Postuar më: 28 Shtator 2017

Mbështetja e kfW për efiçencën, Kuvendi miraton grantin shtesë 2 mln Euro

Kuvendi i Shqipërisë miratoi në seancën e sotme Projektligjin “për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet qeverive të Shqipërisë dhe Gjermanisë për projektin ‘programi për rinovimin e konvikteve në kampusin universitar të Tiranës sipas parimit të efiçencës energjitike, faza II’”.

Projektligji është miratimi i pjesës së dytë të grantit të dhënë nga qeveria e Gjermanisë në kuadër të bashkëpunimit dypalësh. Pjesa e parë e financimit është miratuar më herët nga Kuvendi dhe ishte në shumën 4.5 milion Euro ndërsa projektligji i miratuar sot shton edhe 2 milion euro të tjera.  Të dyja grantet kanë për synim që të financojnë në shumën 6.5 milion euro projektin e rehabilitimit të konvikteve të Qytetit Studenti, i cili ende nuk ka filluar implementimin.

Financimet që akordohen nga Qeveria gjermane konkretizohen nëpërmjet lidhjes fillimisht të marrëveshjeve ndërqeveritare dhe më pas me lidhjen dhe bërjen efektive, pasi fondet bëhen aktive fillon zbatimi i projektit.

Përmes një tjetër marrëveshjeje të mëparshme, po me grant të palës gjermane prej 5.2 milion eurosh ka filluar dhe po kryhet rehabilitimi i konvikteve të Qytetit Studenti Nr.2, ose siç njihen ndryshe konviktet e Inxhinierisë së Ndërtimit. Punimet në këto godina tashmë janë në fazën intensive të tyre.

Rehabilitimi do të bëhet në përputhje me përcaktimet e reja të ligjit “për performancën e energjisë në ndërtesa”. Synohet rehabilitimi në funksion të rritjes së efiçencës së energjisë dhe kushtet e konfortit të studentëve sipas kërkesave minimale të performancës së energjisë.

Rehabilitimi përfshin rinovimin e instalimeve sanitare, rinovimin e pajisjeve elektrike, sistemin e ngrohjes, ftohjes, ventilimit, prodhimit të ujit të ngrohtë sanitar, masat e sigurisë, lavanderi me operim monedhash, dhoma të përbashkëta studimi etj, në mënyrë që të përmirësohet jetesa dhe mjedisi i të mësuarit për studentët. Reduktimi i konsumit të përgjithshëm të energjisë së ndërtesave duke synuar që treguesi i performancës së energjisë të jetë të paktën 75 kWh/m2 në vit dhe të sigurojë përmirësimin e kushteve të jetesës së studentëve.

 

Fjala në Kuvend e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë z.Damian Gjiknuri:

I nderuar kryetar,

Të nderuar deputetë,

Këtu hidhen akuza në mënyrë absurde. Pavarësisht se thoni se do ta miratoni marrëveshjen aludoni se do u vidhkan fonde të cilat i ka akorduar qeveria gjermane dhe që aktualisht janë nën supervizionimin e plotë të bankës kfW. Së pari po ju sqaroj se këto para të dhëna nga qeveria gjermane janë në formë granti dhe për efekt të viteve fiskale nga pala tjetër financimi është ndarë në dy faza. E para ishte ajo prej 4.5 milion eurosh e cila tashmë është miratuar nga Parlamenti dhe vjen ky financim shtesë prej 2 milion eurosh të tjera po grant. Janë mbi 6 milion euro pra të dhëna falas dhe mos keni merak të mbroni ju paratë e dhëna nga kfW gjermane sepse i mbron ajo vet. Do të ishte më normale që këtu të përshëndetej kjo marrëveshje. Sa për ta ditur ju, sot ne jemi duke implementuar një tjetër projekt me kfW në qytetin “Studenti nr.2” siç njihet ndryshe pjesa e konvikteve të inxhinierisë së ndërtimit. Po të shikoni, aty po rikonstruktohet e gjithë godina me parimin e eficiencës energjitike dhe po investohen tashmë 5.2 milion euro.

