Postuar më: 13 Nëntor 2017

Prezantohet drejtori i Aviacionit Civil, Gjiknuri: Mbroni interesat e udhëtarëve

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri prezantoi Drejtorin e ri Ekzekutiv të Autoritetit të Aviacionit Civil Krislen Keri. Ai shprehu bindjen se Keri zotëron aftësitë menaxheriale për drejtimin efikas të punëve të përditshme në këtë institucion dhe realizimin e projekteve të tjera për zhvillimin e fushës së aviacionit civil.

Më tej, Gjiknuri u ndal tek orientimet të cilat duhet të ndiqen me prioritet të lartë nga drejtuesi i ri i këtij institucioni. “Nuk mund të themi që fusha e aviacionit civil ka qenë më e sigurta sa i përket sigurisë aeroportuale, ku jo më larg se 1 muaj më parë, një djalë i një niveli amator arriti të thyente sigurinë e aeroportit, për të mos përmendur dhe raste të tjera më flagrante. Kjo histori duhet të marrë fund”, u shpreh Gjiknuri ndërsa insistoi se duhet të merren masat që episode të tilla mos të përsëriten më.

Prioritet tjetër sipas tij është ruajtja e pasagjerit shqiptar dhe mbrojtja e interesave të tij në përballjen me kompanitë ajrore.

“Histori pafund të pasagjerëve shqiptarë që lihen aeroporteve të Italisë apo vendeve tjera, por edhe këtu në Tiranë kemi raste të shumta. Ndërkohë që përgjigjja e zakonshme është se marrëdhënia qytetar-kompani ajrore është private. Kërkoj angazhim maksimal, deri në të qenurit avokati i gjithsecilit që abuzohet nga kompanitë duke i vonuar, anuluar apo mos i lejuar të hipin në bord. Çdo njeri duhet të marrë hakun që i takon në bazë të ligjit, në mënyrë̈ që të dekurajohen kompanitë së bëri këto lojëra”, nënvizoi Gjiknuri.

Gjiknuri kërkoi gjithashtu angazhimin e Autoritetit të Aviacionit Civil për fillimin e operimit dhe ndërtimit të infrastrukturës aeroportuale shtesë në vend. Ministri kërkoi nga drejtori i ri të ndërmarrë një reformë në institucion pasi kualifikimet e kërkuara për gjithsecilin, përshkrimet e punës lënë për të dëshiruar.