Postuar më: 06 Tetor 2016

Gjiknuri: Reforma në energji e shpëtoi Buxhetin e Shtetit nga barra qindra miliona euroshe

Fjala e mbajtur nga Ministri Gjiknuri në seancën e parlamentit si replikë ndaj deklaratave të bëra nga deputeti Sali Berisha

Të nderuar kolegë,

Nuk keni pse mërziteni, kur tjetri flet këtu 1 orë e hedh shpifje, anëtari i Kabinetit ka të drejtën të marrë fjalën në çdo kohë. Aq më tepër kur reagon për akuza nga më idiotet dhe absurdet që edhe e helmojnë mendjen e njerëzve, e për të cilat publiku kërkon sqarim. Nëse nuk keni durim thojini atij zotërisë të mos flasë këtu budalliqe 1 orë dhe të hedhë lloj-lloj akuzash. Ka shumë pak dëgjues ai zotëria tashmë, shyqyr ka gjetur një emision që del herë pas herë dhe nëse ka ndonjë njeri që e dëgjon se ska çfarë bën. Edhe këtu vjen mban atë fjalën 1 orë, gënjen dhe ikën por në fund të fundit njerëzit duan sqarime. Disiplinojeni atë drejtuesin tuaj hije dhe pastaj merrni përsipër të vendosni rendin këtu në sallë.

U hodhën akuza gjoja për privatizimin e Kaskadës së Drinit apo siç e quan ai zotëria, i paskemi dhënë serbëve manaxhimin e Kaskadës. Dua të sqaroj publikun për çfarë ka ndodhur dhe se përse akuzat e tij janë shpifje të mirëfillta. Mbase ai, në kokën e tij këtë që thotë e ka patur në mendje ta bëjë vet me serbët, që kur privoi Shqipërinë nga projekti më i rëndësishëm duke sabotuar në mënyrë sistematike lidhjen e Shqipërisë me Kosovën. Qëllimin e vërtetë e ka patur që aferat ti bëjë me serbët sepse me serbët e ka filluar me energjinë dhe me karburantin, kështu bëri në kohën e Milosheviçit, kështu vazhdoi edhe në kohën kur ishte në qeverisje sërish. Siç duket, i janë prishur planet për të vazhduar në këtë linjë edhe më tej me Fazlliçin, që e dimë mirë se çfarë planesh kishte për sektorin elektroenergjitik shqiptar.

Dua të sqaroj publikun për procedurën që ka të bëjë me depozitimin e energjisë në kushtet e prurjeve të mëdha. Korporata Elektroenergjitike Shqiptare, në rastet e prurjeve të mëdha detyrohet të derdhë ujë kot pa prodhuar energji ose prodhon energji nën kosto për të ruajtur nivelet e Kaskadës. Bëhet fjalë për energjinë e prodhuar natën, kur prurjet e mëdha janë të tilla që duhet të shkarkosh ujë ose të prodhosh energji edhe nën kosto që të mbash nivelin e Kaskadës për të mos rrezikuar përmbytjet.

