Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë Statusi, Gjiknuri interpelancë me minatorët: Grup pune bashkë me sindikatat për draftin - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 16/04/2018

Statusi, Gjiknuri interpelancë me minatorët: Grup pune bashkë me sindikatat për draftin

Fjala e mbajtur nga ministri Gjiknuri gjatë interpelancës së organizuar me minatorët

Mirëdita të nderuar,

Është kënaqësi që komunikojmë drejtpërdrejt. Në fakt, unë jam i njohur me problematikën pasi për vite më radhë kemi patur një komunikim të vazhdueshëm me të gjitha sindikatat. Përveç sindikatës tuaj, edhe me 4 sindikata të tjera të cilat kanë qenë të interesuara për këtë problem. Nga takimet e fundit që kemi bërë dhe në ministri, dhe ku besoj ju jeni në dijeni, u ra dakord që të përpunohet një draft i përbashkët nga sindikatat gjë që nuk u realizua nga të gjitha sindikatat.

Fatmirësisht, brenda Prillit ne kemi një draft deri diku të dakordësuar, ku adresohen ose le të themi dalin në pah disa elementë kryesorë të kërkesave tuaja. Qeveria ka patur një qasje shumë afruese dhe shumë të hapur për çështjet e minatorëve. Janë një grupim i madh shoqëror nga pikëpamja numerike dhe që kanë vuajtur, kanë profesione të vështira. Vërtetë është një profesion që përfshin rrezik për shëndetin dhe për jetën e njerëzve që punojnë në miniera por ju e dini që ne në vitet e kaluara bëmë edhe një hap tjetër të rëndësishëm.

Gjatë mandatit të parë realizuam uljen e moshës së pensionit, që edhe kjo është një arritje me kosto financiare për shtetin. U arrit dhe gjë shumë e mirë që ndodhi duke gjetur mbështetjen e të gjithë grupimeve të minatorëve që janë të përfshirë direkt në këtë profesion. Nga ana tjetër, siç ju thashë, ne kemi pritur që të vijë ky draft i dakordësuar. Jemi akoma në komunikim, nuk do të thotë se kjo mundësi humbi. Në Prill thashë një grup i sindikatave të tjera kanë paraqitur një propozim. Unë do të inicioj udhëzoj që grupi punës të takohet përsëri me të gjithë përfaqësuesit e sindikatave për të diskutuar këtë draft të fundit ku ka disa kërkesa. Disa kërkesa kanë efekte financiare dhe këtë nuk duhet ta fshehim. Ne, për këtë jemi që të gjejmë atë që është e realizueshme, nuk është problemi të paraqesim vetëm kërkesa. Unë mendoj që pjesa e pagës minimale të minatorëve mund të realizohet z. Kryeministër dhe unë nuk shoh ndonjë problem.

Sipas informacioneve që unë kam por edhe në sajë të trysnisë që ushtrojmë si shtet, në kompanitë e minierave kanë nisur të bëhen pagesat për minatorët me paga më të larta. Pra, minatorët nuk kanë paga të ulëta, të papërfillshme. Kanë filluar të paguhen më mirë. Jam dakord që duke vendosur edhe një kufi ligjor kjo mund të bëhet më e trysnueshme, më e kontrollueshme nga shteti nëpërmjet Inspektoratit të Punës apo institucioneve të tjera fiskale dhe mendoj që këtu mund të gjejmë një dakordësi.

Pjesa tjetër, janë çështje që kanë efekte financiare dhe ne duhet ti shikojmë sëbashku që të gjejmë një të mesme të arsyeshme. Nuk është problemi i mungesës së dëshirës. Në çdo rast çdo kryeministër i çdo vendi do të donte të plotësonte çdo dëshirë që ka populli i tij, aq më tepër njerëzit që janë të përfshirë në profesione të vështira. Problemi është sa na i mban xhepi.  Megjithatë, le të vazhdojmë me procesin e nisur. Të dakordësohemi nga pikëpamja e propozuesve në një draft, pastaj na takon ne sëbashku me Ministrin e Financave që të ecim me pjesën tjetër në mënyrë që të arrijmë një të mesme të përbashkët që realizon edhe një pjesë të kërkesave tuaja e njëkohësisht nuk godet rëndë edhe Buxhetin e Shtetit.

Unë po e them të fundit dhe do e mbyll këtu. Që në momentin që mbarojmë këtë aktivitet do të autorizoj grupin e punës që më të gjithë sindikatat, duke caktuar përfaqësuesit tuaj siç keni bërë më parë, të diskutojmë në lidhje me draftin e ardhur nga një grup i sindikatave. Mbase nuk janë përfshirë dhe reflektuar të gjitha nevojat tuaja, prandaj le të punojmë mbi atë draft dhe pastaj të vazhdojmë me procesin sipas shkallëve që e kërkon çdo iniciativë ligjore.

Ju faleminderit shumë që më dhatë edhe mua mundësinë që t’ju sqaroj direkt.