Postuar më: 06 Nëntor 2017

Ligjshmëria në konsumin e ujit, Gjiknuri: Luftë pa kompromis informalitetit

Në takimin prezantues të fillimit të operacionit kombëtar për luftën ndaj informalitetit në sektorin e ujit të pijshëm, Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë z.Damian Gjiknuri theksoi rëndësinë e këtij procesi. “Sot jemi përpara një tjetër sfide dhe vendimmarrje, që synon ndërmarrjen e një operacioni kombëtar me qëllim mirëadministrimin e ujit, duke i dhënë fund abuzimit e paligjshmërisë me të. Prodhojmë 20 % me shume sa nevojitet sikur të gjithë të kishim një furnizim 24 orë në 7 ditë të javës. Në 3 litra ujë që prodhohet vetëm 1 arrin të faturohet, pjesa tjetër vidhet dhe shpërdorohet”- u shpreh ministri në fjalën e tij.

Më tej, ai theksoi se prej 20 vitesh ndërmarrjet e ujësjellësave janë konceptuar si  vende pune për militantët dhe jo kompani që duhet të administrojnë këtë pasuri publike dhe se pavarësisht investimeve të kryera, nga ana e bashkive nuk është garantuar rritja e performancës së ujësjellësave, ndaj theksoi ai është bërë e detyrueshme tashmë për qeverinë që të ndërmarrë këtë operacion kombëtar për luftën ndaj informalitetit në ujin e pijshëm.

“Objektivi kryesor është që brenda vitit 2018 çdo konsumator të jetë i pajisur me kontratë dhe matës, të paguajë rregullisht detyrimet dhe të jetë i ndërgjegjshëm për rëndësinë e ujit të pijshëm”, nënvizoi më tej  Gjiknuri, ndërsa paralajmëroi takime në ditët e ardhshme me drejtuesit e ujësjellësavë për të sqaruar mënyrën se si do të funksionojë ky operacion.

“Qeveria qendrore do  të jetë mbështetje, nxitësja dhe monitoruesja  e përpjekjeve për të rikthyer ligjshmërinë në konsumin e ujit të pijshëm. Ky do të jetë një aksion kombëtar që do të përfshijë dhe angazhojë pothuaj të gjitha institucionet qëndrore dhe vendore, duke qenë se është shumëdimensional gjithashtu pjesë shumë e rëndësishme e këtij aksioni është edhe përfshirja e plotë e qytetarëve dhe shoqërisë civile”, tha më tej Gjiknuri.

Sipas ministrit, operacioni do të ketë fazën e parë të reflektimit dhe të vetëdisiplinimit e cila do të zgjasë deri në fillim të vitit të ardhshëm. “Gjej rastin t’ju kërkoj të gjithë qytetarëve ta shfrytëzojnë këtë periudhë ndërgjegjësimi për t’ju rikthyer vullnetarisht ligjshmërisë së konsumit të ujit. Shoqëritë e ujësjellësave duhet të marrin masa për të arkëtuar të gjitha faturat dhe detyrimet. Objektivi i parë i këtij operacioni do të jetë respektimi i ligjit nga vet institucionet e shtetit, dhe nëpunësit e administratës publike. Nuk do të ketë asnjë tolerim. Dhe ky proces disiplinimi do të fillojë menjëherë. Objektivi i dytë është biznesi, pasi nuk ka se si të pranohet që një sipërmarrje private të paguajë më pak për ujin se sa një familje. Nuk do mbetet pa verifikuar derë më derë edhe çdo konsumator familjar”, sqaroi Gjiknuri.

Faza e II e operacionit është ajo e shtrëngimit, e cila nis me fillimin e vitit të ardhshëm. Do të ketë verifikim dhe ndërhyrje derë më derë te çdo konsumator. Grupet e inspektimit dhe monitorimit do të duhet të procedojnë rast pas rasti me prerjen e lidhjeve të paligjshme dhe me procedim penal kur është rasti.

