Postuar më: 08 Nëntor 2017

Buxheti i Shtetit 2018, dëgjesë publike me grupet e interesit për infrastrukturën

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë organizoi një dëgjesë publike me grupet e interesit për Buxhetin e Shtetit 2018 referuar infrastrukturës. Në këtë aktivitet mori pjesë Kryeministri Edi Rama, Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri dhe Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes Sonila Qato. Qeveria shqiptare këtë vit ka vendosur të shtojë me mbi 42% nivelin e financimit për infrastrukturën rrugore. Ministri Gjiknuri gjatë fjalës së mbajtur në këtë takim theksoi se në fokusin e qeverisë do të kenë përparësi projektet e filluara dhe sidomos ato që kanë të bëjmë me akset dhe me nyjet kryesore kombëtare. “Me buxhetin e vitit tjetër ne do të bëjmë të mundur mbylljen e të gjithë kantiereve të hapur, fatkeqësisht të filluar shumë kohë më parë dhe asnjëherë të financuara siç duhet dhe vazhdimin e projekteve të tjera strategjike që lidhen me zhvillimin e  turizmit dhe zhvillimin e ekonomisë. Qoftë Lin-Pogradec, qoftë pjesa Kukës-Morinë apo projektet e tjera që kanë ngelur ne mes, përfshirë edhe dy byspasset i Vlorës dhe i Fierit, projekte jashtëzakonisht të rëndësishme që fatkeqësisht kanë marrë shumë kohë edhe për shkak të kontraktimeve jo të duhura të bëra shumë vite më parë, por që praktikisht po i vuajnë sot të gjithë shqiptarët”, theksoi Ministri.

Gjiknuri është ndalur në disa projekte konkrete, ku ndër të tjera përmendi vazhdimin e lotit të dytë të rrugës Korçë-Ersekë. “Do të vazhdojmë me procedurat për hapjen e bypassin e Tepelenës, duke përfunduar plotësisht të gjitha këtë segment, pra nga Levani deri në pjesën fundore të jugut. Do të vazhdojmë me hapjen e procedurave të reja për unazën dhe prioritet do ti japim nyjes nga shkolla industriale deri tek sheshi shqiponja, e cila pas segmentit tashmë të përfunduar që vjen nga TEG-u dhe del deri tek shkolla industriale meriton një ndërhyrje serioze në mënyrë që të lehtësohet trafiku dhe trafiku të shkojë në Durrës. Edhe këtu do të jetë një financim kryesisht i qeverisë shqiptare nga fondet e Buxhetit të Shtetit. Do të vazhdojmë me lotin e dytë të Korçë-Ersekë, duke lidhur përfundimisht edhe bashkinë në fjalë me një rrjet modern rrugor, duke e bërë pjesë e rrjetit kombëtar të ri rrugor”, u shpreh Gjiknuri ndërsa shtoi se edhe Korridori Adriatiko-Jonian do të marrë përparësi.