Postuar më: 30 Shtator 2016

Nis shtrimi i tubacionit të TAP, Gjiknuri: Të maksimalizojmë përfitimet për Shqipërinë

Trans Adriatic Pipeline (TAP) AG shënoi sot fillimin e ndërtimit të pjesës tokësore të gazsjellësit në Shqipëri me shtrimin e tubacioneve. Kjo ngjarje u shënua nga një ceremoni në afërsi të qytetit të Fierit, ku morën pjesë Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri, dhe Drejtori Menaxhues i TAP-it Ian Bradshaw.

Drejtori Menaxhues i TAP-it Ian Bradshaw tha: “Jam me të vërtetë i gëzuar që sot jam këtu me ju. TAP-i ka bërë një progres shumë të madh gjatë këtyre pak viteve të fundit dhe këtë e tregon qartë ajo çka mund të shihni sot këtu: tuba çeliku në tokë, makineri të rënda në sfond, pastrimin e korridorit të kalimit dhe kanalet që po hapen për shtrirjen e tubave. E gjithë kjo është në sajë të qindrave dhe mijërave orëve të punës të sigurtë. Dëshiroj të përfitoj nga rasti të falënderoj Qeverinë e Shqipërisë, veçanërisht Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë për mbështetjen e saj të palëkundur për projektin tonë dhe për bashkëpunimin e ngushtë, që ka hapur rrugën për realizimin e TAP-it dhe dorëzimin e projektit”.

Në Shqipëri progresi i deritanishëm i ndërtimit të TAP-t përfshin 23 km Korridore Kalimi të pastruara; 12 km tuba të lidhur; 8 km tuba të salduar ndërsa 56 % e tubave janë dorëzuar – Tuba linje & bërryla vazhdojnë të mbërrijnë në Durrës (që prej prillit të vitit 2016).

Më shumë se 92% e rrugëve ndihmëse dhe urave (progres i kombinuar) janë përfunduar; rreth 90% e fuqisë punëtore janë shqiptarë.

TAP-i vazhdon të jetë një aktor aktiv në Shqipëri, veçanërisht në rajonet ku projekti vepron. Projektet e investimeve sociale janë planifikuar dhe zbatuar me pjesëmarrjen dhe bashkëpunimin e ngushtë të përfaqësuesve të komuniteteve vendore.


Fjala e Ministrit Gjiknuri në ceremoninë e nisjes së shtrimit të tubacioneve të gazsjellësit TAP

I nderuar z.Kryeministër,

I nderuar z.Bradshaw,

Të nderuar pjesëmarrës,

Sot është një ditë jashtëzakonisht e rëndësishme, e një guri të ri kilometrik në ndërtimin e kësaj vepre të madhe. E them gur i rëndësishëm kilometrik sepse në Shqipëri sapo fillon shtrimi i tubacioneve të projektit të gazsjellësit TAP dhe ky po bëhet gjithnjë e më konkret. Nga një ëndërr dhe një diskutim që shumë njerëz e mendonin vite më parë si të vështirë për tu realizuar, sot jo vetëm ne por e gjithë Evropa po e sheh që po përparon.

Ne si shqiptar kuptohet se jemi të kënaqur por dhe krenar për bashkëpunimin e deritanishëm me kompaninë TAP për këtë projekt kompleks ku secila palë mëson. Mbi të gjitha, për autoritetet shqiptare ka qenë një shkollë më vete menaxhimi i këtij projekti kaq kompleks. Kjo si përsa i përket aspekteve të pronësisë, marrëdhënieve me komunitetin, aspektet e lejeve dhe shumë procese të tjera të një megaprojekti të tillë si gazsjellësi TAP.

Kuptohet, jo gjithçka ka qenë në muaj mjalti dhe shpeshherë kemi negociuar me kompaninë TAP për të marrë më të mirat e mundshme për interesin e këtij vendi, siç është përfshirja e sa më shumë kontraktorëve lokalë për tu bërë pjesë e këtij projekti. Jam i gëzuar që shoh e mësoj se të paktën vitet e fundit, një pjesë e kompanive shqiptare kanë nisur të bëhen pjesë e këtij projekti, duke marrë punë konkrete. Patjetër, kjo ka sjellë edhe përfitime konkrete për ekonomitë familjare. Siç u tha dhe këtu, janë mbi 1700 persona të cilët janë të punësuar direkt në projekt dhe përgjithësisht marrin edhe paga relativisht të mira duke patur ndikim në ekonomi.

