Postuar më: 15 Dhjetor 2016

“Reforma në energji po fokusohet tek mirëmenaxhimi i kompanive”

Fjala e mbajtur në Kuvend nga Ministri i Energjisë dhe Industrisë z.Damian Gjiknuri:

I nderuar Kryetar,

Të nderuar deputet,

Në fjalën e Mediut dëgjuam diçka të sinqertë. Nuk e kam për replikë me të por tha se Parlamenti ka kohë që e ka humbur sensin e tij e është kthyer në një teatër të vërtetë. Në fakt, ju jeni kontribuesit e vërtetë të këtij teatri, për arsye se për çdo temë që vini këtu, në vend që të ndihmoni meqenëse kërkoni vazhdimisht konsensus, vetëm hidhni lum akuzash,  si ajo shprehja “nga ndërzimi artificial tek lufta në Vietnam”. Pra, e filloni njëherë me drogën, kaloni tek zgjedhjet, më pas tek problemet e integrimit dhe me çdo gjë tjetër. Jeni bërë një koleksion i mbledhjes së çdo një mini pakënaqësie duke menduar që do të arrini ti ktheni në votë popullore. Por nëse do të ishte e tillë situata, ju duhet të ishit shumë të lumtur sepse zgjedhjet do ti kishit në xhep.

Në fakt është ndryshe. Ju ka përfshirë shthurja në gjithë pjesët e territorit të Shqipërisë si Parti Demokratike, ndaj keni vetëm një metodë për të mbijetuar. Vini dhe bëni teatër në këtë sallë e cila nuk i përmbahet fare rendit të ditës. Padashje, po bëhem edhe unë tani pjesë e këtij teatri por po i kërkoj ndjesë qytetarëve shqiptarë. Jeni ju ata që e shkaktoni këtë pikërisht nga paniku që keni prej humbjes. Keni nxjerrë pretendimin se me këtë qeveri nuk shkohet në zgjedhje dhe hidhni çdo lloj akuzë. Kur keni qenë në pushtet, nuk keni bërë asgjë për konsensusin dhe për të arritur ato që pretendoni këtu. Po të kujtojmë qeverinë tuaj, asgjë nuk e bë me konsensus, madje dhe kur humbët votat popullore e legjitimitetin numerik, huazuat disa deputetë me atë mënyrën e minutave të fundit dhe mbajtët qeverinë në këmbë. Tani i thoni kësaj qeverie ik se duhet një qeveri tjetër ose nuk hyjmë në zgjedhje. Thoni lloj-lloj historish se qeveria është e kanabizuar e drogëzuar pasi keni të vetmen mënyrë për të hyrë në zgjedhje. E kuptoni çfarë absurditeti është ky? Dhe flisni për konsensus pastaj.

Nuk ka gjë më të keqe se të kesh asimetri politike në vend, kur nuk ke opozitë. Gjëja më e keqe për një demokraci është kur opozita është e shpartalluar, pa një orientim të qartë. Ka një njeri që vjen këtu “bën ligjin”, ka një tjetër që rri në zyrë, tjetër gjë thotë ai, tjetër gjë thotë ky në sallë. Unë e di shumë mirë hallin tuaj dhe shqetësimet se vend i vogël jemi. Nuk ka gjë më të keqe sesa mungesa e shpresës, sepse mungesa e saj sjell kaos, sjell irritim. Jeni bërë si ata alkolistët që duan të rikuperohen nga pija dhe vetëm shfryjnë dufin për eksperiencat e tyre të këqija në jetë. Fatkeqësisht, ata kanë një të mirë sepse fillojnë mendojnë pozitivisht se si të rekuperohen ndërsa ju vetëm shfryni eksperiencat negative që merrni. Ju vetëm u thoni njerëzve që ne s’kemi shans të fitojmë, por e vetmja gjë që bëjmë është të hedhim baltë mbi këtë qeveri. Pra, praktikisht këtë keni bërë dhe nuk po i motivoni më njerëzit tuaj.

