Postuar më: 18 Shtator 2017

Gjiknuri lajmëron aksionin për pastrimin e nyjeve e akseve kombëtare

Në kuadër të Programit Qeverisës dhe prioriteteve të 100 ditëve të para, qeveria do të fillojë një operacion në terren, që synon pastrimin e nyjeve dhe hapësirave në akset kryesore kombëtare. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri e lajmëroi këtë aksion në një deklaratë të dhënë në mbikalimin e Shkozetit.

Përmes kësaj ndërhyrjeje do të mund të bëhet çmontimi i çdo strukture të aktiviteteve civile/ekonomike pa leje dhe gjithashtu pastrimi nga tabelat e ndryshme që përveçse nuk kanë lidhje me sinjalistikën rrugore, pengojnë atë dhe bëhen burim aksidentesh. 

Bazuar mbi hartat, listën e pikave të zeza të evidentuara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar si dhe verifikimet në terren, janë duke u analizuar të gjitha pikat për ndërhyrje, duke klasifikuar ato sipas rriskut.

Po përgatitet një planveprimi i kordinuar me Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Policinë e Shtetit dhe Pushtetin lokal. Për shkak edhe të ekzistencës së problematikave të trashëguara e të pazgjidhura, që lidhen edhe me çështjet e pronësië, operacioni do të zhvillohet në disa faza. 

Si fazë e parë, do të fillohet me ndërhyrjen në rastet ku ka nevojë vetëm për pastrim dhe nuk ka implikime pronësore. Paralelisht do bëhet identifikimi, fotografimi dhe verifikimi i situatës së pronësisë lidhur me hapësirat dhe nyjet e rrjetit në akset kryesore rrugore. 

Në një fazë të mëtejshme do të kalohet në ndërhyrjen e sistemuar sipas projekteve specifike aty ku ka nevojë për shpronësim, pastrim, sistemim dhe gjelbërim. Në përfundim të këtij operacioni do mund të krijohet dhe sistemi mbrojtës i hapësirave dhe nyjeve, sistemimi i hyrje-daljeve, në të gjitha akset kombëtare për të parandaluar përsëritjen e ndërhyrjeve të paligjshme. 

“Në cilësinë e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë u bëj thirrje të gjithë atyre që me veprimet e tyre kanë cënuar disiplinën dhe sigurinë e akseve rrugore: Keni vetëm 15 ditë kohë që të bëni në mënyrë vullnetare çmontimin e çdo aktiviteti civil/ekonomik pa leje, heqjen e çdo tabele që nuk ka lidhje me sinjalistikën rrugore por e pengon atë. Në përfundim të këtij afati, strukturat përkatëse do të ndërhyjnë në të gjithë akset kombëtare. Nuk do të ketë asnjë tolerancë. Në përfundim të të gjitha fazave të operacionit, hyrje-daljet e akseve kombëtare, nyjet dhe hapësirat do të pastrohen plotësisht”, u shpreh ministri Gjiknuri. 

Ai u bëri thirrje të gjithë qytetarëve ta mbështesin këtë operacion, i cili mbi të gjitha synon dhe ka për objektiv rritjen e sigurisë së jetës së tyre duke garantuar zbatimin rigoroz të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë.