Postuar më: 19 Shkurt 2017

Ministri Gjiknuri në Delvinë: Janë ndërtuar dhe rikonstruktuar 60 kabina elektrike

Ministri i Energjisë dhe Industrisë z.Damian Gjiknuri ishte në fshatrat e Delvinës ku bashkëbisedoi me banorët për problemet me të cilat ndeshen e rrugët e zgjidhjes së tyre. Pas një periudhe dhjetëra vjeçare të lënies në harresë të plotë nga shteti, OSHEE ka ndërhyrë në rrjetin elektrik të të gjithë fshatrave të Sarandës e Delvinës duke përmirësuar në mënyrë të dukshme furnizimin e pa ndërprerë e cilësor të konsumatorëve.

“Janë ndërtuar dhe rikonstruktuar 60 kabina elektrike, duke adresuar shqetësimet e vazhdueshme të banorëve për mos mbulim të këtyre zonave me rrjetin e tensionit të ulët”, theksoi Ministri Gjiknuri.

U ndërtuan kabina të reja në Konispol, Xarrë, Mursi, Shalës, Vagalat, Vërvë, Janjar, Markat, Livinë, Dhrovjan, Stjar, Vanë, Isak, Borsh, Aliko. U fuqizuan transformatorët në kabinat Konispol, Janjar, Çiflik, Vrinë, Vagalat, Livadhja, Karroq, Mesopotam, Finiq, Krane, Ksamil, Kalasë. U spostuan kabinat përdhese jashtë kushteve teknike e që përbënin rrezik për banorët në Stjar, Rusan, Karahaxhë, Kostar, Ksamil, Kalcat, Senice, Krongj. U spostuan kabinat e vendosura larg zonave të banuara në Leshnicë, Fitore, Jerme, Mursi, Pandalejmon, Halo, Bajkaj, Fushë Vërri, Lefterhor e Qesarat. Gjithashtu është investuar me rrjet kabllosh ABC në Konispol, Mursi, Xarrë, Ksamil, Borsh, Lukovë, Vagalat, Shalës, Aliko, Rusan, Stjar, Bajkaj e Kalasë.

Është bërë shumë, tha Ministri Gjiknuri, por kemi ende shumë për të bërë për përmirësimin e jetës dhe zhvillimin e këtyre zonave me potencial të madh. Shqetësimi juaj është prioriteti i punës sonë!