Postuar më: 02 Dhjetor 2017

Informacion mbi situatën në kaskadën e Drinit

Reshjet e dendura të shiut të rëna gjatë ditëve të fundit kanë përmirësuar situatën hidroenergjetike në Kaskadën e Drinit. Korporata Elektroenergjetike Shqiptare raporton se rezerva energjetike në orën 12:00 të ditës së sotme paraqitet në vlerën 572 GWh, ose 116 GWh më e lartë se ajo e datës 28 Nëntor kur nisën reshjet intensive të shiut. Ndërkaq, niveli i ujit në rezervuarin e hidrocentralit të Fierzës aktualisht është 273.16 m, thënë ndryshe rreth 5 metër më lartë krahasuar me fillimin e valës së reshjeve. Niveli i prurjeve në këtë hidrocentral aktualisht është 1000 m3/s.

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka angazhuar në kapacitet intensiv pune hidrocentralet e Komanit dhe Vaut të Dejës. Niveli i ujit në HEC Koman aktualisht është në 173.26 m dhe prurjet 350 m3/s ndërsa në HEC Vau Dejës është 74.89 m dhe prurjet 80 m3/s.

Përveç energjisë së tërhequr nga OST për shërbimet e balancimit dhe OSHEE për konsumin vendas, KESH ka shmangur maksimalisht derdhjen e ujit pa prodhim energjie duke shkëmbyer për depozitim me Korporatën Elektroenergjetike të Kosovës sasinë prej 26500 MWh dhe shitur në treg të parregulluar sasinë prej 58000 MWh.

Në konkluzion, situata në Kaskadën e Drinit vazhdon të jetë plotësisht nën kontroll dhe menaxhimi po kryhet në përputhje me rregulloren e plotave.