Normalisht një opozitë do të ishte më e lumtura që të kishte një proces vetingu. Përtej krenarisë kombëtare që ne të gjithë e kemi, kjo opozitë duhet të ishte e lumtur që të huajt të kishin një fjalë në problemet e këtij vendi sepse atyre u drejtoheni sa herë merrni ndonjë grimcë shpresë nga ndonjë deklaratë. Po të isha unë në rolin tuaj do ta kërkoja këtë me insistim. Ju pretendoni se kjo qeveri është e korruptuar, i paska zënë institucionet por edhe kur flasin institucionet e huaja ju filloni thoni nuk i duam, nuk duam opinionin e tyre. Ne nuk thamë pse ju drejtuat Gjykatës Kushtetuese megjithëse qe përdorimi i një mjeti legjitim për të shpëtuar nga një problem që ju e keni. Nuk ka asgjë të keqe këtu. Por kur ju drejtuam Komisionit të Venecias dhe morët një përgjigje, atëherë pse përbën problem për ju?! Komisioni i Venecias e dha opinionin e tij, le të kalojë ligji, le të bëjmë institucionet e drejtësisë.  Pra, praktikisht edhe kjo tregon dufin tuaj dhe mungesën e shpresës për të ardhmen çka reflektohet edhe këtu në sallë. Ktheni kushtet dhe kriteret, i ngatërroni me qëllimin tuaj, kujtoni se publiku i ha kollaj këto. Nuk është fare e vërtetë, njerëzit janë shumë të qartë sepse e shikojnë se vërtet mund të kishin ndërtuar pritshmëri më të mëdha, por nga ana tjetër progres po bëhet përditë.

Jo gjithçka shkon mrekullisht por nga ana tjetër, ju fatkeqësisht nuk ofroni asgjë për shpresën e njerëzve. Nuk ofroni asnjë program qeverisje, nuk ofroni asnjë zgjidhje të mundshme për kompromis. Ju do duhej tu interesonte një pushtet drejtësie stabël nëqoftëse pretendoni se qeveria është kaq e korruptuar dhe kaq e përfshirë në narkotrafik. Nuk ju justifikohen sulmet ndaj institucioneve ndërkombëtare sa herë ata thonë të vërtetën në lidhje me procesin e vetingut dhe me procesin e reformës në drejtësi. Aq më keq të kapeni pas çështjeve siç thatë këtu se kryeministri përmendi Vuçiç. Ore e kuptoni, e di sa qesharak u bëtë ju?! Të shihnit fytyrat tuaja kur fitoi Trumpi! Më kujtohet ajo periudha e viteve 2000 Bush-Berluskon-Berisha. Mendoni se fati juaj do të jetë nga ca lëvizje që do të ndodhin. Ore e kuptoni që pushteti është votë dhe legjitimitet popullor?

Po të jeni ju se e keni atë organizim dhe jeni të bindur se i keni mbushur mendjen njerëzve, që keni njerëzit e duhur, programin e duhur dhe mbështetjen e duhur, ju do të ishit shumë të lumtur që kjo qeveri të ishte e tillë. Por, nuk keni asnjë lloj shprese dhe vini këtu vetëm hidhni helm në këtë Parlament pa ofruar asnjë alternativë. Doni pikërisht ta fshini edhe axhendën e Parlamentit, duke shprehur dufin që mendoni që e kanë njerëzit por më shumë e keni ju. Mendoni se do të ç’orientoni publikun duke i dhënë një realitet fals. Realiteti nuk është lule por realitetin të gjithë e dinë. Krahasuar me 4 vite më parë është jashtëzakonisht i ndryshëm dhe shumë më i mirë në shumë fusha.

Dua të jap disa përgjigje edhe për akuzat që u hodhën në sektorin energjetik, madje duke bërë lidhje nga më të çuditshmet. Nga një episod kriminal apo një lirim i një të dënuari për shkak të papërgjegjshmërisë së gjykatave arritët të bëni lidhje deri tek korrupsioni apo mungesa e integritetit në sektorin energjetik. Vetëm ju mund ti bëni këto lloj lidhjesh!? Pse?! Sepse siç e thashë ju keni humbur toruan. Nuk keni më asnjë orientim dhe në të gjitha fushat që ka arritje ju doni ti quani dështim. Gjithsesi të gjithë e dinë dhe shifrat flasin vet.

