Postuar më: 02 Tetor 2017

Pastrimi i nyjeve e akseve kombëtare, ARRSH dhe IKMT fillojnë ndërhyrjen në terren

Në përfundim të afatit 15 ditor të lajmëruar më parë nga Ministri i Infrastrukturs dhe Energjisë Damian Gjiknuri, ka nisur sot në terren puna për pastrimin e nyjeve dhe akseve kombëtare.

 

Autorteti Rrugor Shqiptar në bashkëpunim me Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit dhe Policinë e Shtetit filluan zbatimin e planit të masave në zonën e Shkozetit.

“Në zbatim të urdhrit të përbashkët të Ministrave Gjiknuri dhe Xhafa, sot ka filluar pastrimi i të gjitha akseve kombëtare nga ndërtimet e paligjshme të cilat bëhen shkak për burime aksidentesh. Aksi parë që kemi zgjedhur për të filluar është Tiranë-Rrogozhinë që vazhdon pastaj deri në Vlorë. Puna ndërmjet të dy institucioneve ka filluar prej ditësh. Paralelesisht po punohet në të gjithë Republikën e Shqipërisë për të bërë njoftimet përkatëse dhe procedurat ligjore. Aksi që do pasojë do jetë aksi Tiranë-Shkodër-Hani Hotit”, u shpreh drejtoresha e IKMT, Dallëndyshe Bici.

Sipas saj, aksioni do jetë në zbatim të të gjitha rregullave dhe përcaktimeve që kanë ligjet e Republikës së Shqipërisë duke i dhënë përparësi Kodit Rrugor.

Drejtori i  Autoritetit Rrugor Shqiptar Afrim Qendror deklaroi të dhëna të tjera për veprimet që do të kryhen në terren.

“Aksioni ka nisur në një rrethrotull, në një mbikalim. Toka dhe sipërfaqet e tokave poshtë nënkalimeve janë sipërfaqe të shpronësuara nga shteti dhe aktiviteti këtu është i paligjshëm, në një kohë që është burim aksidenti sepse të gjitha makinat që hyjnë dhe dalin hyjnë në nënkalim. Gjithashtu dua t’iu bën me dije që përveç objekteve të biznesit kisoka, tabela, të gjitha llojet e aktivteteve që janë në kundërshtim me Kodin Rrugor, të gjitha këto do të hiqen nga akset rrugore. Një rëndësi të veçantë dhe një njoftim dua të bëj për të gjithë njësi tregtare të karburanteve, sepse në të gjitha karburantet ne kemi tabela vertikale të vendosura në anë të rrugës në kundërshtim me Kodin Rregullor. Do të lajmërohen të gjitha karburantet për ti hequr këto lloj tabelash për ti vendosur në funksion dhe në zbatim të Kodit Rrugor pasi kështu siç janë shmangin vëmendjen e drejtuesve të mjeteve. Të gjitha karburantet që përdorin natën prozhektorë jashtë standardeve të rrugës duhet ti heqin, në të kundërt në bashkëpunim me Inspektoriatin Ndërtimor dhe me Policinë e Shtetit ne do ti heqim të gjitha”, theksoi Qendro.

Më tej, ai insistoi se çdo qytetar duhet ta kuptojë rëndësinë e këtij procesi që nis ditën e sotme.
“Duhet të kuptojmë që akset rrugore janë aset kombëtar, janë pronë e qytetarëve. Është shumë herë me e shtrenjtë një jetë e kursyer në aksidente, sesa fitimet e çdo biznesi të paligjshëm që kryehet në anë të rrugëve ose poshtë nënkalimeve dhe mbikalimeve në akset rrugor”, nënvizoi Qendro.