Postuar më: 10 Tetor 2017

Gjiknuri takon tregtarët e karburanteve, model të ri për reklamimin dhe ndriçimin

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri shoqëruar nga drejtuesit e Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Inspektoratit Qendror Teknik e Industrial zhvilluan sot një takim me përfaqësuesit kryesorë të operatorëve të tregtimit të karburanteve.

Ministri Gjiknuri u bëri të ditur operatorëve masat që po ndërmerr qeveria në kuadër të rritjes së sigurisë rrugore në vend. “Kemi filluar me punën për heqjen e çdo objekti të paligjshëm që është në kundërshtim me Kodin Rrugor. Janë kryesisht tabela, struktura apo reklama që pengojnë shikueshmërinë gjatë lëvizjes së mjeteve dhe bëhen shpesh burim aksidentesh. Kuptohet, një ndër pikat më problematike të trashëguara kanë qenë dhe karburantet, pavarësisht masave që u ndërmorën gjatë 4 vjeçarit të parë, ndonjëherë edhe pa sukses nga ministria e shkuar dhe këtë duhet ta them. Një problem që duhet zgjidhur sa më shpejt është ajo e tabelave shumë të mëdha ku reklamohen markat dhe listohen cmimet e karburanteve. Shpesh këto tabela konfuzojnë shoferët e makinave dhe bëhen burim aksidentesh”, u shpreh Gjiknuri.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë u dakordësua me operatorët për krijimin e një grupi të përbashkët pune që do të përcaktojë një standard të ri të reklamimit të karburanteve dhe ndriçimit gjatë natës, në përputhje me Kodin Rrugor.

“Ministria me Autoritetin Rrugor do të ngrejnë një grup pune bashkë me përfaqësuesit e operatorëve për të përcaktuar një standard. Kjo duhet të jetë uniforme për të gjithë dhe patjetër nuk duhet të ndikojë në konkurencë të pandershme. Ju jeni operatorët kryesorë ndaj ju kërkova tu thërras për bashkëpunim dhe kërkoj nga ana juaj që të gjejmë një zgjidhje të shpejt për këtë problem. Tu lihen disa ditë afat pasi dhe ju kërkoni masat tuaja, në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor. Përndryshe, jemi të detyruar që të ndërhyjmë ligjërisht. Preferoj më përpara dialogun dhe zgjidhjen me mirëkuptim, të punojmë sëbashku për ti dhënë një zgjidhje permanente sipas standardeve ligjore këtij problem”, nënvizoi Gjiknuri.