Postuar më: 28 Tetor 2016

"Të drejtat e punëtorëve të industrisë së naftës do të mbrohen"

Fjala e mbajtur sot në Kuvend nga Ministri i Energjisë dhe Industrisë z.Damian Gjiknuri

E nderuar drejtuese e seancës,

Të nderuar deputetë,

Marr shkas nga ndërhyrja që bëri deputeti dhe në fakt e falenderoj. Më jep mundësinë që të jap një sqarim në lidhje me një problem që ka kohë që bëhet gangrenë për zonën e Vlorës, gangrenë për industrinë e naftës. Realisht është një kontratë që ka krijuar jashtëzakonisht probleme me komunitetin dhe me njerëzit që punojnë aty.

Në fakt, për ta ditur qytetarët, kjo është marrëveshja e famshme që dikur qeveria ia dha vetes së saj, pra ia dha njerëzve të maxhorancës në vitin 2007. Një kompani shqiptare, sepse kishte thjesht një mballomë kanadeze se nuk kishte asnjë lidhje me kompaninë kanadeze. Dihen shumë mirë personazhet që e zotëronin atë fushë naftë dhe që normalisht është një nga kontratat më të dështuara të naftës që ka parë historia e zhvillimit të naftës në Shqipëri. Një fushë, e cila pasi u vodh në mënyrë sistematike, ka vajtur tek pika e fundit, ku ajo shoqëri, pasi kaloi disa duar është në një falimentim të plotë. Realisht, njerëzit nuk kanë marrë paga për arsye se kjo kompani nuk po mire administrohet. Kjo kompani tashmë e ka përmbushur misionin e saj dhe pikërisht për këto shkaqe, pasi nuk realizoi as investime. Ka realizuar vetëm 1% të investimeve të plan buxheti që kur është miratuar marrëveshja hidrokarbure dhe ka krijuar një detyrim vetëm ndaj Albpetrol mbi 20 milion dollarë, për të mos thënë milion dollarë të tjerë që i ka kontraktorëve të tjerë, duke e bërë fushën e Cakran dhe Gorisht-Koçulit një nga fushat më të dështuara të naftës.

Nisur nga këto shkaqe, qeveria shqiptare, nëpërmjet Ministrisë dhe Albpetrol që në fund të vitit të kaluar ka filluar procedurat e prishjes së marrëveshjes. Por, procedurat sipas kontratës, dhe këtu për ta shpjeguar legjislacioni shqiptar, kontrata e ka që duhen 6 muaj kohë për të korrigjuar shkeljen, pas 6 muajsh mund të bëhet njoftimi për ndërprerjen e kontratës. Këto 6 muaj kanë ndodhur që në momentin kur ata janë njoftuar për shkeljet e ndodhura dhe nuk kanë korrigjuar. Patjetër që ka filluar edhe degradimi masiv duke mos paguar punëtorët, madje duke zhvatur shumë asete të kësaj fushe dhe ne jemi duke e ndjekur.

Unë i garantoj qytetarët shqiptarë, sidomos qytetarët e Vlorës, por edhe ata të Ballshit, kushdo që preket nga kjo kontratë se ne shumë shpejt do të marrim në dorëzim të gjitha këto asete, do ti marrim dhe do ti administrojmë ashtu siç duhet. Edhe po ia dhamë ndonjë kompanie të huaj, do të gjejmë kompani të specializuar, të mirëfilltë për naftë dhe jo një grup njerëzish që nuk kanë asnjë lidhje me zhvillimin e naftës, të cilët thjesht e kanë vjedhur dhe e kanë rrjepur këtë fushë nafte. Ne kemi bërë njoftimet në Shtator për prishjen e kontratës, kemi ngritur grupet e punës për marrjen në dorëzim të puseve dhe jua them të gjithë qytetarëve, atyre të Vlorës dhe atyre të Ballshit se shumë njerëz janë që shkruajnë, interesohen për fatin e kësaj kompanie kombëtare, ne po bëjmë gjithçka që të korrigjohet çfarë ka shkuar dëm me këtë fushë nafte.

Kjo është fusha e dytë e naftës më e madhe në Shqipëri, e thashë, e rrjepur në mënyrë sistematike, e vjedhur nga njerëz që nuk kanë lidhje me naftën, personazhe që i njohin këta të gjithë. Të gjithë i njohin kush i ka pasur ato fusha nafte dhe ka ardhur tek pika që as ata vet nuk e mbajnë dot më atë kompani dhe prandaj kanë lënë njerëzit pa paguar. Pasuritë e tyre, një pjesë janë sekuestruar nga përmbarues privatë dhe nga interesa të njerëzve që i kanë lënë me detyrime të pambyllura. Ndaj, ne po ndërhymë dhe shumë shpejt, thashë kjo fushë do ti kthehet shtetit. Shteti do ta marrë dhe mbase do të shohim mundësinë e dhënies, por kuptohet të kompanive serioze, ashtu siç kemi bërë edhe me rastin e kontratës së re me SHELL apo po negociojmë me kompani të tjera të mirënjohura ndërkombëtare të naftës dhe jo me kërpudha që ngrihen pa asnjë ekspertizë në naftë dhe që kanë marrë asete të rëndësishme të këtij vendi.

Falënderoj që ma dhe këtë mundësi dhe për të sqaruar qytetarët, elektoratin tuaj, kushdo që na dëgjon, që kjo fushë do t’iu kthehet shqiptarëve dhe i garantoj punëtorët që të gjitha të drejtat e tyre do të mbrohen kushdo që ta administrojë atë. Qoftë Albpetroli, qoftë një kompani serioze, të drejtat e tyre do të jenë të garantuara dhe ata patjetër do të punojnë dhe do të marrin pagën që meritojnë.

Faleminderit,