Postuar më: 30 Janar 2017

“Një qytetar-një adresë”, Gjiknuri: Përmirëson dhe shërbimin me energji

Fjala e Ministrit të Energjisë dhe Industrisë z.Damian Gjiknuri në takimin “Popullimi, një qytetar-një adresë”:

 

I nderuar Zoti Kryeministër,

I nderuar koleg Tahiri,

Të nderuar pjesëmarrës,

Në fakt, sot jemi mbledhur për të bërë prezent një nga projektet më shtetformuese të Shqipërisë. Nuk e teproj kur them kështu sepse mungesa e një adresari të plotë dhe të dhënave bazë për të gjithë shtetasit shqiptarë, ashtu siç duhet ta ketë çdo vend europian është një nga hallkat e munguara në këto 25 vite. Është shtetformuese në shumë drejtime. Do të thoni ju, çne ju si Ministër i Energjisë po e bëni prezent këtë problem?! Përfshirjen e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike si një nga financuesit e këtij projekti e pamë jashtëzakonisht të rëndësishme. Kemi nevojë për një inventar të plotë të të gjithë klientëve të sektorit elektroenergjetik, të gjithë atyre qytetarëve që paguajnë. Ka ende konsumatorë me të cilët për shkak të sistemit totalisht të degraduar të të dhënave dhe administrimit të tyre vuajnë pasoja.

Menduam që sëbashku me Ministrinë e Punëve të Brendshme, përmes këtij projekti të përbashkët të realizojmë disa qëllime. Kuptohet, më kryesorja është ajo që Ministri dhe Kryeministri do të flasë e që ka të bëjë me me adresarin, pra që qytetarët shqiptarë të kenë një adresë ashtu siç duhet, të kenë të dhëna ashtu siç ka çdo vend europian. Edhe Operatori i Shpërndarjes do të përfitojë shumë nga ky sistem, pasi do te kemi mundësinë që për të gjithë klientët tanë të japim produkte të personalizuara, të dimë të sakta për të përditësuar të gjithë adresat dhe të gjithë klientët me kontratat ashtu siç janë në mënyrë që të shmanget çdo lloj abuzimi.

Njëkohësisht të kemi mundësi të aplikojmë edhe sistemet e reja të teknologjisë që i lehtësojnë konsumatorët shqiptarë, qoftë për lehtësira që në bazë të legjislacionit do krijohen, por nga ana tjetër edhe për të evidentuar më shumë abuzimet që vijnë për shkak të trashëgimisë shumë të keqe të të dhënave që ka sistemi.

Do ti shërbejë dorëzimit të faturës ashtu siç duhet. Do të krijojë mundësi akoma më të mira edhe për eliminimin e leximit frekuent të faturave. Të aplikojmë atë sistem që aplikojnë shumë vende të përparuara të botës, që lëshon një faturë për përdorim mesatar mujor, për konsum mesatar mujor dhe të kemi mundësi të shpëtojmë kosto. Njëkohësisht ti japim mundësi konsumatorëve që njëherë në disa muaj të bëhet një azhornim dhe kjo ul kostot e Operatorit të Shpërndarjes. Patjetër do të rrisë edhe eficiencën e menaxhimit Operatori i Shpërndarjes për të gjithë ankesat që mund të kenë klientët, për të gjithë problematikat që ata kanë, do të kemi mundësi që ti përgjigjemi në kohë, madje duke ju kthyer përgjigje në adresën e tyre.

Ky sistem është shumë dimensional, por kryesisht thashë i shërben mbi të gjitha vetë bazës së të dhënave të këtij shteti, që do të na shërbejë jo vetëm për sektorin elektroenergjetik. Unë si Ministër i Energjisë e kam përkrahur këtë projekt që në fillim, prandaj Operatori i Shpërndarjes ka dhënë një financim të konsiderueshëm që përbën mbi gjysmën e vlerës së këtij projekti. Pikërisht për përfitimet që ne do të kemi dhe ky projekt e lanë shumë shpejt veten nga ana ekonomike. Realisht do të fillojë një punë serioze dhe i bëj thirrje të gjitha qytetarëve shqiptarë që të bashkëpunojnë me të gjithë personat që do të merren në regjistrimin e të dhënave, të jenë sa më bashkëpunues me ta, pasi përfitimi do të jetë i drejtpërdrejtë.

Nuk janë të dhëna që do të na duhen ne thjesht për ti patur. Janë të gjitha këto të dhëna që do ti shërbejnë atyre për lehtësinë e shërbimeve, për trajtimin e ankesave, për saktësinë e faturës e për shumë elementë të tjerë, kështu që normalisht puna do të fillojë në terren. Besoj se tani është bërë edhe rekrutimi i personelit të nevojshëm që do të trokasë derë më derë dhe unë e thashë dhe dua ta përsëris: është një nga proceset me shtetformuese. Më në fund Shqipëria do të quhet vërtet shtet, duke pasur një inventar të plotë siç e ka një shtet modern europian.

Projekti është shumë i rëndësishëm. Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë të bashkëpunojnë  dhe dua të falënderoj Ministrinë e Brendshme, Policinë e Shtetit, e cila ka qenë në krah të reformave të rëndësishme, në krah të të gjitha arritjeve të sektorit elektroenergjetik dhe bashkëpunimi me ta siç ka qenë i mirë dhe më përpara. Besoj se edhe ky projekt do të jetë jashtëzakonisht i mirë, duke pasur produkte që do ti vlejnë të gjithë shtetasve shqiptarë.

Ju faleminderit!