Po të ishte se paska dështim si është e mundur atëherë që kjo qeveri në krye të katër viteve shton rrogat dhe pensionet?! Nuk duhet të harrohet se kur e morëm pushtetin ka qenë gropa më e madhe financiare dhe borxhi më i madh publik. Rritja u bë e mundur sepse paraja është përdorur siç duhet, reformat kanë dhënë sukses dhe shteti ka qenë në pozita shumë më të mira për të administruar paranë. Prandaj, përfundimi është i tillë që rriten rrogat dhe pensionet dhe shqiptarët e kanë të qartë.

Hodhët akuza për sektorin elektroenergjetik. Ju dëgjova që folët që nga ai deputeti i tenderave që thotë pse po bëhen investime. Investimet janë më të mëdhatë e ndërmarra në këto vite dhe në dobi të qytetarëve shqiptarë. Foli dikush këtu më parë, një profesor që ka qenë rastësisht edhe Ministër financash, faturojnë thotë 80% më shumë falso. Po mirë mo nga doli ky bilanc energjetik që konsumi energjisë është ulur dhe arkëtimet janë rritur?! Po të ishte se faturonim falso 80% do të ishte rritur konsumi të paktën i faturuari i energjisë në vlera të tjera. Ndërkohë, konsumi i energjisë ka rënë për arsye se njerëzit janë më të përgjegjshëm, kursejnë energji, nuk vjedhin dhe gropat financiare në sektor janë mbyllur. Pra, si shpjegohet dhe nga del kjo logjikë?!

Shikoni shifrat, meqenëse doni për pjesën energjetike. Shikoni arkëtimet, se foli dikush më parë këtu e tha kanë rënë arkëtimet. Do ndaloj pak edhe tek sektori elektroenergjetik për arsye sepse është tema e ditës dhe me normale do ishte të flisnim për të. Sot po diskutohet një nga kreditë më të rëndësishme që ka marrë Korporata Elektroenergjetike Shqiptare për të konvertuar të gjithë overdraftin që akumulonte keqmenaxhimin, vjedhjen, shpërdorimin. Të gjitha i janë ngarkuar ndër vite KESH-it që e shndërruan në një Kaskadë të eksperimenteve. KESH-it i jepet tashmë kredia 218 milion euro për të konvertuar këtë borxh afatshkurtër në afatgjatë dhe ky është hap reforme, votë konfidence. A ka institucione ndërkombëtare që nëqoftëse do të kishim këto 80% faturim falso siç pretendoni ju, të jepnin 218 milion euro?! Të jepnin më tej se kaq mbi 300 milion të tjera që janë siguruar këto vite?! Pse, janë të çmendur ndërkombëtarët?! Kujtoni ju se institucionet ndërkombëtare dëgjojnë këto dehjet tuaja këtu në sallën e parlamentit?!

Ju e dini shumë mirë se gjithë ekonomia shqiptare, sidomos sektori elektroenergjetik ashtu siç edhe financat shqiptare janë të mirëmonitoruara. Ka ekipe të Bankës Botërore të cilat janë instaluar në zyrat tona, me projekte konkrete dhe monitorojnë çdo vlerë, çdo shifër. Realiteti është krejt tjetër. Mjafton të shikojmë vitin 2013, arkëtonit vetëm 66% të faturës korente. Ja ku është realiteti sot, 87%. A ka një pjesë të faturës që nuk rikuperohet? Po, patjetër. Në çdo fushë, jo 100% e faturës rikuperohet. Por, praktikisht vlera këtu është brenda limitit, borxhit të keq të njohur në tarifat që paguan konsumatori dhe që praktikisht nuk shkakton asnjë gropë apo borxh tjetër publik. Ja arkëtimi i faturave.