Për shkak të këtyre operacioneve të shkarkimit të ujit të detyruar nga prurjet e mëdha, KESH humbiste çdo vit miliona e miliona euro. Detyrohej në disa raste të shiste energjinë nën kosto dhe në këtë mënyrë përfitonin tregtarët e energjisë që e blinin atë dhe ja shisnin nesër Operatorit të Shpërndarjes, ish-CEZ-it apo aktorëve tjerë që blejnë energjinë. Kjo e gjitha ndodhte në kurriz të interesave të publikut shqiptar. KESH pasi u konsultua profesionalisht për optimizimin e prodhimit të energjisë, shpalli një garë për kompani që marrin përsipër depozitimin e energjisë së tepërt. Çfarë do të thotë kjo? Ai ujë që deri dje derdhej kot dhe energji që shitej nën kosto, depozitohet dhe ti e përdor për të optimizuar të gjithë portofolin tënd. Pra, e përdor kur ke nevojë apo për të mbuluar nevojat e konsumatorëve familjarë apo në tërësi ata të rregulluar. Ky është një operacion që nuk rregullohet as nga ligji i prokurimit publik dhe as nga legjislacioni në fuqi për pjesën e rregulluar të sektorit. Pse? Duhet të kuptoni se KESH ka detyrimin për furnizimin e klientëve të rregulluar dhe çdo tepricë tjetër e energjisë tregtohet sipas rregullave të tregut. Kjo tepricë energjie, kjo prurje e cila është totalisht e pakontrolluar e që deri dje derdhej kot, u vendos që të hyjë në një portofol për depozitimin e energjisë. U bë një garë ku u ftuan disa kompani të cilat normalisht janë ato që kanë TEC-e e që e kanë të mundur të optimizojnë këtë lloj energjie. Një lloj kompanie që ka Termocentral ka mundësi që sëbashku me Kaskadën të bëjë një optimizim dhe gjithnjë bëhet fjalë për kushtet e prurjeve të mëdha. Nuk është një optimizim vjetor por për rastet kur ka reshje të shumta siç ka ndodhur në disa vite, kur uji derdhej kot apo energjia shitej nën kosto. Tani, kjo energji do të depozitohet dhe do të merret me një vlerë më të mirë në interes për KESH-in. Pse është bërë me afat 3 vjet? Sepse ka oshilacione të prurjeve të motit, një vit mund të jetë me prurje dhe tjetri pa prurje ndaj bëhet për këtë lloj periudhe. Nuk kemi të bëjmë fare me manaxhim Kaskade e as dhënie të Kaskadës një kompanie të huaj. Kjo është thjesht një shpifje e Sali Berishës me ato gjëra që ka patur ndërmend ti bëjë vet.

Sikur kjo marrëveshje depozitimi të kishte qenë në zbatim, vetëm për vitin 2016 Korporata Elektroenergjitike Shqiptare do të fitonte 5 milion USD të ardhura shtesë. Po të zbatohej në vitin 2015 kur kishte më shumë prurje janë 6.2 milion USD që do të ishin të ardhura po njësoj. Këto për të cilat po ju flas, janë analiza ekonomike të provuara dhe me konsulencën përkatëse. Vetëm për vitin 2013, kur sërish ka patur shumë prurje do ishin përfituar 3 milion USD të tjera nga KESH nëse do kishte një marrëveshje të tillë. Praktikisht, sikur të ishte aplikuar në 4 vitet e shkuara do ishin kursyer rreth 20 milion USD energji më shumë. Të gjitha këto do të shkonin në dobi të konsumatorit, ndaj këto shpifje që hidhen sot duhet ti marrin mbrapsht ata që i thonë. Siç duket, ai zotëria ka patur plane tjera me këto asete energjitike.

Ai është njeriu i fundit që duhet të flasë për energjinë pasi është varrmihësi i sistemit energjitik. Është i tërbuar plotësisht nga të gjitha sukseset e arritura dhe sistemi elektroenergjitik është kthyer në dobiprurës, ka dalë me bilanc pozitiv, po kontribuon në Buxhetin e Shtetit dhe sigurinë energjitike. Po kryhen investimet që zotëria tërbohet kur i sheh. Muaj pas muaji ka inaugurime në sektorin e shpërndarjes së energjisë elektrike. Në këtë situatë, ai gjen çdo rast që me shpifje të sulmojë qeverinë dhe sistemin energjitik që siç duket është dështimi i tij më i madh me atë ëndrrën e famshme të superfuqisë. E çoi Shqipërinë në varr energjitik në fakt dhe sa herë i del rasti njollos e sulmon.

Për tia sqaruar publikut dhe njëherë, ajo që kemi bërë është se i kemi ndikuar pozitivisht Buxhetit të Shtetit pa shkelur asnjë rregull, e mbi të gjitha duke siguruar furnizimin e qëndrueshëm të popullatës. Korporata përgjigjet fillimisht për klientët e rregulluar dhe më pas, tepricën e energjisë po e optimizon në mënyrën më të mirë. Në fund të fundit, qëllimi i kompanive, pavarësisht se ato janë publike është që të jenë fitimprurëse. Ato duhet të jenë të afta të dalin me fitim dhe më pas se si menaxhohet fitimi është diçka tjetër. Ai mund të kthehet në investime, mund të shkojë në Buxhetin e Shtetit ose mund të shkojë në dobi të sektorit deri edhe në uljen e tarifave.

