Postuar më: 13 Nëntor 2017

Inaugurohet uzina e re e Ferrokromit në Elbasan

Pas ringritjes nga e para, uzina e prodhimit të Ferrokromit në Elbasan, e treta e këtij lloji në industrinë minerare në vend, prodhon 20 mijë ton ferrokrom në vit dhe eksporton në tregjet e huaja. Me 20 milionë euro investim është bërë ndërtimi dhe vënia në punë e furrës së parë. Investitori, kompania GSA, planifikon të investojë edhe 12 milionë euro për ndërtimin e 2 furrave. 

“Ka një kapacitet 20 mijë ton në vit dhe është bërë një investim 20 milionë. Ka të punësuar 120 vetë. Pagat e punonjësve, në mesatare është 800 mijë,” – shpjegoi sipërmarrësi.

Ringritja e kësaj uzine ka zgjeruar jo vetëm kapacitetet përpunuese të industrisë dhe tregun e brendshëm të lëndëve të para, por ka rritur edhe prezencën e produkteve “Made in Albania” në tregun botëror. Amerikë, Gjermani, Itali, Francë etj. janë disa nga tregjet ku eksportohet ferrokromi i prodhuar në këtë uzinë.     

“Ky është transformim i madh, - nënvizoi Kryeministri, - sepse kalon nga ajo faza e tmerrshme të shitjes së mineralit të papërpunuar që është për një copë bukë tek rritja e vlerës dhe tek përfitimi i madh edhe kombëtar. Në momentin kur industria do bëhet e aftë që të përpunojë gjithë çfarë nxjerr këtu, do ndalohet ikja e mineralit për një copë bukë. Se ishte 25 vjet për një copë bukë, u shkatërrua çdo gjë. Ndërkohë që gjithë ky rindërtim krijon një bazë të re industriale dhe patjetër rrit vlerën e shtuar për vendin.”  

Në investimin e saj, kompania ka përfituar nga heqja e TVSH-së për makineritë e prodhimit, por drejtuesit e saj thonë se me ndërtimin e Rrugës së Arbrit, ata presin që kostot e transportit të ulen përgjysmë dhe si rezultat, edhe kostoja e produktit. “Rruga e Arbrit, rruga e Elbasanit ul gjysmë për gjysmë koston e transportit.”

Për Kryeministrin Rama, një infrastrukturë moderne i rrit vlerën edhe pasurisë nëntokësore.  “Krijimi i lidhjes midis gjithë asaj pasurie të madhe që është në nëntokë atje me infrastrukturën për përpunimin e tij, edhe vetëm ajo ia vlen në mënyrë që ajo pasuri të bëhet vlerë e shtuar për popullin.”