Cili është niveli i humbjeve nëqoftëse gjërat do të kishin shkuar siç thoni ju?! Ja viti 2013 kur mesatarja e 11-Mujorit ishte 43.5%. Sot jemi 27.7%, reduktim drastik i humbjes. Në çfarë përkthehet kjo?! Mbyllja e gropës financiare, më shumë të ardhura për sektorin elektroenergjetik dhe më pak barrë për Buxhetin e Shtetit. Mjafton të kujtojmë se në vitin 2013, plot 21 miliard lekë, do të thotë 200 milion dollarë të asaj kohe i hiqeshin shqiptarëve nga sektorë të tjerë të rëndësishëm jetikë dhe shkonin për të mbuluar gropat dhe vjedhjet në sektorin elektroenergjetik për shkak keqmenaxhimi që i bëri ish qeveria. Ja ku është mbi bazë vjetore! 45% ishte niveli i humbjeve në vitin 2013 dhe këtë vit mbyllet nën 28%.

U hodhën shpifje të tjera që është rritur borxhi në sektorin elektroenergjetik. Mjafton të shikoni shifrat se si ka vajtur. Për shkak të keqmenaxhimit, 126 miliard lekë u krijua borxh. Sot që flasim, borxhi është reduktuar në 105 miliard lekë. Për çudi, për ironi të fatit, këtu hyjnë edhe paratë që kemi rikuperuar nga ajo që ju e quani aferë e që paskam ndarë unë me CEZ-in, se kështu thoni. Paratë janë këtu, po arkëtohen nga kompania ndërsa ju thoni se i paskam ndarë unë me CEZ-in.

Po cili është numri i aktmarrëveshjeve?! 450 mijë qytetarë shqiptarë kanë hyrë në marrëveshje me Operatorin e Shpërndarjes. Pse? Besuan tek ky proces dhe pikërisht unë po jua them qytetarëve shqiptarë, e deklaroi edhe Kryeministri, po e deklaroj edhe unë këtu: për shkak të mirëmenaxhimit dhe të ardhurave të shtuara, mbylljes së gropës financiare, ne do të mundësojmë edhe një reduktim tjetër në fund të vitit, për të gjithë personat që kanë kamatëvonesa e kanë qenë të rregullt me pagesat e faturës së energjisë elektrike. Ju thoni ulje çmimi por ulja e çmimit nuk realizohet me fjalë boshe. Nuk realizohet me premtimet që jep Lulëzim Basha që do fal 200 kv, a thua sikur i ka ato nga xhepi, sepse këto janë absurditete. Çdo njeri që ka punuar, që ka qenë njëherë Ministër apo që është marrë me atë sektor, qoftë ky i Financave apo i Energjetikës e di shumë mirë se ato para nuk kanë si të dalin. Përkundrazi, ato që bëjmë ne, vijnë si shkak i mirëperformancës dhe kursimit të parave të cilat ju kthehen mbrapsht qytetarëve.

Një sqarim ndërkohë edhe për ata që mërziten se po bëhen tendera sepse hodhi dikush ca akuza këtu e tha po përdoren 400 milion lekë nga Operatori i Shpërndarjes për makina. Po normal, 400 milion lekë për 140 makina për 3 vjet me proces leasing dhe që praktikisht është e njëjta kontratë që ka bërë edhe në kohën tuaj Sait Dollapi. Aktualisht kontrata po bëhet me më pak lekë dhe më e favorshme për kompaninë. Po ti hysh llogarisë është shumë më mirë që ti marrësh këto makina me leasing dhe ti mirëmbash sesa të mbash një flotë me makina dhe të shpërdorohen siç dihet që shpërdorohen asetet shtetërore fatkeqësisht në këtë vend. Të gjitha këto shpifje që hidhen flasin për të kundërtën, që sektori është i mirëmenaxhuar dhe pikërisht sepse është i mirëmenaxhuar shikoni vlerat e investimeve, se këto flasin vetë.