Në total janë 12 milionë euro të dhëna falas nga qeveria gjermane për eficiencën energjetike. Meqenëse edhe ju vet e thatë se Shqipëria ka nevojë për diversifikim energjetik, një nga elementët e diversifikimit është edhe ulja e konsumit, eficienca energjetike. Ne, këtë po e bëjmë me projektet publike, pra me godinat publike, me zyra shteti apo dhe me godinat e studentëve për të kursyer deri në 60% të përdorimit të energjisë elektrike me metodat moderne. Këto janë format që ka e gjithë bota. Patjetër ka nevojë dhe për diversifikim tjetër, por pikërisht për shkak të besimit që kanë krijuar në këtë qeveri dhe projekteve që kemi paraqitur na janë dhënë 12 milion euro falas. Këtë duhet ta përshëndesni, kjo është meritë e kësaj qeverie që ka bindur qeverinë gjermane me projekte për të investuar. Mos kini merak, patjetër audit do të ketë. Mos kini asnjë shqetësim sepse kfW-ja është gardiane e parasë së saj më shumë sesa ju këtu. Mos u shqetësoni fare në atë drejtim, mund ti drejtoheni edhe Ambasadës gjermane për informacione të mëtejshme.

Dua ti siguroj qytetarët shqiptarë se kjo është një iniciativë që do të vazhdojë. Ne kemi si synim që duke zbatuar legjislacionin e eficiencës në energji, të kemi mundësi të kursejmë më shumë energji në përdorim në godinat, kryesisht publike, pse jo nesër edhe private. Ka edhe një fond tjetër i cili është kontraktuar nga qeveria gjermane dhe që jepet si mikrokredi, mbështetje për të gjitha projektet e eficiencës energjetike dhe mund të aplikojnë shumë investitorë të ndryshëm.

Nga ana tjetër, meqenëse nuk pata rastin të flas për aktin normativ, këtu u hodhën lloj-lloj akuzash nga më absurdet ndaj dua të sqaroj disa momente. Përfaqësuesi i Partisë Socialiste me të drejtë u shpreh: ‘Në vend që të thoni që shyqyr që po furnizojmë vendin me energji elektrike, ngriheni këtu dhe thoni absurditete të tilla’. Dua t’ju kujtoj disa gjëra. Patjetër, kur ka krizë hidrike ka mungesë të prodhimit të energjisë elektrike pasi dihet se Shqipëria është e varur nga uji. Për këtë nuk jemi të lumtur dhe patjetër po përpiqemi për të diversifikuar burimet e energjisë. Po fillojmë programet e investimit për fotovoltaikët apo dhe në mënyrë të kufizuar në erë. Kjo nuk është çështje dëshire siç erdhi njëri këtu e thotë ‘o sa e mire, e paska bota, pse nuk e bëjmë këtu’.

Problemi është që këto duan financim. Jeni të gatshëm ju të rrisim tarifat e energjisë që të shtojmë diversifikimin e burimeve të energjetikës?! Nuk jeni të gatshëm! Sepse të gjithë do ta ktheni në një çështje populiste politike. Një kolegu im i nderuar përmendi më parë edhe rastin e Gjermanisë. Ato janë subvencione që vijnë nga shteti nëpërmjet pagesave të konsumatorëve të energjisë elektrike. Tarifa jonë aq mban! Në këto kushte të vështira, ne kemi bërë çmos që të nxisim investimet në fushën e energjisë elektrike. E kam thënë dhe më parë, po e them sërish sepse këto investime paguhen nga konsumatori shqiptar. Nuk janë investime që i bën dikush dhe pastaj ekonomia vjen vet. Jo! Përkundrazi, të gjitha janë të përfshira në tarifën e energjisë.

Kur ka krizë energjetike, akti normativ ka qenë përgjigjja e vazhdueshme e çdo qeverie. Harruat ju që në vitin 2012 keni marrë 100 milion euro me akt normativ, nga bankat e nivelit të dytë në Shqipëri?! Janë disa vendime të qeverisë dhe akte normative përkatëse që e detyruan për shkak të krizës energjetike, thatësirës, por edhe për shkak të falimentimit të kompanisë CEZ, ajo martesë që ju e bëtë dhe e dini mirë si shkoi! Çfarë bëtë?! Morët para, ekspozuat Buxhetin e Shtetit, dhatë para direkte për importet e energjisë elektrike. Kurse në rastin tonë, çfarë po bëhet? Po del garant shteti. Po jep garanci, nuk po jep para direkte. Po jep garanci për të shfrytëzuar tashmë kredinë e Bankës Botërore dhe duke ruajtur parametra të qëndrueshëm financiarë, jo duke rrënuar Buxhetin e Shtetit, siç ka ndodhur më parë.

