Postuar më: 20 Shkurt 2017

OSHEE, 4 milionë dollarë investime në Lezhë

Një godinë në rrënim, e mbuluar vazhdimisht nga uji ishte deri dje nënstacioni elektrik i Lezhës. I ndërtuar që në vitet ’60-të dhe i pozicionuar nën nivelin e detit, gjendej e përmbytur edhe në shiun më të parë dhe në nivelin më të ulët të operimit. Si pasojë, banorët e Lezhës kanë vuajtur mungesën për mbi 5 orë në ditë të energjisë elektrike. Rikonstruksioni i vetëm dhe i fundit i nënstacionit ishte bërë në vitin ’73-të. Për herë të parë, pas mbi katër dekadash, OSHEE investoi 1.9 milionë dollarë, duke garantuar sigurinë nga reshjet dhe furnizimin të pandërprerë me energji. Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri dhe Drejtori i OSHEE, Ardian Çela, inspektuan rivënien plotësisht në punë të nënstacionit.

“Stacioni i Lezhës është ndërtuar në vitet ’60-të dhe ristrukturimin e fundit e ka pasur në ’73-n. Çdo shi që binte, ky dilte jashtë funksionimit, se përmbytej nga uji. Ngelej i gjithë qyteti pa energji. Përveç kësaj përmbytej qyteti, sepse 4-5 hidrovoret që marrin energji nga këtu nuk furnizoheshin dhe dilnin jashtë pune. Këto janë çelat, prodhim i vitit 1970. Është investim 190 milionë lekë [të reja] nga të ardhurat e OSHEE-së. Kjo është faza e parë, sepse jemi në proces,” – u shpreh drejtori i OSHEE-së, Ardian Çela, duke shpjeguar rëndësinë e investimit jo vetëm për qytetin, por edhe për zonën turistike.

Krahas risjelljes në standarde pune të nënstacionit, u vendosën pajisjet e reja për 21 fidrat që lidhen me nënstacionin. Ndërkohë 1 milionë dollarë janë duke u investuar për ndërtimin e dy fiderave të rinj 10 kV për Shëngjinin, që do të lidhen me nënstacionin e Lezhës. Investimi do të përfundojë para sezonit turistik dhe së bashku me dy fiderat ekzistues, Shëngjini, i cili katërfishohet gjatë sezonit veror, ofron siguri të plotë në furnizimin normal me energji. Një investim shumë i rëndësishëm është edhe investimi 1 milionë euro që fillon në prill, për sigurinë dhe mirëfunksionimin e linjave elektrike në Zejmen, ku aktualisht si pasojë e amortizimit të rrjetit, 70% e energjisë humb në rrjet. Në Lezhë, OSHEE ka investuar 4 milionë dollarë, për të rritur cilësinë e furnizimit me energji elektrike dhe mirëfunksionimin në linjat të furnizimit me energji të 5 hidrovorëve të zonës.

“Janë 26 çela  të reja automatike dhe  dy fidera të rinj që shkojnë drejt Shëngjinit. Me këtë investim, edhe Shëngjini për 10-15 vitet e ardhshme është i garantuar për çdo lloj ngarkese. Kemi investuar tani, vetëm në Lezhë, 4 milion euro.  Në prill fillon në  Zejmen, 1 milionë euro investimi tjetër, për  të gjithë rrjetin e Zejmenit,” – tha drejtori OSHEE.

OSHEE, për herë të parë po ndjek një plan ambicioz investimesh nga të ardhurat e saj, falë reformës dhe mirëmenaxhimit të sektorit. Reforma të vështira, nënvizoi Kryeministri, të cilat po rehabilitojnë dhe rivitalizojnë sektorin.

“Falë reformës, falë faktit që nga gjysma që paguante edhe për gjysmën që vidhte kaluam në një fazë të re, ku të gjithë janë të vetëdijshëm dhe kontribuojnë, jo vetëm që nuk harxhojmë 150 milionë dollarë çdo vit, për të mbushur gropën e vjedhjeve, që të ndezim dritat, por, përkundrazi, kemi filluar të investojmë. Me këtë investim  këtu në  Lezhë i jepet zgjidhje një problemi gangrenë 25 vjet. Por do vazhdojmë edhe në zonën e Zejmenit, që mbetet akoma një pikë e dobët dhe pastaj për gjithë Bashkinë e re të Lezhës, nga ky aspekt problemi është i zgjidhur. Ndërkohë do të vrazhdojmë të rrisim cilësinë e furnizimit në mënyrë që edhe përsa i përket turizmit, Shëngjini, më në fund, pas 20 e ca vitesh të funksionojë normalisht si një zonë turistike. Është kjo rruga për të bërë shtet dhe është kjo mënyra sesi reforma të dhimbshme, të lodhshme, me kosto, japin rezultatin e tyre. Operacione që japin rezultat. Ky është një operacion i suksesshëm që tani, por na mundëson të fillojmë të rehabilitojmë organizmin komplet të bllokuar nga kanceri i kaq shumë viteve rrumpallë dhe hajdutëri,” – u shpreh Kryeministri.

Ministri Gjiknuri nënvizoi se është kryer niveli më i madh i investimeve në sektorin elektroenergjitik. Ndërkohë investimet që janë në proces dhe ato që pritet të nisin do të kthejnë këtë sektor, tha Gjiknuri, në gjenerator zhvillimi për vendin.

“Stabiliteti financiar na ka krijuar mundësi që të vazhdojmë të investojmë në përmirësimin e furnizimit me energji elektrike. Ky është një shembull konkret se çdo të thotë një investim, i cili mund të ndryshojë totalisht cilësinë e furnizimit për gjithë zonën e Lezhës, aq shumë problematike sa herë që kishte shi dhe përmbytje. Ky vit është viti më i madh i investimeve në sektorin elektroenergjitik që është parë ndonjëherë, aq më tepër i bërë në kushte kur kemi pasur një krizë nga pikëpamja e motit, ku sistemi as nuk kolapsoi, siguruam furnizimin me energji. Mbi të gjitha, për shkak të mirëmenaxhimit po investohet në përmbushje të objektivave që ne i kemi vënë vetes, që të stabilizojmë përfundimisht sektorin elektroenergjitik, për ta kthyer atë në një gjenerator zhvillimi për gjithë vendin, për shoqërinë shqiptare,” – u shpreh Gjiknuri.