Në vitin 2013, në totalin e investimeve kishim vetëm 1.2 miliard lekë, sot totali i investimeve vetëm në sektorin e shpërndarjes ka vajtur 12.2 miliard lekë dhe në total sektori shkon 24 miliard, pra 200 e ca milion dollarë. Nga erdhën këto para? Aspak nga rritja e borxhit sepse borxhi ka rënë. Nga ky konvertim që po i bëhet overdrafteve me kredi afatgjatë, vetëm ky operacion financiar për të ulur kreditë do ti shpëtojë Korporatës Elektroenergjetike 5 deri në 6 milion dollarë çdo vit. Ndërkohë, do të çlirojë barrën e Buxhetit të Shtetit dhe ekspozimin e Buxhetit me garancitë sovrane që jep, për të krijuar mundësi që ne të mund të marrim kredi më të shëndetshme, jo për të mbuluar gropën dhe eksperimentet ne energjetikë, por kredi të shëndetshme për investime, për rrugë apo qoftë për aktivitete të tjera.

Mjafton të shikoni interesat, shikoni vitin 2013 me çfarë interesash i keni marrë ju, 6.58% apo 7.1% viti 2012. Ne pa bërë këtë konvertim bëmë të mundur që ti ulim interesat në 4.38% në 4 vite. Vetëm Korporata Elektroenergjetike Shqiptare nga ky operacion ka kursyer 25 milion dollarë. Shtron pyetjen dikush nga dalin paratë?! Ja pra, këtej dalin paratë, nga mirëmenaxhimi, ulje e vjedhjeve, mirëadministrim, çlirimi i investimeve dhe mos ngarkimi i Buxhetit të Shtetit me barrë siç është ngarkuar në kohën tuaj. Këto janë shifrat reale që njerëzit i kuptojnë sepse po e shikojnë përditë, investimet që po kryhen në këtë sektor.

Dikush tha vrau veten sepse nuk paguante dritat apo ikën dritat. Po kush i ha këto gjëra?! Si mund të zbresë politika në këto nivele? Harroni që keni qenë edhe ju në ato zyra? Si mund të spekulohet në këtë mënyrë? Vërtet probleme ka, por duhet të analizohet numri i ndërprerjeve që është ulur. E kemi thënë se Shqipëria ka një rrjet krejtësisht të amortizuar, do ketë probleme me ndërprerjet e energjisë por po investohet vazhdimisht. Do 1.7 miliard dollarë rrjeti elektroenergjetik shqiptar që të rinovohet dhe që ne të jemi në standardet europiane. Si do bëhen këto?! Ne kemi filluar diçka, kemi investuar mbi 200 e ca milion në këto vite. Patjetër, në krye të 5-6 viteve mendoj se po të vazhdohet me këto ritme do jetë një situatë krejt tjetër. Nuk duhet që energjitika të bëhet pre e spekulantëve politikë duke thënë do bëjmë ulje çmimesh apo do japim energji pa para! Të gjitha këto, nesër do ti kushtojnë barrë publikut dhe do ta shkatërrojnë këtë sistem, por mbi të gjitha do të shkatërrojnë integritetin e Buxhetit të Shtetit, gjithë stabilitetin financiar shqiptar. Pikërisht kjo do të ndodhë, ashtu siç ndodhi. Pra ky është një film i parë, ajo që ju i premtoni njerëzve është të ktheheni edhe njëherë në vitin 2013. Po shqiptarët janë ngopur me këtë dhe nuk ka më budallenj që t’iu besojnë në shfryrjen e atij dufi që keni këtu në sallë.