“Çdo bashki duhet të nënshkruajë me qeverinë një kontratë performance mbi bazën e të cilës do të sanksionohen detyrimet reciproke. Mbështetja me subvencione apo investime do të varet pikërisht nga performanca dhe rezultatet në këtë operacion. Refuzimi i mbështetjes me subvencione e investime deri tek marrja nën administrim e ndërmarrjeve do të jetë masa penalizuese ndaj njësive vendore që nuk dëshmojnë shëndoshjen financiare të ujësjellësave”, paralajmëroi ministri ndërsa shtoi se paralelisht me ndërhyrjen në terren do të punohen për përmirësimin e kuadrit ligjor, mirëadministrimin e aseteve. rritjen e kapaciteteve njerëzore dhe qëndrueshmërisë financiare.

 

Fjala e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri:

Tre vite më parë, qeveria shqiptare mori vendimin e vështirë dhe të guximshëm për fillimin e një operacioni të rikthimit të ligjshmërisë në konsumin e energjisë elektrike. Paralelisht me të, u vu në zbatim një plan i detajuar për një reformë të thellë ligjore në sektorin elektroenergjitik.

Bashkë me skepticizmin që shoqëron të tilla vendimmarrje, morëm përsipër edhe kostot elektorale të një ndërhyrjeje që synonte çrrënjosjen e filozofisë së energjia është një “mall pa zot” i shkëmbyeshëm me vota.

Në tre vitet e shkuara, por edhe sot e kësaj dite, i dëshmuam çdo qytetari shqiptar se jemi të vendosur të mos bëjmë asnjë kompromis në kurriz të ligjshmërisë. Qytetarët e ndershëm e mbështetën masivisht këtë operacion duke dëshmuar se e duan një Shqipëri me shtet ligjor si të vetmen rrugë që u siguron edhe një furnizim të qëndrueshëm e cilësor me energji.

Sot jemi përpara një tjetër vendimmarrjeje po aq të vështirë e shumë me komplekse që synon ndërmarrjen e një operacioni kombëtar gjithëpërfshirës me qëllim mirëadministrimin e ujit duke i dhënë fund abuzimit dhe paligjshmërisë me të.

Për të kuptuar situatën ku ndodhemi, mjafton tu jap vetëm dy të dhëna. Prodhojmë 20% ujë më shumë se sa nevojitet sikur të gjithë të kishim një furnizim 24 orë në 7 ditë të javës. Në 3 litra ujë që prodhohen, vetëm 1 arrin të faturohet. Pjesa tjetër vidhet e shpërdorohet!!!

Prej 20 vitesh, ndërmarrjet e ujësjellësave janë konceptuar si vende pune për militantë dhe jo kompani në të cilat duhet të administrohet kjo pasuri publike në shërbim të qytetarëve.

Pavarësisht investimeve të kryera me fondet e qeverisë qendrore dhe donatorëve, nga ana e bashkive nuk është garantuar rritja e performancës së ujësjellësave.

Treguesit ekonomikë të këtyre kompanive janë vazhdimisht negativ  duke u kthyer në një barrë financiare për pushtetin qendror e lokal por edhe gjenerues borxhesh zinxhir për shkak se janë edhe debitorët kryesorë të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.

Dështimi i deritanishëm me administrimin e ujësjellësave e ka bërë të detyrueshme tashmë për qeverinë që të nxisë ndërmarrjen e një operacioni kombëtar për luftën ndaj informalitetit në sektorin e ujit të pijshëm.

Objektivi kryesor është që brenda vitit 2018, çdo konsumator të jetë i pajisur me një kontratë dhe matës, të paguajë rregullisht detyrimet dhe të jetë i ndërgjegjshëm për rëndësinë e ujit të pijshëm.

Ky operacion ka si aktorë kryesorë 61 bashkitë që shtrihen në të gjithë territorin e vendit. Gjatë ditëve të ardhshme do të zhvillohen takime në nivel teknik me drejtuesit e ujësjellësave për tu sqaruar në lidhje me mënyrën se si do duhet të funksionojë ky operacion.

Qeveria qendrore do të jetë mbështetësja, nxitësja dhe monitoruesja e përpjekjeve për të rikthyer ligjshmërinë në konsumin e ujit të pijshëm. Ky do të jetë një aksion kombëtar që do të përfshijë dhe angazhojë pothuajse të gjithë institucionet qendrore dhe vendore, duke qenë se është shumëdimensional. Gjithashtu, pjesë shumë e rëndësishme e këtij aksioni është përfshirja e plotë e qytetarëve dhe shoqërisë civile.