Ju duhet të kuptoni që gjatë këtyre viteve sektori elektroenergjetik ka sjellë në Buxhetin e Shtetit 300 milion euro kontribute fiskale, TVSH dhe kontribute të tjera. Kjo për shkak të mirëadministrimit sepse volumi i taksueshëm është rritur, do të thotë energjia është faturuar më shumë, humbjet janë ulur dhe kjo solli që u përballuan importet, kryesisht nga fondet e kompanive. A është e vërtetë që ka nevojë për zgjidhje për më tutje? Patjetër, për këtë po punojmë. Hajde të gjejmë zgjidhje më të pranueshme.

Në kushte të vështira hidrologjike, ajo që bëmë është se siguruam furnizimin me energji për qytetarët shqiptarë dhe nuk kërrusëm Buxhetin e Shtetit, përkundrazi dhamë garancitë e nevojshme që furnizimi me energji të vazhdonte. Mjafton t’ju kujtoj si e keni shfrytëzuar ju kaskadën në momentet e krizës energjetike, janë dy fakte që duhet ti dinë shqiptarët. Po marr vitin 2007 që ka qenë krizë e ngjashme energjetike për shkak të thatësirës. Vetëm nga përdorimi irracional i kaskadës janë humbur 25 milion euro. Pse? U përdor Kaskada e Drinit edhe nën nivelet që lejon rregullorja. Çfarë bënë? Harxhuan më shumë energji për të prodhuar sesa për të marrë. Pse? Sepse përdorimi në nivel të ulët i Kasadës sillte prodhim të ulët të energjisë elektrike. Pra, për të njëjtat kuota kanë në atë kohë u humbën 30 milion euro energji. Ky është administrimi që ju bë në rastet e krizës tuaj! Po çfarë t’ju krahasoj? Të krahasoj elementin tjetër, se sa herë ndërpritej energjia elektrike kur kishte thatësirë? Në vitin 2007, vitin që përmenda se kishte të njëjtën thatësirë, ishin 3.4 orë në ditë mungesë energjie elektrike.

Mund të më thotë ndonjëri, ka pasur ndonjë ndërprerje të energjisë elektrike për shkak të furnizimit këtë vit? S’ka pasur. Është tjetër gjë defektet. Pra, do të thotë që edhe në këto kushte të vështira të prodhimit nga burimet hidrike, energjia është siguruar 100% dhe defektet kanë qenë shumë të vogla. Njëkohësisht Buxhetit të Shtetit nuk i është rënë shumë në qafë, sa mund të kërrusej siç ndodhi në vitin 2013 që vetëm nga borxhet e energjisë u rrit deficiti në përmasa të jashtëzakonshme. U rrit borxhi publik 7% më shumë vetëm nga kriza në sektorin elektroenergjetik. Ata që duan të japin mendim këtu apo të thonë se Shqipëria ka nevojë të diversifikohet, le të hyjnë e ti analizojnë mirë shifrat.

Rruga drejt reformës dhe rimëkëmbjes energjetike është rrugë e gjatë, nuk është rrugë me lule. Nuk është rrugë që arrihet përnjëherë. E rëndësishme është që të kemi progres vjetor. Patjetër që edhe kjo krizë do të kalojë dhe uljet e humbjeve do të jenë më të mëdha. Ne do të mendojmë edhe për instrumente më garantues, në mënyrë që sa herë të kemi kriza energjetike të kemi aftësi më të mëdha për ti përballuar duke shtuar burimet e tjera të energjisë, përfshirë edhe vënien në punë në të ardhmen të Termocentralit të Vlorës.

Të paktën për dinjitetin e intelektit tuaj, kur dilni këtu, flisni gjëra të sakta. Ka shumë mundësi të bëhet kritikë ndaj qeverisë. Qeveria mund të ketë dobësi si çdo qeveri në botë, por e rëndësishme është që ajo që thua të qëndrojë. Jo të të japin një hartim politik aty, se bëheni absurd dhe njerëzit fillojnë e ti kuptojnë. Është më normale që ti saktësoni shifrat, mos flisni si parafolësi e dikush tjetër që tha ka 100 milion euro të papaguara fatura ndaj kontraktorëve. Nuk janë fare gjëra të tilla sepse pasqyrat financiare të Operatorit të Shpërndarjes, të KESH-it dhe të OST-së çertifikohen nga kompani ndërkombëtare. Për shkak të programit që kemi me Bankën Botërore, kemi detyrim të certifikohen nga auditorë të huaj. Ata flasin më mirë me shifra.

Faleminderit!