Postuar më: 17 Nëntor 2017

Furnizim normal me ujë mbas shumë vitesh

Investimi për ujësjellësin e ri të Mbrostarit është një tjetër hap i rëndësishëm në kuadër të projekteve në ndihmë të komuniteteve nga kalon gazsjellësi TAP.

Ujësjellësi i Mbrostarit, në Fier po ndërtohet nga e para. Investimi prej 550 mijë eurosh, i cili është një nga projektet infrastrukturore që qeveria ka negociuar me TAP, do të ofrojë ujë për rreth 12 mijë banorët e kësaj zone (ku përfshihen fshatrat Mbrostar, Petovë, Makaj, Verri, Kallm, Mojalli, etj).  Ky ujësjellës përfshin rrjetin shpërndarës dhe depot e ujit.

Përveç ndërtimit të ujësjellësit, do të hapen edhe dy puse të reja, që do shërbejnë për furnizimin e ujit, njeri në fshatin Petovë dhe tjetri në fshatin Makaj. Ndër të tjera, investimi parashikon: ndërhyrje në pjesën e jashtme të ujësjellësit në fshatin Verrija; zgjatimin e tubacionit në fshatin Kallm; ndërtimin e tubacionit deri në fshatin Mojalli; ndërtimi i dy stacioneve të pompimit; tubacionin e dërgimit të ujit nga puset te dy rezervuaret. Te gjitha punimet po realizohen nga kompani shqiptare dhe janë punësuar rreth 50 persona.

Drejtori i Ujësjellësit tha se me shpimet që po realizohen sasia e ujit do të dyfishohet, duke bërë të mundur që të rritet numri abonentëve që furnizohen me ujë, si dhe sasia e këtij furnizimi.  “Është një projekt ku përfitojnë rreth 12 mijë banorë. Me këto dy shpime që po bëjmë, dyfishohet sasia e ujit. Duke dyfishuar sasinë e ujit, na krijohet dhe ne mundësia për të furnizuar dhe shumë abonentë në këtë kuotë sepse ka një kaos të abonentëve që na krijohet një mundësi e tillë për t’i formalizuar këto abonentë. Do të trefishohet sasia e ujit si orar në dispozicion të abonentëve. Ne kemi vendosur në këtë zonë rreth 100 matësa uji për abonentët që janë ekzistues dhe me përfundimin e projektit kemi në plan të vendosim dhe 600 matësa të tjerë. Ka filluar intensivisht puna nga abonentët, kryesisht nga debitorët.

Kryetari i Bashkisë Fier Armando Subashi u shpreh se bashkia Fier në bashkëpunim me Ndërmarrjen e Ujësjellësit  do të vijojnë me shtrimin e rrjetit, aty ku ai është i dëmtuar. “Është projekt, i cili do të zgjidhi problemin e furnizimit me ujë për gjithë fshatrat e njësisë administrative Mbrostar. Ky projekt është duke u përfunduar, në këtë fazë që jemi dhe pastaj bashkia me ndërmarrjen e ujësjellësit do të vazhdojnë me shtrimin e rrjeteve atje ku janë të dëmtuara ose atje ku nuk ka fare për të ardhur në çdo derë.”

Ndërsa Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë  Damian Gjiknuri tha se dyfishimi i fondeve për investime infrastrukturore, do të sjellë më shumë  objekte si shkolla, ujësjellës, rrugë, për këtë zone. “Ky ka qenë një nga projektet infrastrukturore që qeveria shqiptare ka negociuar me TAP-in, sepse dikur ka qenë një fond 6 milion euro. Dyfishuam fondin e investimeve në dobi të komunitetit dhe Fieri si një nga bashkitë ku kalon gazsjellësi u mendua që të ketë projekte infrastrukturore. Ku shkojnë? Shkolla, ujësjellës, rrugë.

Kryeministri Rama tha se më në fund me investime të tilla do të bëhet e mundur që të tejkalohen përfundimisht  situatat e krizës për ujë, duke bërë një transformim rrënjësor të situatës. “Për herë të fundit është investuar në vitin 1989, si këtu ka dhe plot zona të tjera.

Falë këtij bashkëpunimi ne sot bëjmë të mundur një transformim rrënjësor të situatës, por deri në 1 shkurt të tërë ata që kanë lidhje të paligjshme, të shkojnë tek ndërmarrja e ujësjellësit, ta legalizojnë lidhjen, kështu do shpëtojnë nga të gjitha borxhet se nuk do i kërkojë njeri borxhe të prapambetura dhe do shpëtojnë nga ndëshkimi pas 1 shkurtit, sipas Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë për të gjithë ata që vjedhin ujë.  E po ashtu, për të gjithë ata që janë punonjës të shtetit, kush merr një rrogë nga arka e shtetit, pra nga kontributet e taksave, nuk mundet të mos jetë në rregull me ujësjellësin. Nuk mundet të mos ketë matës, nuk mundet të ketë borxhe ndaj ujësjellësit. Këtu, me këtë investim do garantohet furnizimi normal mbas kaq shumë vitesh që ju keni hequr keq dhe do bëhet e mundur që nga një situatë krize për ujë, të kthehet në një situatë transformimi falë kësaj reforme që po bëjmë e kështu do ndodhë në të gjithë Shqipërinë. Të gjithë pasuritë tona natyrore duhet të ishin kthyer në mirëqenie e në pasuri për secilin. Nëse nuk u kthyen në çerek shekulli, është koha të fillojmë punojmë që t’i kthejmë, por nuk kthehen sa hap e mbyll sytë.