Postuar më: 06 Shkurt 2017

“Energjia, investim në teknologji për një shërbim më cilësor”

Fjala e Ministrit të Energjisë dhe Industrisë z.Damian Gjiknuri gjatë takimit të zhvilluar me familje përfituese nga reduktimi deri në zerim i kamatëvonesave të energjisë:

Në fakt, dëshmitë tuaja i përgjigjen një dileme që ne e kemi pasur qysh në fillim të herës kur filluam çështjen e reformës në sektorin elektroenergjetik. Përballë gjendej një problematikë shumë e madhe e borxheve të trashëguara nga qytetarët, një pjesë e madhe për shkak të papërgjegjshmërisë dhe abuzimit, por një pjesë tjetër edhe për shkak të pamundësisë dhe politikës së gabuar që ndjekur nga qeveria e shkuar që thoshte mos paguani.

Ne vendosëm të impononim disiplinën sepse sistemi elektroenergjitik është sistemi juaj dhe i joni i përbashkët. Do të thotë se po nuk pagove për të ai do bjerë, do kolapsojë. Nuk do të ketë më energji elektrike, nuk do të ketë më shërbime dhe paratë aq të pakta dhe të dëshiruara nga qytetarët për të shkuar për shkolla, për rrugë, për shërbime më të mira, për rroga dhe pensione nuk do ekzistojnë. U ngrit me të drejtë këtu çështja e rritjes së pensioneve por duhet të kuptoni se janë qindra miliona euro që shkonin për të mbuluar vjedhjet në sektorin elektroenergjetik.

Çka bëmë ne? I dhamë një shans njerëzve, i krijuam një mundësi meqenëse një pjesë e mirë e këtyre borxheve ishin akumuluar dhe qytetarët e kishin të pamundur. Ne vendosëm që të shtrihet në kohë shlyerja e detyrimit dhe njëkohësisht le të fshihet një pjesë e këtyre kamatave. Praktikisht është një dëshmi e gjallë këtu dhe shifrat flasin vet, janë mbi 140 milion dollarë të falura, të hequra nga kurrizi i qytetarëve por njëkohësisht qytetarët treguan bashkëpunimin e tyre të plotë, gatishmërinë për të hyrë në skema pagese.

Sistemi elektroenergjik është  i joni, është i përbashkët, është fuqia jonë e përbashkët ndaj të gjithë bashkë e mbajtëm në këmbë dhe ne po jua kthejmë kontributin me investime. Ju e keni parë që këto vite është investuar më shumë se çdo herë tjetër dhe kjo me qëllimin që ti plotësohet klientëve ajo që ata meritojnë. Ata po paguajnë tashmë dhe meritojnë shërbim më të mirë.

Po bëjmë investime në rrjet. Mori fund koha e faturës aforfe dhe e familjeve pa sahat të energjisë elektrike. Tashmë jeni të gjithë dëshmitarë që ne përfunduam për herë të parë pas shumë vitesh procesin që që çdo konsumator shqiptar të ketë sahat të energjisë elektrike dhe ti vijë fatura. Ka probleme? Ka akoma disa probleme dhe jemi shumë koshientë të atyre problemeve. Ka njerëz përshembull që nuk jetojnë në shtëpitë e tyre, janë larg, janë në emigracion dhe sahatin e kanë brenda shtëpisë. Shpeshherë faturohen me një mesatare të caktuar dhe ka shpesh ankesa. Ne po mendojmë një zgjidhje edhe për këtë.

Përshembull, një nga produktet e reja që do ta ofrojmë për qytetarët do të jetë që të paguhet një mesatare mujore si faturë dhe leximi i faturës edhe për shkak se është e pamundur në disa raste, të lexohet një herë në tre muaj. Dhe aty të bëhet azhornimi. Në qoftë se ka më shumë detyrime operatori ia kthen qytetarit, ose e kundërta. Pra do të thotë që edhe qytetari paguhet me një pagesë konstante njësoj si këto marrëveshjet, po nga ana tjetër ka mundësi që të korrigjohet abuzimi. Sepse shpesh herë ka lexues të papërgjegjshëm që nuk shkojnë ta lexojnë dhe ne po i luftojmë ata përditë. Në disa raste mund ta kenë edhe pamundësi fizike për shkak të shtrirjes por ka edhe papërgjegjshmëri dhe shpesh herë ka ankesa nga qytetarët.

Nuk janë eliminuar këto fenomene ende por e rëndësishme është që ne edhe përmes teknologjisë të krijojmë një sistem shumë më efikas. Sot kemi nisur aplikimin edhe të leximit të sahatit, fotografimit dhe më pas dërgimit të tij në qendër. Sa herë që ka ankesa ato verifikohen me të dhënat që janë në qendër dhe njerëzve ju kthehet përgjigje në kohë. A ka nevojë për përmirësim këtu? Po! Po ju them edhe një gjë, ne po investojmë bashkë me Operatorin e Shpërndarjes, pra nën orientimet e politikës së qeverisë që të përmirësohet akoma më tej shërbimi i klientit dhe kthimi i përgjigjes në kohë. Ky është çelësi i suksesit dhe kjo do të jetë sfida e periudhës që na pret. Pra, krahas investimeve që do të vazhdojnë, do të jetë edhe përmirësimi i shërbimeve, kthimi i përgjigjeve në kohë për çdo lloj ankese të mundshme.

Më vjen mirë që qytetarët e kanë ndjerë, e kanë përqafuar këtë reformë dhe unë personalisht nga të gjithë kontaktet me ta e kam vënë re që e quajnë një nga reformat më shtetformuese. Kanë kuptuar se po kontribuojnë për një gjë që është e tyre, çdo pagesë e tyre ju kthehet mbrapsht. Në vitin 2013 plot 23 miliard lekë ose rreth 200 milion dollarë me kursin e asaj kohe shkonin për të garantuar sistemin elektroenergjetik. Pra, për të financiar keq menaxhimin, vjedhjen dhe abuzimin. Tashmë, këto para nuk shkojnë më nga Buxheti i Shtetit për vjedhje dhe për abuzime, përkundrazi u krijua mundësia e rritjes së rrogave, rritjes së pensioneve dhe investimeve të tjera që po ndodhin në shumë fusha të ekonomisë.

Le ta vazhdojmë këtë marrëdhënie të mirë që kemi krijuar. Kontributi juaj nuk është kontribut thjesht për ne, se ne jemi të përkohshëm në administrimin e shtetit por është kontribut për gjithësecilin nga ju. Ne ju kemi detyrimin t’ju japim një shërbim më të mirë dhe kjo është sfida jonë e ardhshme dhe për këtë po investojmë.

Ju faleminderit shumë!