Nuk dua të lë pa përmendur edhe disa element që ne jemi duke i adresuar me kompaninë TAP. Është e pranuar tashmë se Shqipëria ka patur disa kushte jo shumë të favorshme krahasuar me Greqinë. Unë dua të falenderoj kompaninë e cila sëbashku me Ministrinë e Energjisë është përfshirë në një proces intensive negocimi, të cilin jemi duke e përfunduar, për të sjellë në një balancë të plotë përfitimet e Shqipërisë siç i ka marrë edhe Greqia. Kjo do të jetë shumë më mirë për të dyja palët por mbi të gjitha për vet qëndrueshmërinë e projektit pasi qëndrueshmëria e projektit ka të bëjë edhe me drejtësinë, se si të ndjehen të gjitha vendet se kanë përfituar njësoj.

Patjetër që projekti është strategjik. Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe të gjithë e kanë inkurajuar Korridorin Jugor të Gazit. Ka atë rëndësinë që unë dua ta përsëris, sepse është alternativa më e re dhe më e rëndësishme që mund të konkurojë rrugët tradicionale të furnizimit të gazit nga Rusia sepse ajo dihet se është furnizuesja tradicionale e Bashkimit Evropian.

Rëndësia e këtij projekti është e jashtëzakonshme dhe nga ana tjetër ne na e kanë dhënë mundësinë që si Shqipëri të përfitojmë nga gazi. Njëkohësisht të marrim masat që në këtë kohë për të përgatitur të gjithë infrastrukturën e nevojshme për përfitimet e gazit. E tillë është së pari legjislacioni, së dyti ngritja e kompanisë së veçantë për gazin. Në dy muajt e ardhshëm ne do të kemi një kompani tonën të gazit e cila do të ketë mbështetjen e TAP-it dhe madje edhe kontratat e para të cilat do të jenë në shërbim. Kjo do të jetë një njohuri tjetër që transferohet tek kompanitë shqiptare dhe do të shërbejë si shtylla kryesore për ndërtimin edhe të rrjetit të gazit në Shqipëri.

Interesi është rritur nga shumë kompani të huaja. Ka shumë kompani të huaja që po e shikojnë me interes zhvillimin e sektorit të gazit në Shqipëri. Kemi siguruar financimin jo vetëm nga TAP por edhe nga qeveria zvicerane për ndërtimin e gjitha kapaciteteve të nevojshme njerëzore dhe institucionale për ngritjen e sektorit të gazit. Të gjitha këto zhvillime kanë krijuar një zinxhir vlerash të cilat do të kthehen në përfitim për Shqipërinë. Do ta kthejnë vendin në një nyje të vogël rajonale përsa i përket gazit. Edhe me degëzimin e projektit Jonian-Adriatik (IAP) e kemi këtë mundësi dhe gazi do të japë mundësinë të futet edhe në portofolin energjitik, përfshirë edhe prodhimin e energjisë elektrike por sidomos edhe ndikimin pozitiv për zonën e Fierit. Në zonën e Fierit ka shumë industry të lidhura me gazin dhe jam i bindur se këto industri do të zhvillohen më shumë kur gazi të jetë i vlefshëm.

Ky është fillimi i diçkaje të madhe dhe ne jemi të gjithë dëshmitarë të asaj që po ndodh. Dua tu uroj sukses dhe shpresoj që ky projekt të sjellë të mira jo vetëm për rajonin por Bashkimi Evropian si përfituesi më i madh duhet ti kushtojë më shumë vëmendje Evropës Juglindore duke investuar për ndërlidhjen e rajonit. Siguria e këtij rajoni do ti flejë edhe sigurisë evropiane dhe për këtë jam i bindur. Ky projekt është një tullë shumë e rëndësishme në këtë infrastrukturë të sigurisë.

Faleminderit,