Nëse do të rrinim duarkryq dhe të dëgjonim të dështuarin e madh të energjitikës, patjetër që sistemi do të lëngonte siç ka lënguar në kohën e tij. Sëfundi, përmendi një vendim të ERE-s ai dhe unë dua të sqaroj opinionin publik. Enti Rregullator, pa marrë informacionin e mjaftueshëm për procedurën që po zhvillonte KESH-i, doli me një vendim. Mendoi se kjo pjesë e këtij operacioni duhet të hynte brenda pjesës së rregulluar të sektorit të energjisë elektrike. Mund të duket shumë teknike për publikun por kjo është një pjesë jo e rregulluar e sektorit të energjisë elektrike. Pjesa e rregulluar është ajo pjesë që paguajnë konsumatorët shqiptarë e që ka të bëjë me tarifat e energjisë. Çdo gjë tjetër, kompanitë energjitike e trajtojnë në planin komercial. Vendimi i dyti i ERE-s, pas sqarimeve të nevojshme dhe konsultimeve me Sekretariatin e Energjisë, të cilin e kemi partner për veprimet në kuadër të reformës, doli në konkluzionin se kjo pjesë kërkon trajtim të veçantë jashtë pjesës së rregulluar. Pra, akuzat që hedh zotëria këtu i ka totalisht mashtrime. Dua të siguroj qytetarët se procedurat janë krejt transparente, dokumentacioni është plotësisht aty dhe nuk ka as dhënie Kaskade, as privatizim e as menaxhim Kaskade nga privati. Ka thjesht një menaxhim i mirë të ujërave që derdheshin kot nga KESH-i. Në vend që ato ujëra të derdheshin kot ato po sjellin para për publikun shqiptar dhe ky është operacioni.

Ai zotëria mërzitet shumë kur ja them se çfarë ka bërë në kohën e tij por mjafton tu them shifrat me të cilat e ka blerë energjinë nga importi Operatori i Shpërndarjes. Çmimi i importit të energjisë në kohën e Sali Berishës, nga të njëjtat kompani për të cilat sot ai na akuzon ne se kemi lidhje, shkonte 50-60 euro për megavat. Sot, OSHEE e ka ulur deri në 36 euro për megavat çmimin e blerjes së energjisë elektrike dhe të gjitha këto kanë sjellë rezultate shumë më të mira e pozitive për kompaninë. Shikoni se si ka shitur KESH-i në kohën e këtij zotërisë!! Në vitin 2011 kanë shitur me 20 euro nën çmimin e bursës; në vitin 2012 janë 13 euro nën bursë me çmimin e shitjes nga KESH-i. Këto euro që i merreshin KESH-it ishin fitim për tregtarët që ja shisnin prapë nesër Operatorit të Shpërndarjes.

Po të shikoni shitjet e fundit që ka bërë tani KESH-i konstaton se nuk janë më shumë se 5-6 euro nga çmimi i bursës. Kjo diferencë kuptohet sepse tek pjesa e bursës futen edhe elementët ekstra të transmetimit që e bëjnë energjinë në Shqipëri pak më të shtrenjtë. Në fund të fundit, po të shohim krahasimin e shifrave, nëse para 2013 shpenzohej për import energjie 150 milion euro energji, sot kjo vlerë është jo më shumë se 55 milion euro. Kjo ka ardhur nga reduktimi i humbjeve por edhe nga përmirësimet për shkak të procedurave më transparente dhe konkuruese.

Rezultati pozitiv i këtyre reformave në energji është i kuantifikuar në vlerë dhe ka kontribuar në mënyrë direkte në Buxhetin e Shtetit. Është reforma që ka dhënë kursimin më të madh në Buxhet dhe vlerat janë të konfirmuara e mjafton të lexoni raportet e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Botërore.

Sot nuk merren më para nga Buxheti i Shtetit për të mbuluar keqmenaxhimet e mungesën e performancës. Ato pak para që merren janë vetëm si garanci për investimet që e kthejnë mbrapsht këtë angazhim.

Kaq besoj mjaftojnë për të hedhur poshtë mashtrimet e dështakut dixhital.

Faleminderit,