Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë » Gjiknuri në SHBA merr mbështetje për projektet që garantojnë sigurinë energjetike
Postuar më: 08/02/2018

Gjiknuri në SHBA merr mbështetje për projektet që garantojnë sigurinë energjetike

Në kuadër të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri zhvilloi një takim me Herbert Raymond McMaster, këshilltarin e Presidentit Trump për sigurinë kombëtare.

Takimi u njoftua nga vetë ministri Gjiknuri, përmes një statusi në rrjetin social facebook, ku shkruan se zhvilloi një bisedë miqësore më këshilltarin McMaster. Në vijim, ministri Gjiknuri shprehet se SHBA rikonfirmon mbështetjen për Shqipërinë dhe rolin e saj në projektet e mëdha që garantojnë rritjen e sigurisë energjetike në rajon dhe më gjerë. Dy bashkëbiseduesit u dakordësuan për konsolidim të aleancës strategjike Shqipëri-SHBA për adresimin e përbashkët të sfidave të sigurisë.

Ministri Gjiknuri ndodhet në Uashington në kuadër të forumit të organizuar në Senatin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me temë diskutimi çështjet e sigurisë dhe perspektivën integruese të vendeve të Evropës Juglindore.