Duhet kuptuar se suksesi i kësaj ndërhyrjeje është pikë së pari sukses për qytetarët e ndershëm të cilët nuk do ndjehen më pakicë por do jenë shumica. Nuk do detyrohen të paguajnë e mbajnë në kurriz edhe koston e atyre që vjedhin dhe shkelin ligjin.

Operacioni do të ketë fazën e parë të reflektimit dhe vetdisiplinimit e cila do të zgjasë deri në fillim vitin e ardhshëm. Gjej rastin tu kërkoj të gjithë qytetarëve ta shfrytëzojnë këtë periudhë ndërgjegjësimi për të ju rikthyer vullnetarisht ligjshmërisë në konsumin e ujit.

Shoqëritë e ujësjellësave duhet të marrin masa për të arkëtuar të gjitha faturat e detyrimeve ndërsa duhet theksuar fakti se kemi të bëjmë me tituj ekzekutiv dhe ekzistojnë të gjitha hapësirat ligjore për mbledhjen e borxheve.

Objektivi i parë i operacionit do jetë respektimi i ligjit nga vet institucionet e shtetit dhe nëpunësit e administratës. Nuk do të ketë asnjë tolerim dhe ky proces disiplinimi do të fillojë menjëherë. Objektivi i dytë është biznesi pasi nuk ka se si të pranohet që një sipërmarrje private të paguajë më pak për ujin se sa një familje. Nuk do të mbetet pas as verifikimi i çdo abonenti familjar për të garantuar rikthimin e plotë të ligjshmërisë. Mbi të gjitha nuk duhet të tolerohet por të ndëshkohet çdokush që abuzon dhe shpërdoron ujin duke e vjedhur.

Faza e dytë e operacionit është ajo e forcës, e cila nis fillimvitin e ardhshëm. Do të ketë verifikim dhe ndërhyrje derë më derë tek çdo abonent dhe konsumator i ujit të pijshëm. Grupet e inspektimit dhe monitorimit do duhet të procedojnë rast pas rasti me prerjen e lidhjeve të paligjshme dhe procedimin penal. I pari që duhet të ndëshkohet është punonjësi i ndërmarrjes së ujësjellësit që ka toleruar vjedhjen e më pas edhe subjekti institucion, privat apo familjar qoftë ai.

Në respekt të plotë të parimit të decentralizimit, qeveria qendrore do të mbështesë e nxisë përmes strukturave të saja ligjzbatuese çdo ndërhyrje në terren të bashkive dhe ndërmarrjeve respektive të ujësjellësave. Do të ofrohet mbështetje e konsulencë teknike, përmirësim i kuadrit ligjor dhe nxitje e qytetarëve për kryerjen e pagesave. Po punohet tashmë për një mekanizëm të qëndrueshëm për problematikat e aspekteve sociale për të ofruar mbështetje financiare për familjet në nevojë.

Çdo bashki do të nënshkruajë me qeverinë një kontratë performance mbi bazën e të cilës do të sanksionohen detyrimet reciproke. Mbështetja me subvencione apo investime do të varet pikërisht nga performanca dhe rezultatet në këtë operacion.

Refuzimi i mbështetjes me subvencione e investime deri tek marrja nën administrim e ndërmarrjeve do të jenë masat penalizuese ndaj njësive vendore që nuk dëshmojnë shëndoshjen financiare të ujësjellësave.

Paralelisht me ndërhyrjen në terren, do të punohet për përmirësimin e kuadrit ligjor, mirëadministrimin e aseteve, rritjen e kapaciteteve njerëzore e qëndrueshmërinë financiare.

Rritja e arkëtimit të faturave të ujit do të mundësojë shtimin e investimeve për rinovimin dhe ndërtimin e një rrjeti modern shpërndarjeje dhe sistemi matës. Ulja e humbjeve do të ketë një efekt të menjëhershëm në shtimin e orëve të furnizimit me ujë për çdo konsumator.

Beteja për ujin është betejë për jetën. Kështu që sot për ne do të jetë një betejë jetë a vdekje, që edhe këtë pasuri të madhe kombëtare ta administrojmë siç duhet dhe roli juaj si kryebashkiak është deçiziv në këtë nismë të qeverisë. Ne do të mbështesim investimet, por siç e thashë investimi do të vijë vetëm pas një performance të mirë të çdo bashkie në këtë drejtim.