U hodhën këtu disa akuza edhe për dëmshpërblimet e qytetarëve të Shkodrës. Po shih çfarë absurditete keni bërë ju! Në vitin 2011 përmbytjet ishin për shkak të reshjeve, jo hapjes së digave. Çfarë bëri Sali Berisha siç i bën gjithmonë kur do të mbyllë një gropë. Nxori një VKM numër 842, datë 26.01.20111 ku thotë se për këto përmbytje të shkaktuara nga reshjet dhe jo për shkak të digave, fatura ti kalojë KESH-it. Pra, qe një mashtrim haptazi. Është tjetër gjë që është bërë me vendim qeverie dhe është në fuqi. Pavarësisht se është një vendim absurd duhet ta respektojmë, por është vendim absurd sepse ju çua fatura një kompanie që nuk i takonte, nuk kishte lidhje. Është si ajo që meqë ke mundësi hidhja faturën dikujt tjetër dhe lan duart si ponc pilati. Ne banorëve ju thamë, i keni borxh sektorit të energjisë elektrike? Hiqni borxhet, pra paratë që ju kanë borxh për shkak të përmbytjes do t’jua kthejmë duke reduktuar faturën e energjisë elektrike. Ndodhi edhe një fenomen tjetër kur filloi verifikimi. Doli që nga verifikimi vetëm 2790 banorë ishin realisht pjesë dhe që ishin prekur nga kjo përmbytje. Por shifra qe më e madhe, mbi 9 mijë e të gjithë fiktivë për interesa elektoralë.

Normal, kur faturën ia hedh një korporate tjetër që nuk mban përgjegjësi edhe lista njerëzve do bëhej si magazinë pa inventar. Siç i bënte Sali Berisha vazhdimisht investimet publike, thoshte kemi hapur rrugë pa pasur para, kemi krijuar kontrata koncesionare pa pasur para. Mos them fatura rrugëve 600 apo 700 milion dollarë. Pse kështu mund të funksionojë stabiliteti ligjor dhe flisni për stabilitet të kontratës që i jep tjetrit një copë letër e nuk garanton asnjë para. Ku ka gjë më kriminale për biznesin se ti thuash ke një kontratë, por unë nuk i kam paratë?! E gënjen sepse ia shet në titull qeveritar. Pra, këto janë gjërat që e shkatërrojnë një shtet. Ju që flisni për stabilitet apo për integrim europian, pikërisht nga kjo fillon. Është e vërtetë që integrimi europian ka të bëjë edhe me stabilitetin ekonomik por stabiliteti ekonomik fillon që nga marrëdhënia e ndershme që krijon shteti me biznesin. Jo me format që bëtë ju, filloni rrugë pa pasur para, ndërtoni TEC-in e Vlorës 100 milion euro por asnjëherë në punë sepse është një dështim tjetër, një masakër  energjitikë. Vazhdojnë shqiptarët të paguajnë për atë termocentral dhe akoma nuk është vënë në punë. Pra këto janë gropat e shkaktuara.

E dëgjoja një ditë Sali Berishën për Unazën e Jugut, e cila u përfundua nga kjo qeveri. Ka qenë ideja jonë thoshte, po mirë mo ta jap se ide bëjmë shumë ne. Kush nuk ka ide sot?! Mjafton të shikosh dhe të lexosh diku, vjen me ide të bukura por problemi është a i bën dot? A i ke paratë dhe a i ke mundësitë ti financosh ato? Pikërisht, ajo që kemi bërë ne në këtë sektor si dhe në shumë fusha të tjera është pikërisht që idetë i kemi bërë realitet me vepra, duke siguruar financime dhe duke mbyllur gropat financiare që ju keni hapur. Të gjitha ato akuza që hidhni këtu janë thjesht për të helmuar mendjen e atyre pak qytetarëve që mund të jenë në gjendje t’iu besojnë.

Mungesën e shpresës e keni tek anëtarësia, tek njerëzit tuaj sepse nuk ka gjë më të keqe tek një parti politike e cila ka katër vjet në opozitë që ta dijë të sigurtë humbjen se nuk ka ndodhur ndonjëherë. Dhe ne në vitin 2009 humbëm, dikush do të thotë me hile apo me të drejtë, por të paktën besonim që do të fitonim. Kurse ju hyni në një garë të kapitulluar. Atëherë çfarë do bësh, si ai njeriu që nuk ka shans, do bëjë zhurmë, do bëjë rrëmujë. Ky është i vetmi problem që ju keni, prandaj kjo asimetri është e tmerrshme për sistemin demokratik. Ky është problemi real, unë ju kuptoj. Ky është problemi juaj dhe vini e ktheni këtë sallë në një teatër akuzash pa asnjë pikë vlere. Prandaj kjo sallë e ka humbur legjitimitetin siç tha z.Mediu dhe e falënderoj për këtë.

