë merak të gjithë qytetarët përsa i përket tarifave. Në të ardhmen, sa më shumë efiçencë ekonomike të kemi aq më shumë të qëndrueshme do të jenë tarifat e energjisë elektrike e nuk do kemi rritje por përkundrazi mund të kemi ulje që bëjnë të mundur stabilizimin financiar të të gjithë sektorit elektroenergjitik. Pra, shteti të mos e ketë më barrë dhe ndërkohë sektori të arrijë siç e kemi thënë të ecë me këmbët e veta.

Meqenëse këtu kemi kryetarët e bashkive dhe autoritetet lokale, do të kërkoja bashkëpunimin e të gjitha institucioneve shtetërore pasi ky proces nuk bëhet i vetëm. Vërtet kompania e specializuar do të merret me mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave por mbi të gjitha ajo do mbështetjen tonë. Mbi të gjitha është një proces qytetar dhe qytetarët duhet ta ndjejnë vet të parët se duke u formalizuar edhe në këtë drejtim si përsa i përket aspektit ekonomik, qoftë për sa i takon faturimit të energjisë por edhe përfitime të shumëfishta për shërbimet që do tu ofrohen në të ardhmen.

Dua të përgëzoj kompaninë, por mbi të gjitha edhe Ministrinë e Brendshme që e ndërmori këtë iniciativë për ta prezantuar me publikun. U angazhua me fonde konkrete për ta përfunduar sa më shpejt këtë proces. Plani është të përfundojë në pranverën e vitit të ardhshëm dhe kjo do të ishte diçka e jashtëzakonshme, që Shiqpëria të ishte si çdo vend tjetër evropian, një adresë ku dihet kush banon ku dhe të gjitha ato të dhëna do ti shfrytëzojmë gjithmonë për të mirën e publikut.

Ju uroj suksese të gjitha autoriteteve të përfshira në këtë proces, Operatorit të Shpërndarjes dhe Policisë së Shtetit e cila besoj se do të jetë një ndihmë e madhe ashtu sikurse ka qenë një ndihmë e madhe në reformën e sektorit elektroenergjitik.

Ju uroj suksese dhe ju falenderoj për mundësinë që të dhatë të komunikoj direkt me ju,