Postuar më: 14 Nëntor 2017

"Energy Expo & Forum 2017", Çinari: Nxitje e prodhimit të energjisë prej burimeve të rinovueshme

Zëvendës ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Dorina Çinari ishte e pranishme në ceremoninë e hapjes së “Energy Expo & Forum 2017” organizuar nga Expocity Albania në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe Bashkinë Tiranë. Forumi do të ketë në fokus të veçantë në Energjinë e Rinovueshme dhe në Eficencën e Energjisë, ku të gjithë aktorët e tregut të energjisë elektrike do të paraqesin produktet dhe shërbimet e tyre.

Gjatë fjalës së rastit të mbajtur në ceremoni, zv.ministrja Çinari e vuri theksin tek sektori energjetik duke u shprehur se ai do të jetë në fokusin e axhendës së qeverisë edhe për vitet 2017-2020. “Ajo çka ne synojmë është zhvillimi i mëtejshëm i sektorit elektroenergjetik, duke konsoliduar qëndrueshmërinë financiare, atë operacionale dhe teknike me synim plotësimin e kërkesës në rritje për energji brenda vendit, duke pasur si prioritet integrimin e tregut vendas të energjisë në tregjet rajonale dhe ato europiane dhe duke ulur varësinë nga importi,” nënvizoi Çinari.

Duke u ndalur tek thellimi i reformës si dhe vazhdimin e programeve të investimeve, Çinari tha se në katër vitet e ardhshme planifikojmë të investojmë 170 milionë euro për forcimin e kapaciteteve gjeneruese të sektorit publik.

“160 milionë euro investime në transmetim, ku ndër më kryesori është ai i ndërtimit të linjës 400 kv mes Shqipërisë dhe Maqedoninë. Do të garantohet furnizimi me energji elektrike pa kufizim dhe cilësi nga rrjeti i transmetimit të objekteve të rinj industrial. Në total investimesh prej rreth 520 milionë eurosh, pritet të realizohet në sistemin e shpërndarjes. Pjesa dërrmuese e këtyre investimeve pritet të mbulohen me fondet e vetë kompanisë. Pjesë e kësaj pakete investimesh do të jenë edhe projektet me Bankën Botërore, me KfW për sistemin skada dhe leximin e matësve smart”, u shpreh Çinari.

Zëvendës ministrja Çinari u fokusua edhe tek nxitja e energjisë prej burimeve të rinovueshme, për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm me qëllim diversifikimin e burimeve.

“Në sektorin e energjive të rinovueshme investimet e pritshme në ngritjen e impianteve të gjenerimit të energjisë nga burimet diellore janë rreth 150 milionë euro, ku deri në 2020 do të instalohen rreth 50 MË me tarifë të rregulluar. Nga burimet me energjinë e erës, investimet e pritshme do të jenë afërsish rreth 60 milionë euro, ku deri në 2020 do të instalohen 30 MW me tarifë të rregulluar. Përsa i takon burimeve të reja ujore, qeveria do të ruaj ritmin e rritjes së këtyre burimeve duke krijuar një klimë të favorshme investimi për ta, me një pritshmëri për investime të ardhshme private me rreth 400 milionë euro, me një kapacitet rreth 300 MW të instaluar”, tha ndër të tjera Çinari.