Së fundi, doja të sqaroja edhe një problem tjetër në lidhje me çështjen që ngriti deputeti nga Fieri për situatën e lëkundjeve në Zharrëz. Është e vërtetë që fenomeni i lëkundjeve është shumë vjeçar në atë zonë. Ne të paktën si qeveri bëmë një gjë të mundur, arritëm të detyrojmë kompaninë Bankers Petroleum që të investonte për vendosjen e sismomatësave të cilët i administrojmë ne e përmes të cilëve bëhet matja e sizmikës. Në fakt, nga raportet e fundit që kam, raportet janë monitoruar në mënyrë rigoroze e duke nxjerrë disa konkluzione. Ka patur mbi 889 ngjarje lëvizje sizmike të një magnitude nga 0.3 deri në 3 ballë çka ka sjellë shqetësime edhe tek banorët. Është një shqetësim që në fakt has në vështirësi për investigimin nëse ka lidhje me aktivitetin hidrokarbur apo jo. Ne kemi dyshimet tona, të paktën këto të dhëna paraprake na kanë dhënë një mundësi të fokusojmë një investigim aty ku duhet. Patjetër që shteti do të marrë masa duke kontraktuar sëbashku me kompaninë ekspertë të pavarur që të bëjmë një investigim tërësor të këtij fenomeni, ashtu sikurse kanë bërë edhe vende të tjera aty ku ka aktivitet hidrokarbur.

Nuk duhet të politizohet ky problem, aq më tepër kur kjo qeveri u tregua e përgjegjshme për të instaluar pajisjet dhe detyruar kompaninë të ndajë të dhëna, jo si më parë kur shteti ishte i shurdhër dhe banorët detyroheshin të sulmonin asetet e kompanisë çka është një ngjarje jo e deshirueshme. Dua të sqaroj qytetarët e Fierit që këtij procesi do ti shkohet deri në fund. Do kohën e vet pasi është një proces i vështirë shkencor e teknologjik. Ne si ministri nuk i kemi ato mundësi, institute i gjeoshkencave ka gjithashtu kapacitete të limituara por me rëndësi është që na ka dhënë një pasqyrë për gjithë lëvizjet sizmike. Kjo është një bazë e mirë dhe e nevojshme që ne të mund të marrim ekspertizë ndërkombëtare dhe të investigojmë nëse ka lidhje aktiviteti hidrokarbur me lëvizjet sizmike e deri në çfarë shkalle në mënyrë që të nxjerrim përgjegjësitë qoftë për kompaninë apo qoftë edhe për shtetin. Kjo është e vetmja mënyrë dhe kërkoj mirëkuptim e jo spekulim politik. Industria gjithmonë ka probleme, sektori energjitik apo industrial ka shqetësimet e veta edhe në komunitet. Me rëndësi është që sëbashku të gjejmë adresimin e duhur sepse nuk kemi qëllim as të frikësojmë investitorët por njëkohësisht edhe të përgjigjemi para popullatës siç duhet.

Të dashur kolegë,

Ju lutem, dufin e mungesës së shpresës për të ardhur në pushtet mos e sillni në këtë sallë, kursejani shqiptarëve këtë gjë. Nëse doni vërtet drejtësi, miratojini të gjitha këto ligje dhe mundësisht lëjani palëve të huaja. Nuk më vjen mirë edhe mua si shqiptar, por faktikisht këtu jemi katandisur. Këtë thoni ju, nuk ka besim tek ky institucion se është ai i partisë, s’kam besim tek kjo tjetra. Atëherë lejani aktorëve të huaj. Meqenëse aktorët e huaj folën, do të ishte më e ndershme që edhe ju të thonit po. Aktorët folën le ta pranojmë. Ligji i vetingut bëhet dhe ky poçes të fillojë, për ti shkuar deri në fund të vërtetave. Edhe për të garantuar ndonjë frikë tuajën se nuk fitoni zgjedhjet se paska shumë drogë në qarkullim.

Faleminderit!